Një QKMF moderne është garanci për një shoqëri më të fortë, më të shëndetshme dhe me shërbime më pranë qytetarit
Mrika Krasniqi Shala, e cila është kandidate për Asamblenë Komunale në listën e PDK-së, në zgjedhjet e 12 tetorit, ka thënë se shëndetësia komunale është themeli i një shoqërie të shëndetshme dhe e afërt me qytetarin. Kujdesi parësor shëndetësor përmes Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) mbetet pika e parë ku qytetarët kërkojnë ndihmë mjekësore. Për këtë arsye, është e domosdoshme që një komunë të ketë një QKMF moderne, të pajisur me infrastrukturë bashkëkohore dhe staf profesional të motivuar.
Sipas saj, një QKMF moderne nuk është vetëm ndërtesë funksionale, por qendër që ofron:
*Shërbime të shpejta dhe cilësore për qytetarët.
*Laboratorë të pajisur me teknologji që sigurojnë analiza të sakta dhe komplet shërbimi diagnostik të ketë pajisje moderne.
*Ambiente të përshtatshme për pacientë, sidomos për fëmijë, gra shtatzëna dhe të moshuar.
*Sisteme digjitale për menaxhimin e të dhënave shëndetësore dhe shmangien e vonesave.
*Personel të trajnuar që ofron kujdes të vazhdueshëm dhe human.
Mrika Krasniqi Shala thotë se shëndetësia komunale nuk duhet parë si shpenzim, por si investim në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Një QKMF moderne është garanci për një shoqëri më të fortë, më të shëndetshme dhe me shërbime më pranë qytetarit. Kjo është edhe një ndër arsyet pse jam kandiduar për Kuvendin e Komunal të Gjilanit, si njohëse e shëndetësisë në sektorin privat mundemi me dhënë kontribut edhe në sektorin publik, për këtë arsye kërkojmë mbështetjen e qytetarëve të Komunës së Gjilani”, thotë Mrika Krasniqi Shala, e cila është kandidate për Asamblenë Komunale në listën e PDK-së. /2LONLINE/
