Një pasqyrë e një monografie të vogël për veprimtari të shkurtër kohore
Nga: Zymber BESHTICA
/2L ONLINE/ – Pas viteve të nëntëdhjeta janë bërë një mori shkrimesh në lëmenj të ndryshëm, ka pasur dhe ka krahas krijimtarisë letrare artistike edhe publikime të tjera me tendencë shkencore. Me përjashtime të vogla të ndonjërit prej atyre shkrimeve, që janë bërë pa kriter e argumente shkencore, m e ngutje e patos subjektivizmi, pjesa më e madhe e tyre kanë zënë vend dhe do të jenë të përdorshme në hapësirën kulturore shqiptare.
Shkrimet për vendbanimet urbane e rurale, për figurat historike e kulturore, për institucionet tona etj. me qëllime të caktuara objektive, tashmë jemi të mësuar t’i quajmë me një emër – m o n o g r a f i. Një të tillë, sot e kemi edhe për institucionin arsimor më të ri në komunën tonë, me autorët:
Makfire Ismajli – Kurteshi, Shefik Shkodra, Shaban Terstena: «Shkolla e Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi” (1994/95 – 2014/15», në Gjilan.
Përkushtimi i autorëve në këtë shkrim për këtë shkollë është më pak voluminoz, ngase institucioni ka vetëm dy dekada prej kur është themeluar. Në kuadër të këtij jubileu na del një përshkrim i tërë veprimtarisë së kësaj shkolle që mbështillet brenda kopertinave të këtij libri.
Këtu po shfletojmë vetëm materialin si pasqyrë para lexuesve. Duke i paraprirë shënimi autorial në vend të hyrjes, në vijim të librit na paraqitet edhe historiku me të dhëna të plota,për krejt aktivitetin arsimor e pedagogjik, qe nga themelimi I shkollës e deri në ditët e sotme. Dhe ky shkrim është emëruesi që tregon bazën institucionale. Me renditjen e këtij historiku të njëzet vjetëve të jetës së saj, na dëftohen figurat e njohura në themelimin e saj, personelin mësimdhënës, ngarendjet prej një lokali në tjetrin, në mungesë të lokalit të vet deri më sot. Pra, që nga themelimi nga një Këshill iniciues, kur edhe është themeluar më 1994.
Pra, i gjejmë paralelet e para të nxënësve me kujdestarët e klasave. Më tej ,kemi numrin e nxënësve, që janë një regjistër i gjatë, të cilët e kanë kryer këtë shkollë me profile të ndryshme. Edhe një regjistër tjetër i nxënësve, të cilët i kanë kryer studimet, e që janë kthyer në të njëjtën shkollë për të shërbyer si mësimdhënës, po thuaj në shumicën e lëndëve profesionale. Shumë prej tyre edhe me shkallën e tretë, të specializuar, të punësuar nëpër institucionet shëndetësore në vend, por edhe një pjesë në botën e jashtme. Dhe s’do mend se këta regjistra janë indikatori më i mirë për këtë shkollë njëzetvjeçare dhe veprimtarinë e saj.
Përkujdesja e autorëve në vijim del me një regjistër shumë me rëndësi edhe për mësimdhënësit me shënime të shkurtra, qoftë për ata që ishin të përkohshëm e deri te pjesa që ka mbetur ende në procesin mësimor në këtë shkollë. Nënvizimet janë bërë edhe për ata që janë pensionuar. Por shënime do të gjejmë edhe për vdekjet, sikur ishte rasti me prof. Ruzhdi Ismajlin, i cili ishte drejtor i parë i kësaj shkolle, Shaban Gashin (Maloku), pedagog, e i cili ishte që nga themelimi i kësaj shkolle. Shënimet do të shihen edhe për mjekun e njohur, Asllan Elezi, me emrin e të cilit u emërtua kjo shkollë.
Në këtë monografi do të gjejmë edhe shënime për mësimin praktik të këtyre nxënësve të kësaj shkolle profesionale. Në fillim vetëm nëpër ordinanca private, pasi Serbia e kishte bërë uzurpimin dhe përjashtimin nga sektori publik për mësimin në gjuhën shqipe. Në vitet e pas luftës, praktika nisi të realizohet edhe në ato publike, si në Spitalin rajonal të Gjilanit. Nuk kanë mbetur pa u shënuar edhe udhëheqësit mësimdhënës për praktikën. Por, shënimet tregojnë, se këta nxënës kanë vizituar edhe institucione e ndërmarrje prodhuese, qoftë të lëndës farmaceutike, por edhe të përpunimit të ujit e lëngjeve nga pemët, etj.
Një pjesë e konsiderueshme e faqeve të këtij libri i janë përkushtuar jetës kulturore e sportive. Dhe kjo tregon qartë se, veprimtaria kulturore e rinisë shkollore është zhvilluar kudo e kurdoherë, do të thotë, në çfarëdo kushtesh e rrethanash që kanë ndodhur.
Bie fjala seksioni i grupit letrar, me emrin e doajenit të letërsisë shqiptare Esad Mekuli, ishte mjaft aktiv. Për këtë edhe nxori disa numra të fletushkës me punimet e tyre. Me këtë ilustrojnë punën e kësaj shkolle në këtë lëmë. Këta nxënës në këtë seksion ishin aktivë edhe me shfaqjen e recitaleve dhe pjesëve të shkurtra dramaturgjike. Organizoheshin edhe orë letrare me konkurrencë.
Këtu do të gjejmë edhe kuizin e diturisë dhe gjithashtu shpalljen e nxënësit/ses më të mirë…
Për seksionin muzikor, nuk mbetet pa u shënuar edhe talenti dhe aftësia e këtyre të rinjve, me këngë e valle, por edhe me ekzekutimin e melodive të ndryshme me vegla muzikore. Të gjitha këto u bënë me një vullnet e bashkëpunim me arsimtarët e Gjuhës dhe të letërsisë. Edhe për këtë ekzistojnë shënimet.
Duke iu falënderuar edhe mësimdhënësve të lëndës së Edukatës fizike, nga shënimet e kësaj shkolle nuk mungoi edhe paraqitja e veprimtarisë sportive. Pra, më tutje në këtë libër do të gjejmë edhe garat në lojëra, si futboll, volejboll, madje edhe nxënësit e dalluar, me pjesëmarrje në klube aktive të qytetit, etj. Garat shihet se janë mbajtur me arritje shumë profesionale. Është zgjedhur klasa fitimtare për vend të parë, të dytë etj.
Për të gjitha aktivitetet kulturore e sportive, në këtë tekst shihet se me vlerësimin e jurive, nxënësit, por edhe arsimtarët nuk kanë mbetur pa u shënuar me ndonjë mirënjohje nga drejtoria.
Në ndonjë faqe të këtij libri do të gjejmë edhe veprime humanitare të këtyre nxënësve, si p. sh. dhënia e gjakut për nevoja shëndetësore, etj.
Në pikëpamje gjuhësore, teksti është i shkruar sipas drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Nuk ka ndonjë stil të veçantë, sepse kjo është natyra e tillë e vet tekstit. Reduktimet e biografive dhe shënimeve të tepërta janë bërë në shkallën e duhur. Në pikëpamje metodologjike, në këtë pasqyrë të këtij teksti, ka mundur të renditen në radhë mësimdhënësit sipas alfabetit, por edhe sipas moshës. Megjithatë, edhe kështu është bërë një punë mjaft e dobishme edhe për të ardhmen e kësaj shkolle. Mendojmë se, lexuesi edhe në këtë mënyrë nuk do të hasë në vështirësi për gjetjen e pikave të interesimit.
Këtu duhet të përmendim gjithsesi, prof. Makfire Ismajli – Kurteshi, Shaban Terstena, drejtor i shkollës, si dhe prof. Shefik Shkodrën, për punë të palodhshme në mbledhjen dh e përpilimin e këtij materiali.
Besojmë, se nuk ka mbetur diç pa u përfshirë në këtë monografi. Për shmangiet dhe gabimet e rasteve, apo lëshimet për shkaqe objektive, do t’i pranojmë kritikat dhe sugjerimet, dhe në të ardhmen këtij shkrimi t’i shtohen për ta plotësuar e për ta rregulluar tërësisht. /2L ONLINE/
