Një muaj homazh në kujtim të 70-vjetorit të masakrës së madhe të Gjilanit
(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka bërë me dije se nga 22 dhjetori deri më 22 janar do të jetë një muaj i përkujtimit, homazhit dhe përkuljes në kujtim të 70-vjetorit të masakrës së madhe të Gjilanit ku kanë humbur jetën 8 mijë qytetarë.
Haziri tha se në 70 – vjetorin e masakrës së Gjilanit nga data 22 dhjetor deri më 22 janar Gjilani do të shënon aktivitete homazh.
“Ditët përkujtimore për mijëra qytetarë që nga ndëshkimi i ekspeditës së brigadave komuniste, në kohën kur gjithë bota dhe Europa, pritën ndryshime dhe lirinë e popujve, qyteti i Gjilanit ka humbur mbi 8 mijë qytetarë. Është masakra më e madhe në këtë pjesë të këtij regjioni, ku kanë humbur jetën intelektualë të kohës të cilët luftuan për lirinë e vendit. Nga kjo masakër nuk u kursyen as të moshuarit, gratë dhe fëmijët”, tha Haziri.
Haziri ka deklaruar se edhe sot e asaj dite kemi mijëra të zhdukur që nuk u dihen as varret, dhe nuk dihet ku i kanë shenjat. Sipas tij, Gjilani duhet të gjunjëzohet dhe duhet t’i nderon në këtë muaj me aktivitete homazhe, akademi, përkujtime duke pritur edhe mysafir gjatë këtij muaji.
“Flaka e Janarit i dedikohet 70 vjetorit të masakrës, por ne do të angazhohemi maksimalisht që përkujtimi ndaj kësaj date të shënuar dhe përkujtimi ndaj këtyre familjeve që kanë pasur të humbur, të jetë nivelin e meritueshëm. Në Gjilan nuk mund të gjendet asnjë familje që nuk e ka së paku një të humbur në këtë periudhë. Kjo tregon qartë për rolin tonë, të Komunës së Gjilanit në këtë periudhë kohore të Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë kryetari Haziri. /2L ONLINE/
Foto: Gjilani dikur
https://kk.rks-gov.net/gjilan/City-guide/Galeria/Qyteti-dikur.aspx
