Një qiri për vete – cikël poezish

Një qiri për vete – cikël poezish

Hevzi MUSTAFA

NJË QIRI PËR VETE

( Cikël poezish nga dorëshkrimi ” Dhembja mban emrin tënd” )

BESOJ NË EGON TIME

Kur të gjithë vrapojnë
për ta zënë kohën,
bëhem re mizore
përpara i dal kohës
le të më ndjekë ajo
po deshi

SINOPSIS

1

Ua figurova shokëve një biondinë
nuk u sqarova se e polla nga imagjinata e zhvilluar
– Takimi do të jetë publik, mbetet vetëm të shihni

2

Ua përshkrova shokëve përafërsisht një zeshkane
– Takimi nuk do të jetë publik, do ta fusë diku në
terr.
Mendova t’u them kështu atyre, e lashë për m vonë,
u frigova mos më vinë pas.

3

Thuajse e pikturova aq bukur trilloja pamjen një loqke flokëkuqe,
edhe kësaj radhe shokëve
– Ndoshta do të ketë takim, ndoshta jo.
ju tregoj në telefon.

AKT

Një kënaqësi e dyfishtë
nëse kam qenë më i dehur se zakonisht
dhe ti më e bukur se kurrë
a ndoshta
një tmerr i dyanshëm
nëse prezervativi ka qenë i grisur
këtë le ta thotë fryti ynë i pafajshëm
nëse e rrisin gjyshërit
apo
atë e falë klinika për adaptim

NGA DRITARJA E PASME E VAGONIT TË FUNDIT

Për çdo lloj fati
mureve anash ekspozitë kolektive
e llambave jo-magjike të neonit
ndezur në thellësi të korridorit pa fund
një qiri për vete
homazh mbas humbjes së dashurisë nr.1
fryen shkujë nga të katër anët
në tunelin e parandalimit
të vuajtjeve erotike

Ekspozita shpallet e mbyllur
dalja prej këtu kushton gratis

PESIMIZËM

Në një çast të gjitha rrugët janë mbyllur
jeta është e ithët pa masë
mungojnë batica e zbatica argëtimi
prezanton heshtja malli vetmia
në këso raste mos harroni:

‘Vetëvrasja është dënim i vogël’

RASTËSI

I thashë takohemi në korridor
ajo protestoi: O në klasë, o askund!

Më në fund u ndeshëm rastësisht në WC

Ndezi nga cigarja ime, cigaren e saj
dhe u avullua

TRENI IM

Dhjetra e dhjetra vagonë tërheq pas vetes
ngarkuar opium vuajtje trauma
në fund të çdo kremteje të ditëlindjes
një vagon i shtohet lokomotivës
e cila shpie drejt
dy metra katrorë gropë
ose ngjitet përpjetë
me binarët e salduar
nga engjujt ndërtimtarë të shkallëve qiellore

PERËNDIM I EGËR

Derisa u bëre gati të rrezitesh
dielli veç paska perënduar

DASMA

Një kopsht me insekte
pa lule vërsulet
andej nga vjen më shumë dritë

E diela Apokaliptike
dita e dasmës sonë

Nëse na lejon xhumaja e Kiametit
do ta shqyejmë para kohe jorganin
do ta hedhim mbas dere
sa po ta fikim poçin elektrik
ndoshta llambën e vajgurit
apo qiriun e dyllit

Insektet e kopshtit të insekteve
i përzumë
kësmet si refugjatë
në ahur të lopëve

NË FILLIM

Në fillim ishim engjuj
pastaj u djallëzuam

Duhej patjetër të bienim në dashuri
dhe këtë e bëmë

Krahët e bardhë i humbëm
e puplat na u shpërndanë në erë

Djalli na ndiqte edhe në banjo
frikësoheshim nga lakuriqësia personale

Kot jetonim me strese
në një oazë të harruar

Kërkuam dashuri të vërtetë
në një botë të rrejshme

KOMENTE