Nga Emin Azemi
NJË POEZI ME ENERGJIE SEMANTIKE QË DEL NGA HIRI I FIGURAVE ARKETIPE
(Zanë Mali, “Kur dielli lind në bebëza”, Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan, 2024)
Shtëpisë botuese “Beqir Musliu” i shtohet edhe një libër me vlerë, kurse letrave shqipe edhe një autore premtuese. Fjala është për librin debutues “Kur dielli lind në bebëza” e poetes Zanë Mali.
Udha e një autori deri te libri, është jo gjithmonë e njejtë me udhën që ndjek lexuesi për të mësuar më shumë mbi formimin e atij autori. Sepse jo pak autorë janë formuar ende pa botuar libër, kurse libri është vetëm një konfirmim publik e estetik i një procesi krijues që ka ndjekur autori në heshtje dhe larg vëmendjes së publikut.
Kështu ka ngjarë edhe me autoren e librit “Kur dielli lind në bebëza”, poeten Zanë Mali, e cila vjen para lexuesit me një punë të sistemuar kreative , e shpërndarë në dy cikle poezish “Stina që më mori në prehër” dhe “Shtegtime nëpër rreze drite”, që janë edhe shtyllat e procedeut lirik të këtij vëllimi poetik. Prandaj cilësimi “libër i parë” jo gjithmonë duhet shikuar si një punë që domosdoshmërisht e vë në sprovë (mos)durimin e lexuesit për të testuar (pa)përvojen shkrimore të autores.
Me këtë libër, Zanë Mali jo vetëm që na tregoi se nga ka udhëtuar pasioni i kërkimit të saj krijues, por na e konfirmoi se të botosh libër, siç ishte dikur, duhet të jetë e barasvlefshme me një festë, jo vetëm personale, por edhe e një brezi të cilit ajo i takon. Paraqitjen e këtij libri duhet konsideruar si festë edhe për faktin se autorja ka insistuar që libri të jetë jo vetëm një aventurë personale krijuese, por edhe bashkëshoqëruese e një procesi komunikimi letrar, i cili kohët e fundit po degradohet në mënyra e trajta të ndryshme, si pasojë e një xhungle digjitale që po na servohet në ambientet tona private e publike.
Libri “Kur dielli lind në bebëza” është i ndërtuar sipas një plani paraprak krijues që autorja në rrugë e sipër i ka përzgjedhur krijimet më të arrira. Pritjet e lexuesit mund të jenë nga më të ndryshmet, por me këtë libër debytues Zanë Mali ka arritur të intrigojë kurreshjtjen e kritikës dhe të lexuesit, jo vetëm pse ajo paraqitet për herë të parë si autore libri, por edhe për faktin se artin e fjalës ajo arrin ta shtrijë si një pëlhurë , ku ritmi i fjalëve ndjek dinamikën e gjuhës së figurshme poetike, si në vargjet:
“Në arat e mia të gjelbëruara me grurë
përrockat e gëlltisin borën e munguar
shiun e përpijnë plasaritjet e thelluara”
(STINA QË MË MORI NË PREHËR)
Natyra-poezia-njeriu është trinomi i poetikës së brendshme mbi të cilin ndërtohet arkitekura e librit, kurse tërësia tematike e përmbajtësore lëviz në mes të intimes dhe konkretësisë së botës që e rrethon. Kjo është poezi me një dukshmëri të shumanshme figurative, ku imazhet e natyrës, tingujt e jetës, vibrimet intime, gërshetohen në harmoninë e emocionalitetit të rafinuar dhe refleksivitetit të çastit.
Në pjesën dërmuese të poezive dominion, siç do të thoshte Hygo “realiteti shqisor”, aty ku zhvillohet një proces kontrastiv i përjetimeve të subjektit lirik, përmes sinatgmës poetike të tipit “ëmbësisht më helmove”, ose te poezia “Shushurima e asaj gjuhe” ku mund ti kapim disa fije asociative të vargut përmes komponenteva eufonike dhe vizuele të ligjërimit poetik.
“Shushurima e asaj gjuhe
ma shkrin çdo qelizë ndijore
më zhvesh dhe nga mendimet vërshuese
përgjatë udhëtimit
për në virgjërinë e shpirtit të çiltër”
(“SHUSHURIMA E ASAJ GJUHE”)
Poezia e Zanë Malit synon të shkojë në anën tjetër të fjalëve dhe të prek sferën e heshtjes, përmes një energjie semantike që del nga hiri i figurave arketipe. Prej këtu ndoshta buron edhe ajo pyetja, “Idetë apo fjalët e krijojnë poezinë”, që e kishte shtyerë Malarmenë të konstatojë se poezia mbase është më e vjetër edhe se vetë gjuha.
Në librin “Kur dielli lind në bebëza”, të poetes Zanë Mali kemi një shkarkim energjish ku gjuha bëhet gati e padukshme kundrejt imazherisë që sjell poezia e kombinuar në mes të fjalëve edhe ideve të gërshetuara në syprinën e gjerë të intimitetit njerëzor.
Shkrirja e lirizmit në figura konkrete eksplikon gjendje të ndryshme shpirtërore ku “mishi” i fjalëve thyen “ashtin” e ndjenjave:
“frymëmarrja theu rekorde ofshamash
zemra mori funksionin e lukthit
përbiu një për një qelizat pa membranë
rrjedhja e citoplazmës kaotike dëftoi
pasionin e damarëve poetikë
për të shënjuar dritën e shenjtë”
(ME NURIN E ZANËS FLOKË ARI)
Bërthamat motivore të këtij libri e ndërtojnë tërësinë kuptimore të një lirizmi të hollë, ku poezia strukturohet si ballafaqim i brendshëm në mes të intimes dhe pulsimeve jetësore. Nëse i referohemi thënies së Rolan Bartit se poeti është mediumi që vetëm e bart poezinë nga ndonjë formë paraprake e të ekzistuarit, atëherë mund të konstatojmë se edhe poetja Zanë Mali poezinë e saj e ka bartur nga një realitet fiksional në një rrafsh empirik të kumtimit të gjërave. Prania paralele e kreativitetit për të shikuar në njërën anë botën e subjektit lirik me sytë e intimes dhe, në anën tjetër, për të vëzhguar rrjedhën spontane të gjërave konkret që i përshkojnë situatatat emocionale, përbën lidhjen e hollë të “fibrave” lirikë të poezisë së kësaj poeteje.
Metafora e ujit, e gjethit, e vjeshtës dhe ngjyrave të shumta të jetës shkrihen në harmoninë që e krijon lirika e dashurisë, e cila në të pamundurën gjen të vërtetën dhe në të përkohshmen gjen dehjen e të përjetshmes.
Gjuha poetike prodhon enigma, sipas Zherar Zhenet, por në poezinë e Zanë Malit enigmat janë më tepër të karakterit spiritual ku, kuptimësia e gjërave merr freskinë ripërtëritëse të figuracionit gjuhësor e stilistik.
Ndonëse në fillim të shtegtimti të saj krijues, Zanë Mali, megjithatë, në preokupimet e ardhshme krijuese do të gjejë hapësirë për një shtrirje më të gjerë të observimeve të saja poetike, duke e ngritur në një nivel edhe më lartë mjeshtrinë e të qenit në hap me kërkesat dhe diskurset estetike që imponon arti i fjalës.
Për ta përmbyllur, do të thoshim se akti i leximit të këtij libri, sugjeron qasje të nduarduarta dhe është një rast i mirë që me këtë vëllim poetik Zanë Mali ka nxitur kurreshjtjen për lexime e rilexime, dhe pas çdo leximi krijohet një përvojë e re receptive dhe estetike, siç mund ta ketë vetëm letërsia e mirë.
__________________
( E lexuar në Manifestimin poetik “Shpalime pranë vere”, më 22 qershor 2024, Rest “Frank’s Jouse, Viti )