(2LONLINE) – Në pemëtari, krasitja luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e një kulture, duke e bërë pemën, pas këtij procesi, më të zhvilluar dhe rrjedhimisht, më produktive. Krasitja – prerja e degëve të tepërta të cilat i marrin ushqimin pemës dhe nuk e lënë atë të zhvillohet mirë, sikundër edhe prerja e degëve të thata dhe formësimi i kurorës, luajnë rol të madh në aspektin produktiv.
Përveç arsyes produktive, të heqjes së degëve të panevojshme, krasitja ka rëndësi edhe në dhënien e formës së pemës, gjegjësisht rrumbullakimit të kurorës së saj, për ç’gjë, ndonjëherë, me gjithë dhimbjen, duhet hequr edhe ndonjë degë të mirë, krejt kjo, në funksion të formësimit të kurorës, e ndonjë tjetër më e vogël edhe mund të shkurtohet pak te majat, që t’u kufizohet pak aktiviteti.
Por, duke qenë që pemëtaria është një kulturë më e rrallë, këtë proces, shumica mund ta njohin edhe nga përvoja e tyre në kopshtari, posaçërisht tek kultivimi i domates. Janë disa degë, të cilat nuk japin fryte, por rriten mes trungut dhe degës kryesore frutore, madje zhvillohen më shumë se dega frutore, duke i marrë ushqimin dhe duke rrezikuar kështu frytin e saj. Heqja e këtyre degëve ndihmon zhvillimin e hovshëm të bimës dhe jep rezultatet e kënaqshme.
Një proces tjetër me rëndësi në zhvillimin e pemës, por shumë më delikat se krasitja është edhe shartimi, gjë të cilën e ka bërë PDK-ja përpara dimrit! Ky shartim po tregon shenja të mira në trungun e PDK-së, një sukses i cili është për t’u çmuar, duke qenë se shartimet jo çdo herë dalin me sukses, pasi kjo varet nga një sërë faktorësh, si: kushtet atmosferike, aftësia e shartuesit dhe po ashtu edhe nga delikatesa e sythit për t’u ambientuar në trungun e ri. Por në një trung të shëndoshë, edhe në një rast të kundërt, nuk ka vend për pesimizëm, pasi shartimi zakonisht mund edhe të përsëritet disa herë deri në arritjen e rezultatit të kërkuar. Siç thuhet në zhargonin popullor, ndonjëherë sythi nuk zen – thahet!
Folëm për krasitjen dhe për shartimin, por tek pema gjithashtu shfaqen edhe disa degë të reja, të holla dhe të drejta, që dalin nga trungu a nga degët e saj; nga rrënja ose nga kërcelli – varet nga lloji i pemës – degëza këto që njihen me emrat pip, filiz ose bisk. Tek misri, në disa zona, këta pipa i quajnë hardall – por jemi tek pema. Tash, këta pipa, dikush, duke e ditur se kanë dalë nga një pemë e mirë, do t’i marrë dhe të provojë t’i shartojë apo t’i mbjell si fidanë për të arritur një pemë, në këtë rast, nga lloji më i mirë, siç është PDK-ja, por pale – siç thamë – kjo është punë me delikatesë. Sidoqoftë, si kultivues me përvojë, nuk mund të urojmë për mossukses, sidomos për një lloj që synon të ardhmen duke trashëguar tiparet më të mira të prejardhjes.
Pema e madhe e PDK-së, ju garanton fryt të suksesshëm e me kapacitet të plotë edhe këtë vit, e këtyre filizave u urojmë që të zënë e të rriten dhe të japin cilësitë e pemës prej nga kanë dalë. Ju urojmë të japin lule që në vitin e parë, e fryte menjëherë prej vitit të ardhshëm!
Ilir Tahiri
/autori është anëtar i kryesisë së Degës së PDk-së, Gjilan/