(Vështrim mbi vëllimin poetik ”Pa një vdekje mbes”, të autorit Sabit Rrustemi, botuar këto ditë, përmes Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”)
Shkruan: Naxhije Gashani
/2L ONLINE/ – Çdo çast është varg në vete, orët si rima të ngjyera pasthirrmash që rigojnë në faqe ditënetësh, e fryma jonë varg i pambaruar deri në vdekje. Andaj lindin poetët, zëri i tyre është zë jete, që di gjuhën e belbëzimeve të një fëmije, gjuhën e hapave të atij e asaj që enden udhëve si misionarë fatesh të tyre. Por, jo vetëm aq, poetët lindin si njohës shpirti, ata njohin atë gurgullimë gjaku që ndjenjës i jep emër, shpresës i jep jetë, ata mbesin arkeologët e parë të dhimbjeve.
I tillë është poeti ynë, Sabit Rrustemi, e tillë është poezia e tij e cila frymon zëshëm, shtigjeve poetike, si një iso këngësh që do të mbajnë gjallë frymën e poetikës sonë nëpër kohë. Në vargun e poetit, Sabit Rrustemi, jeta portretizohet prej një këndvështrimi real, lexuesit sikur i lexohen udhët e tij, ai endet vargut të Sabit Rrustemit, me mirazhet para syve të përjetimeve të tij, andaj edhe mishërohet me të, merr çdo pjesë të atij vargu deri në arkat e tij të kujtesës, i bindur në vlerat që posedon ai.
Prej një këndi të tillë, lexuesi do të sheh edhe gjatë leximit të vëllimit poetik ”Pa një vdekje mbes”, të po këtij autori, ku do të përballet me subjekte lirike të mveshura artistikes, me një figuracion të pasur, me domethënie e ide letrare që shpërfaqin mjeshtrinë në ndërthurjen e temave dhe mesazhet që nxjerrin në shesh kreativitetin prej artisti të këtij poeti.
Pasqyra e temave që trajtohet brenda këtij vëllimi poetik, shtrihet midis reales e fiktives, duke gjetur një mes të përbashkët, ku të dyja këto i japin e i marrin njëra-tjetrës, deri atyre përmasave sa që ato shpesh shkrihen e bëhen një, duke u shpërfaqur si një kolorit ndjesish që fiton premisat e të qenurit art i vërtetë.
Elementet mitologjike vijnë vargjeve të poetit, Sabit Rrustemi, pa zhveshur mitiken prej vetes, sikur janë të destinuara t’u kthehen kohëve aktuale, për t’ua dëshmuar vërtetësinë e ekzistencës së tyre brenda artit. ”Nga legjendë e fshehur ike/e mbin kudo vetë si Lulezanë/dikush e sheh në ëndërr/e tjetri i rri pranë (po citoj vargje të poezisë ”Ora e Zanës”).
Toka si simbolikë e truallit merr trajtën e hallkës së pashkëputshme të individit me vetvetën, të qenies tek e cila mbisundon ndërvetëdija e lidhjes së saj me dheun ku shihen gjurmët e së kaluarës. Një të tillë portretizim toke, dheu, e gjejmë edhe tek poezia e Sabitit.
Poeti shtrinë ecjen e tij nëpër gjurmët e të parëve, frymon rrëzë Çepurit, duke ia njohur e numëruar degë e gjethe, me syrin kah Bjeshkët e Nemuna e deri tek pjesa e Tokës, që mbanë aromë Shqipnie ”Vetëm prapa Bjeshkëve të Nemuna/Nuk sheh syni po e ndjen zemra/Atë Pjesë Shqipnie (citoj vargje të poezisë ”Për krye te Nanës”).
Dhe prap s’ikën, të kaluarën e lë gjithmonë brenda vargut të tij, poeti, vetëm aty ai ndjen katarsisin shpirtëror prej të cilit merr frymëzim për të nisur varg të ri, frymëzim që lindë mes përballjes së tij me bukurinë e madhështinë e Detit Jon, përmes kthimit në Iliri, por edhe të dhimbjeve subjektive prej njeriu “I zënë ngusht si Iliria/I veshur së jashtmi nga bukuria/Sa herë i djegur së brendshmi prej dhimbjeve të mia” (citoj vargje të poezisë ” Përballë Detit Jon”).
Atdheu, ngelet muza e pashterrshme e Sabitit, ai e ndjen afrinë e dashurinë e tij, por syrit të tij largpamës s’i shpëtojnë përpjekjet e vazhdueshme të lirisë për të frymuar. Atëherë poeti rënkon, shpreh ndjesinë e të qenurit kritik, dhe me sensin e tij prej poeti, thërret e bën me dije “Atdhe, çili sytë/Mblidhi djemtë edhe mendtë/Nxine kohën me hapin tënd” (citoj vargje të poezisë “Atdheu im”).
Nana, si dashuri e madhe del në pah e formësuar në mënyrë madhështore, në poezinë “Dritarja rri mbyllur”, të këtij vëllimi poetik. Një temë si kjo, nuk ndjen nevojën e të qenurit e rrethuar prej figurash, është kjo ndjenja më sublime e individit, fjala e shpirtit të tij, andaj një ndjenjë si kjo sa herë rrjedh natyrshëm, ka premisat e poezisë madhështore.
E tillë vjen edhe dashuria e poetit për Nanën e tij, për pritjet e përcjelljet e saj edhe pasi të jetë fshehur tej udhëve i biri “Sytë e Nanës më shohin nga thellësia e Alpeve”. Është kjo fraza, e cila e mbanë të fortë poetin, si udhëtar udhëve të largëta, për t’u kthyer sërish kah ajo, që në kthimin e parë prej udhëve, si një kthim delikat e i mishëruar dashurie e kujdesi “Kur hap portën hapëroj drejt saj/Dhe lehtas shumë lehtas i trokas te xhami/Për të mos e trandur. (citoj vargje të poezisë “Dritarja rri mbyllur”).
Dhe mē pas, ajo e cila është përgjegjje e gjithë asaj që quhet dashuri Nane: “Ajo zgjuar është/Sall unë kot shqetësohem/Saktë e di kur zgjohem/Mbështetur në bërryla më pret/Edhe po u vonova/Nana edhe në gjumë më sheh”.
Një përmbyllje kjo sa madhështore, aq edhe mjeshtërore e poetit.
Fryma e lirisë i përshkon pothuajse të gjitha vargjet e Sabit Rrustemit, koncepti i lirisë së individit në të jetuar, në të ëndërruar e në të dashuruar, gjen vend trajtimi edhe te poezia ”Liri ásht”, ku përmes një të shprehuri figurativ, poeti përgjigjet në pyetjet e një miku ”Krejt çka e pate t’ndalume me ba/me thanë/me nie/me prekë/e me shijue/liri ásht.
Pastaj edhe vdekja, si një proces shpirtëror e fizik i qenies, që zbret sipër saj, për ta zënë befas, si një frymëmarrje e akulltë, që shndërron në muranë varri një jetë njeriu “Vjen kur s’e pret/Krejt akull/Të ngrin në shpirt/Dhe atë pak frymë/Me gërrhamën e mbramë ta thithë (citoj vargjet e poezisë “Vdekje”).
Një portretizim ky që shpërfaqë thelbin e njohjes së proceseve jetësore nga autori, por jo vetëm aq, përveç njohjes edhe sensin e veçantë të mveshjes së proceseve të tilla me petkun e artit.
Në vazhdën e elementeve, të cilat e ngrejnë vargun në shkallën e vlerave, është gjuha e poetit, një gjuhë e pasur, e natyrshme, e fuqishme që shtrihet fushës së poezisë së tij, duke i dhënë fuqi shprehëse e ngjyresë emotive vargut, deri në shkallën e vlerave.
Andaj leximi dhe studimi i veprës sē Sabit Rrustemit, i jep lexuesit e studiuesit mundësinë e njohjes së një poezie të mirëfilltë, poezi kjo e cila është argumenti më real se autori i saj posedon mjeshtërinë, njohjen dhe kreativitetin në të thururit e vargut. /2L ONLINE/
Naxhije Gashani