DYLON

Një nismë e mirë nuk duhet të shndërrohet në konflikt të ri

Një nismë e mirë nuk duhet të shndërrohet në konflikt të ri
Redaksia

Shkruan: Suzana Demi

Më vjen keq që debati për orarin e mësimdhënësve po e largon vëmendjen nga problemet e vërteta të arsimit.

EkoHigjiena

Respekt dhe mirënjohje për nismën e ministrit Hajrullah Çeku për të dëgjuar mësimdhënësit, SBASHK-un dhe ekspertët e fushës. Shpresoj se ky debat do të sjellë ide të reja dhe zgjidhje konkrete për përmirësimin e arsimit.

Dialogu duhet të vazhdojë edhe kur ka mospajtime. Nuk duhet të kthehet në konflikt. Mësimdhënësit nuk janë pengesë për reformën. Ata duhet të jenë pjesë e saj.

Por, para se të kërkohet që mësimdhënësi të qëndrojë tetë orë në shkollë, duhet shtruar një pyetje të thjeshtë:

Për çfarë të qëndrojë mësimdhënësi tetë orë në shkollë, nëse nuk i ka kushtet për të punuar?

Nëse kërkohet që mësimdhënësi të qëndrojë 40 orë në javë në shkollë, atëherë duhet të investohet në infrastrukturë, në mjete pune, në teknologji, në kabinete e laboratorë. Duhet të ketë hapësira ku mësimdhënësi mund të përgatisë projekte, materiale mësimore dhe aktivitete që e bëjnë mësimin më të kuptueshëm e më tërheqës për nxënësit.

Nuk mjafton një tavolinë, një fletore dhe një laps për të dëshmuar se po bëhet reformë në arsim!

Pra, nuk mund të kërkohet më shumë nga mësimdhënësi, pa i ofruar kushte më të mira pune.

Pastaj shumë e rëndësishme është edhe paga e arsyeshme dhe dinjitoze. Përkushtimi ndaj profesionit nuk duhet të nënkuptojë sakrificë të përhershme ekonomike.

Nuk jemi kundër qëndrimit tërëditor të nxënësve në shkollë. Përkundrazi, do ta përkrahim një model të tillë nëse është i menduar mirë.

Por shkolla tërëditore kërkon kushte, aktivitete, hapësira të përshtatshme dhe ushqim për fëmijët gjatë ditës. Nuk mund të zgjatet vetëm orari dhe të quhet reformë.

Prandaj, le të ulemi të gjithë në një tryezë. Institucionet, SBASHK-u, mësimdhënësit, prindërit dhe ekspertët e arsimit. Le të flasim për problemet e vërteta dhe për zgjidhjet që i duhen shkollës sonë.

Kjo qasje e mirë e ministrit Çeku për takimet e radhës, na bënë edhe më të fortë në kërkesat tona të kohës:

Investoni më shumë në arsim.

Krijoni kushte të mira pune.

Vlerësoni mësimdhënësit dinjitetshëm, sipas punës dhe rezultateve që arrijnë.

Stimuloni arsyeshëm të gjithë e sidomos ata që punojnë më shumë dhe tregojnë performancë më të mirë.

Sepse prania fizike në shkollë nuk është e njëjtë me cilësinë e punës.

Nuk mund të ndërtojmë shkollën e së ardhmes me kushtet e së kaluarës!

Arsimi ka nevojë për vizion, investime dhe respekt për mësimdhënësin. Vetëm kështu mund të presim rezultate më të mira nga nxënësit tanë. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.