/2L ONLINE/ – Tani mundësitë për të ofruar ngjarje të mirëfillta kulturore, argëtim e kënaqësi të vrullit rinor, mundësi për t’u shpërfaqur talenti, dhe vlerat artistike e më tepër… janë të shumta. Por, dikur, mundësitë ishin të vogla, por vullneti nuk mungonte, dhe mjaftonte ndonjë lokal i vogël, ndonjë bilardo, ndonjë hapësirë ku mund të organizoheshin mbrëmje të ndryshme, ku para se gjithash dëgjohej muzikë e mirë, në veçanti muzika rock,. dhe ai vend do të gumëzhinte nga të gjithë ata dashamirë të vlerave artistike të kohës.
Dhe, në Gjilan ishin disa vende të tilla që të ngjallin përherë nostalgji për të kaluarën, por edhe krenarinë që vazhdojnë tutje në atë frymë. Asdren Agushi, gazetar, pronar i Radio Energji, ka emocionet e tija sot, duke përkujtuar një nga ato vende, që është lokali, Bilardo Club “Verona”. Këto emocione të tija ndërlidhen edhe me faktin se ai vend sot po e kremton 25 vjetorin e punës
Agushi thotë se ishte vend, ku gjilanasit i kaluan deri me sot të gjitha muhabetet e veta. Artistë, sportistë, biznesmen, politikanë, nxënës shkolle e studentë dhe miq të ndryshëm nga të gjitha anët e Kosovës, të cilët e kishin nj adresë në Gjilan, për një kafe të mirë, për të vazhduar me ndejat e mira miqësore, atraktivitetin në lojën e famshme botërore të Bilardos, shërbimin jashtëzakonisht të mirë, atmosferën e këndshme si dhe kapakun e të gjithave muzikën e përzgjedhur të Rock-ut.
“Bilardo Club “Verona” u hap në vitin 1991 për të qenë jo vetëm një klub për vizitorët e rastit, por për të qenë një vend të cilin do ta frekuentojnë dashamirësit e kulturës ne këtë qytet. Kështu “Verona” arriti qëllimin e vet që të shndërrohet në një lokal ku vlerat artistike dhe qytetare të Gjilanit të ngritën shumë më shumë se sa do të mund të bënte ndonjë organizatë apo shoqatë në ngritjen e këtyre vlerave. Urime Biliardo Club “Verona” në 25 vjet funksionim. Urime 25 vitet e argjendta”, ka uruar Agushi. /2L ONLINE/