Një raport i mirë që do të duhej të merrej parasysh nga institucionet
/2L ONLINE/ – Organizuar nga Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtarë/Kosovo Center for International Cooperation, është prezantuar raporti i monitorimit të Komunës së Gjilanit, respektivisht punës së Kuvendit të Komunës si dhe Komitetit për Politikë dhe Financa, përgjatë periudhës 2015; që kishte të bënte me temë:”Përfshirja e publikut në vendimmarrje në Komunën e Gjilanit”.
Kjo është bërë nga menaxheri i këtij projekti Hekuran Aliu, sipas të cilit raporti përmban të gjetura interesante. Sipas tij, Qeverisja lokale në Gjilan duhet që karshi nevojave të përditshme të qytetarëve, të jetë e përkushtuar që të krijoj klimë, ku do të ketë angazhim serioz të reformimit të shërbimeve komunale përmes ngritjes së kapaciteteve të punonjësve, krahas zhvillimeve të Teknologjisë Informative dhe të krijoj kulturë të mirëfilltë të komunikimit me publikun. Pastaj, lehtësirat në qasje në informacion dhe rritja e cilësisë së informacionit, do të ndihmon që qytetarët të kuptojnë më mirë të drejtat dhe përgjegjësit e tyre, që së pari të dinë ku të drejtohen dhe si të përfshihen në procese të vendimmarrjes dhe së dyti, që Komuna të jap llogaridhënie për shpenzimin e parasë publike dhe angazhimit të saj në përgjithësi.
Më pas Aliu ka treguar edhe për metodologjinë që kanë përdor për këtë raport, të dhënat e gjetura për transparencën e Kuvendit dhe Komitetit për politikë dhe financa , niveli i komunikimit të kuvendarëve me publikun, rreth qasjes në dokumente zyrtare, pastaj ka bërë të ditur rezultatet e një ankete të realizuar me qytetarë të Komunës së Gjilanit, ka sjellë gjetje interesante, në lidhje me njohuritë e tyre sa i përket funksionimit dhe pjesëmarrjes së tyre nëpër aktivitete komunale. Pastaj rreth pjesëmarrjes së publikut në debate, të përfshirjes së tij në hartimit e buxhetit. Ndër tjera, Aliu ka prezantuar se publiku vazhdon të ketë vështirësi në lidhje me qasje ne dokumente publike. Komuna e Gjilanit nuk është transparente në dhënien në informata të dokumenteve publike. Nga 9 kërkesat e parashtruara drejt institucioneve për qasje në dokumente publike, vetëm në dy raste Komuna e Gjilanit ka kthyer përgjigje, thotë ai.
Sa i përket angazhimit të zyrtarëve dhe në veçanti të asamblistëve, Aliu kujtoi që të zgjedhurit duhet që në vazhdimësi të komunikojnë me qytetarët dhe të merren me përpilimin, adresimin e kërkesave dhe nevojave të tyre, pasi jo të gjithë zyrtarët po e kryejnë punën si duhet dhe shpesh u ikin përgjegjësive të tyre që i kanë. Shqetësim i prezantuar në këtë raport është qasja e komunës përkitazi me hartimin e dokumenteve strategjike si dhe buxhetit Komunal, pasi Komuna nuk e konsulton mjaftueshme publikun dhe nuk i publikon të dhënat në nivele të kënaqshme të buxhetit. Ndërsa, në lidhje me Kuvendin ai tha që parregullsitë e evidentuara, siç janë informimi i publikut, pastaj parregullsitë e tjera përgjatë seancave, siç janë shkeljet e Statutit të Komunës dhe Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, të merren seriozisht dhe se zyrtarët Komunal duhet të japin llogari karshi angazhimeve të tyre, sa herë që kërkohet.
Në fund Aliu ka dhënë edhe problematikat e gjetura dhe rekomandimet që i ka paraparë kjo organizatë ( shih në fund të shkrimit):
Nga ana e saj, Kryesuesja e Kuvendit Komunal Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se ky raport është një pasqyrë që edhe kuvendi, trupat e saj profesioniste, por edhe ekzekutivi me dikasteret e veta, ka vend për angazhim edhe më të madh në punën e përditshme, që bëhet që nga kërkesa e thjeshtë e një qytetari, e deri tek planifikimet vjetore apo edhe raportimet dhe takimet publike që organizohen.
“Në Kuvendin e Komunës së Gjilanit ka standard të krijuar demokratik të organizimit të seancave, respektim të ligjit, duke u nisur nga ftesa për një seancë e deri tek aprovimi i akteve nënligjore nga ana e Ministrisë së Pushtetit Lokal. Në seancat e Kuvendit hapësira për të dhënë kontributin profesional e politik i jepet çdo këshilltari komunal. Po ashtu edhe informimi publik që do të mbahet një seancë e Kuvendit, bëhet në mediat lokale, ueb faqe dhe njoftime të tjera të ndryshme, sikur që jemi të angazhuar maksimalisht të jemi transparent karshi qytetarëve. Ajo që deri më tani është punuar në këtë drejtim ka qenë konform harmonizimit dhe bashkëpunimit në funksion të zgjidhjes së problemeve të shumta që kanë qytetarët e Gjilanit”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi, duke potencuar se është kryesuese e të gjithë këshilltarëve.
Ajo ka thënë se ky raport dhe raporte të tjera nga organizata të tjera janë përherë kritika që pavarësisht pasqyrimit, pozitiv apo edhe rekomandimeve për përmirësim, janë shumë të vlefshme për institucionin në këtë rast, ngase ndikon në përqëndrim të vëmendjes, angazhim konkret në punë, planifikim më ndryshe gjatë të ardhmes dhe është në shërbim të përmirësimit të kushteve të qytetarëve të Gjilanit.
“Pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje dhe planifikim është shumë e rëndësishme në planifikimin e drejtë dhe konform prioriteteve për investime në infrastrukturën publike”, tha ajo ndër të tjerash.
Ndërsa nga opozita (PDK) Riad Rashiti vlerësoi raportin e bërë duke thënë se ka pasqyruar mirë të metat dhe defektet e punës së KK –së dhe të Komitetit për Politikë dhe Financa, bile sipas tij ka edhe më shumë shkelje që nuk janë pasqyruar dhe se ato edhe si opozitë PDK-ja e ka ngrit zërin përherë por nuk është përfill nga pozita.
Rashiti ka thënë se e keqja është që Kuvendi Komunal ka rënë në ndikim dhe është shndërruar në instrument të ekzekutivit dhe këtu burojnë pastaj shkeljet e shumta në punën e këtij organi. Ai ka thënë se këto shkelje që po ndodhin tani nuk kanë ndodh në të kaluarën kur në pushtet ishte PDK, ndërsa ka qenë kritik edhe në rolin e kryetarit i cili së paku, në ato tema që trajtohen në Kuvend, dhe kur është i obliguar me ligj, do të duhej të ishte prezentë sepse është fare pak i pranishëm.
Ai po ashtu pati vërejtje edhe në MAPL-në, që e quajti të papërgjegjshme që siç tha ai duket se nuk i shikon fare vendimet e kuvendit që i dërgohen për verifikim të ligjshmërisë dhe kjo është parë pastaj me reagimet e vonshme në disa raste. Rashiti pati vërejtje edhe sa i përket qasjes në dokumente publike dhe vuri në spikamë mos gatishmërinë e institucioneve për t’iu përgjigjur interesimit të opozitës që bëhet përmes shkresave, të cilat kryesisht mbesin pa përgjigje.
Isa Shefkiu, nga Shoqëria civile tha se shkelje ka edhe më shumë sesa që ka përfshirë ky raportë dhe tha se do të ishte mirë që të ishte më gjithëpërfshirës, derisa edhe Nevzad Isufi nga vetëvendosje, vlerësoi raportin dhe të gjeturat duke thënë se edhe Kuvendi edhe Komiteti do të duhej të ishte vetëkritik të i merr me dashamirësi rekomandimet dhe vërejtjet e gjetura që të përmirësohet në të ardhmen.
Avdyl Aliu, nga LDK, nuk u pajtua me shumë vërejtje që ishin të gjetura të raportit , duke thënë se konformë materialit të raportit ato qëndrojnë mirë por jo edhe me realitetin e edhe zijanin Maliqi tha se çështja e buxhetit është trajtuar me transparencë të madhe.
Gjithashtu, kontributin e tyre në ktë debat e kanë dhënë edhe këshilltarët Nevzad Rushiti, Bujar Nevzati, e Fehmi Sylejmani, Shaban Terziu nga shoqëria civile, përfaqësuesja nga OSBE, studentë dhe zyrtarë të tjerë që ishin pro dhe kontra këtij raporti, por me një mbështetje që të punohet edhe më shumë se sa këtë vit. /2L ONLINE/
***
Ja të gjeturat dhe rekomandimet
Kuvendi Komunal Gjilanit dhe KPF gjatë vitit 2015 është karakterizuar me këto shkelje dhe parregullsi të procedurave të punës:
1. Kuvendi i Komunës në Gjilan vazhdon të funksionoj pa zëvendës Kryesues, e cila paraqet shkelje të Statutit të Komunës neni 68 si dhe Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, neni 54, “Në Komunën e Gjilanit posti i Zëvendës Kryesuesit i takon përfaqësuesit të popullatës jo shumicë që ka marrë më së shumti vota. Në kuvendin e Komunës së Gjilanit, posti i zëvendës kryesuesit i takon komuniteteve jo shumicë. Postin e zëvendës kryesuesit të kuvendit të Komunës e mban kandidati përfaqësues i popullatës jo shumicë, që ka marrë më shumë vota në listën e kandidatëve për zgjedhje në kuvendin e Komunës së Gjilanit. Zëvendës kryesuesi i kuvendit të Komunës për komunitete i ushtron detyrat e tija në pajtim 1 me nenin 55 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale” . “Në komunat ku së paku 10% e qytetarëve i takojnë komuniteteve jo shumicë, posti i Zëvendës kryesuesit të kuvendit të komunës për komunitete rezervohet për përfaqësuesin e këtyre komuniteteve” .
2. Lajmërimet për mbledhjet e Kuvendit të Komunës dhe KPF-së, paraqesin ngecje në informimin e publikut. Lajmërimet për mbledhjet e Kuvendit dhe KPF’së, kryesisht bëhen në ueb faqen e Komunës. Lajmërimet, jo gjithmonë janë publikuar nëpër hapësira ku frekuentojnë qytetarët, si në zonat urbane ashtu edhe ato rurale. Nga gjetjet, njoftimet, publikohen kryesisht në objektin e Shërbimeve për Qytetarë dhe Zyrës së Kryetarit (ishobjekti i gjykatës). Kjo nuk mjafton dhe nuk i përmbush detyrimet ligjore që ka Komuna për informimin e publikut. Paraqet shkelje të Statutit të Komunës dhe Rregullores për Transparencë të Komunës së Gjilanit, neni 2 dhe 3. “Kryesuesi i mbledhjes së Kuvendit të Komunës ose komitetit përkatës, nëpërmjet zyrës përgjegjëse për informim njofton publikun të paktën 7 ditë para mbledhjeve të rregullta ose 3 ditë para mbledhjeve të jashtëzakonshme ndër të tjera edhe përmes: a) Shpalljeve publike në vendet më të frekuentuara brenda territorit të komunës; b) Medieve të shkruara dhe elektronike lokale dhe c) Ueb – faqes zyrtare të komunës” .
3. Kryetari i Komunës nuk e ka prezantuar propozim buxhetin për vitin 2016, por këtë e ka bërë Drejtori i Financave. Kjo paraqet shkelje të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale neni 58, i cili përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e Kryetarit. Kryetari i Komunës; “propozon zhvillimin komunal, planet rregullative dhe investuese, propozon buxhetin vjetor për miratim në kuvendin e komunës dhe e ekzekuton buxhetin e miratuar” .
4. Në seancën e jashtëzakonshme të datës 13 tetor 2015, asamblistët e pozitës dhe partive të koalicionit e kanë bojkotuar mbledhjen. Asamblistët e kanë shkelur Rregulloren e Punës së Kuvendit neni 18.2, sipas të cilës ata obligohen të marrin pjesë në të gjitha seancat e Asamblesë. “Çdo anëtarë i kuvendit detyrohet që të marrë pjesë në të gjitha seancat e Kuvendit duke u përgatitur për seancë dhe duke parashtruar mendimin e vetë lidhur me çështjet që janë në rend të ditës. Po ashtu çdo anëtar duhet që gjithherë ta njoftojë kryesuesin e seancës së Kuvendit për pamundësinë e ardhjes së tij në seancë dhe arsyet për mosardhjen e tij të konstatohen në procesverbal” .
5. Gjatë këtij viti, Kuvendi i Komunës ka ndryshuar lokacion dhe tashmë mbledhjet mbahen në objektin e ish gjykatës në Gjilan. Përkundër ambientit të mirë, salla e re nuk ofron kushte të mira për pjesëmarrësit, veçanërisht për qytetarët. Në dy seancat e fundit të Kuvendit të Komunës, respektivisht në tetor dhe nëntor, hapësira e rezervuar për qytetarët, mediet dhe monitoruesit ka qenë e pamjaftueshme, pasi kjo hapësirë është shumë e vogël dhe se pjesëmarrësit kanë qëndruar në këmbët, në pamundësi të akomodohen. Kjo paraqet shkelje sipas Statutit të Komunës së Gjilanit neni 69, pasi mbledhjet janë të hapura për publikun. Komuna e Gjilanit me këtë veprim, ka përjashtuar qytetarët edhe teknikisht, që të marrin pjesë përmes prezencës fizike, sepse salla e re, ofron kushte tejet minimale për pjesëmarrje të publikut.
6. Përkundër që në ueb faqen e Komunës së Gjilanit figuron vendimi se është miratuar Plani i Punës i Kuvendit Komunal të Gjilanit për Vitin 2015, nuk është publikuar kalendari i datave të seancave të Kuvendit. Njëjtë është edhe për Komitetin për Politikë dhe Financa. Sipas Statutit të Komunës neni 53, pika 6, “në mbledhjen e tyre të parë të çdo viti vijues Kuvendi i Komunës dhe secili komitet duhet t’i caktoj datat fikse, në të cilat duhet të mbahen takimet e rregullta gjatë vitit. Mbledhjet plotësuese mund të thirren në çdo kohë. Datat e mbajtjes së takimeve mund të ndryshohen me vendime tjera” . Mos-publikimi i kalendarëve të mbledhjeve të Kuvendit dhe Komiteteve përben shkelje të Rregullores për Transparencë dhe kështu vështirëson punën e monitoruesve si dhe publikut.
7. Kuvendi i Komunës së Gjilanit gjatë vitit 2015 ka shkelur nenin 53, mbi mbledhjet e këtij institucioni pasi; Anëtarët nuk kanë marrë të gjitha materialet për pikat e rendit të ditës që janë diskutuar gjatë mbledhjeve, sipas pikës 3.5 të nenit 53 e Statutit të Komunës. Në mbledhjen e muajit nëntor, asamblistët janë ankuar pas miratimit të rendit të ditës, para Kryesueses së Kuvendit, se mungon materiali për 3 pika të rendit të ditës.
8. Anëtarët e Kuvendit kanë shkelur Rregulloren e punës së Kuvendit, pasi kanë miratuar rendin e ditës, pa njoftuar paraprakisht Kryesuesen e Kuvendit se u mungon materiali për diskutim.
9. Kuvendi i Komunës së Gjilanit ka shkelur nenin 53, pika4, të Statutit të Komunës, pasi nuk i publikon njoftimet e mbledhjeve në të gjitha Gjuhët Zyrtare.
10. Zyra përgjegjëse për informimin e publikut duhet të jetë e përpiktë në dhënien e informatave me kohë të datës dhe vendit së mbajtjes së mbledhjeve komunale. Përkundër se nuk është shkelur neni 60 i Statutit të Komunës, mbi mbajtën e mbledhjeve të KPF’së, është vërejtur se ka hapësirë ligjore, pasi njoftimi i datës 06 korrik 2015 është bërë publik në fund të orarit të punës, respektivisht ora 15:33. Mbledhja është mbajtur më 9 korrik ora 10:00.
11. Kuvendi i Komunës dhe asamblistët, nuk e respektojnë kohën e paralajmëruar për mbledhje, Mbledhjet e Kuvendit rregullisht fillojnë 10 deri 20 minuta me vonesë.
12. Anëtarët e Kuvendit përdorin gjuhë jo-parlamentare gjatë seancave të Kuvendit, duke shkelur me këtë rast nenin 5, të Rregullores së Punës së Kuvendit të Komunës.
13. Komiteti për Politikë dhe Financa si dhe Kuvendi i Komunës nuk ka shqyrtuar gjatë mbledhjeve dhe nuk ka kthyer përgjigje me shkrim kërkesat e qytetarëve të evidentuara në procesverbalet nga takimet me publikun. Me këtë rast, institucionet Komunale kanë shkelur nenin 27 dhe 28 të Statuti të Komunës.
14. Anëtarët e Kuvendit të Komunës kanë shkelur Rregulloren për Subvencione, pasi më datë 30 nëntor 2015, kanë votuar subvencionimin e teatrit në vlerë 47 mijë euro duke mos respektuar dispozitat ligjore. Me këtë rast është shkelur neni 4 i kësaj rregullore, respektivisht pika 1.3, pasi asamblistët nuk e kanë pasur kërkesën e plotë në formë të shkruar, mbi arsyetimin e ndarjes së subvencionit, gjatë shqyrtimit dhe votimit.
REKOMANDIMET
Duke u nisur nga gjetjet e këtij raporti dhe me qëllim që të përmirësohet pjesëmarrja e publikut në proceset e vendimmarrjes, të rritet përfshirja e tyre në hartimin e buxhetit dhe dokumentet strategjike në Komunë, por edhe të rritjes së transparencës dhe kulturës së llogaridhënies, rekomandojmë që, Komuna e Gjilanit:
– Të krijoj hapësirë të mjaftueshme për pjesëmarrje të publikut nëpër mbledhje të Kuvendit dhe Komiteteve;
– Në përputhje me dispozitat ligjore dhe me qëllim të rritjes pjesëmarrjes së publikut, të merr parasysh rekomandimet dhe sugjerimet e publikut, dhe ti trajtoj ato nëpër organet komunale;
– Të përfshijë qytetarët në hartimin e dokumenteve strategjike përmes konsultimeve dhe diskutimeve publike;
– Të ndryshoj formën e informimit të publikut në lidhje me proceset e vendimmarrjes;
– Duke zbatuar Rregulloren për Transparencë Komunale dhe Statutin e Komunës së Gjilanit, të njoftoj publikun për debatet publike dhe mbledhjet e Kuvendit, edhe përmes mediumeve lokale si dhe rrjeteve sociale;
– T’i ofroj qasje të plotë shoqërisë civile, mediumeve dhe publikut në të gjitha materialet që diskutohen në Kuvend dhe Komitete;
– Të angazhoj dhe përfshij qytetarët në hartimin dhe planifikimin e buxhetit Komunal;
– Të rritë cilësinë dhe e kualitetin e përmbajtjeve të dokumenteve të publikuara;
– Të dizajnoj udhëzues dhe dokumente me përmbajte kreative, për të informuar qytetarët në lidhje me të drejtat dhe përgjegjësit e tyre;
– Të jetë transparent dhe të ofrojë qasje të plotë në dokumente publike;
Të jetë e përgjegjshme dhe të instaloj kulturë të llogaridhënies ndaj shpenzimeve të parasë publike;
– T’i azhuroj dhe ristrukturoj dokumentet e publikuara në ueb faqen e Komunës;
– T’i funksionalizoj dhe riparoj të gjitha mekanizmat që janë në shërbim të qytetarëve me qëllim të llogaridhënies dhe informimit për proceset e vendimmarrjes;
– Krahas zhvillimit të formave të komunikimit të përdorin teknologjitë e mediave sociale për të angazhuar publikun në dialogun qeveri lokale-qytetar dhe për ofrimin mundësisë së diskutimit dhe zhvillimit të politikave si dhe zbatimit të tyre;
– Zyrtarët Komunal, veçanërisht asamblistët, në përputhje me dispozitat ligjore të mbrojnë interesat e qytetarëve;
– Asamblistët Komunal, të angazhohen në adresimin e nevojave të komunitetit dhe të jenë zë përfaqësues i interesave të publikut;
– Asamblistët të rrisin bashkëpunimin dhe të mbajnë komunikim të vazhdueshëm me qytetarë;
– Asamblistët, të tregohen të përgjegjshëm krahas detyrave dhe përgjegjësive që i kanë si përfaqësues të qytetarëve;
– Kuvendi i Komunës së Gjilanit, të respektoj të drejtat e komuniteteve jo-shumicë dhe të publikoj të gjitha materialet ashtu siç parasheh Statuti i Komunës dhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale;
– Kuvendarët, të jenë të përpiktë në respektimin e kohës së mbajtjes së mbledhjeve;
– Kuvendarët, të zhvillojnë komunikim demokratik në Kuvend, duke respektuar mendimin e tjetrit dhe të mos përdorin gjuhë jo-parlamentare si argument ndaj palës tjetër.
