/2L ONLINE/ – Se interesimi për ruajtjen e vlerave të traditave tona shqiptare, gjithnjë e më shume është duke u rritur, u pa edhe gjatë implementimit të projektit: ”Evidentimi i koleksionueseve privat”, nga QRTK e Gjilanit: Pra, në kuadër të këtij projekti, QRK-Gjilan, ka hulumtuar shumë koleksionues në komunën e Dardanës të cilët kishin ruajtur eksponate etnografike dhe arkeologjike nga më të ndryshmet, e disa kishin krijuar edhe muze të vogla në objekte private dhe publike.
Një përkujdesje dhe interesim, për ruajtjen e traditës, e kanë shfaqur edhe banorët e Shipashnicës së Epërme, duke grumbulluar eksponate të ndryshme dhe duke i vendosur në ish Mejtepin e fshatit.
Pas shoqërimit që na bëri Selman Rifat Dërrmaku deri në mejtep dhe i cili na njoftoi edhe me eksponatet e vendosura aty, takuam edhe Selman Shaqir Dërrmakun një aktivist i devotshëm cili kishte punuar në diasporë. (Si për koincidencë, edhe personi tjetër që interesohej për vlerat e trashëgimisë, quhej me emrin Selman, sikurse edhe me mbiemrin Dërrmaku, ngase e tërë Shipashnica e Epërme mbajnë këtë mbiemër.
Selman Shaqir Dërrmaku disa herë kishte grumbulluar mjete materiale për rregullimin e fshatit aty ku ishte nevoja. Në kuadër të kësaj, kishte organizuar grumbullimin e mjeteve materiale edhe për rregullimin e objektit për ruajtjen edhe ekspozimin e vlerave etnografike. Këtë na e tha vetë ai, sikurse e pohoi edhe profesori i Gjuhës Shqipe, Mumin Dermaku.
Dhe tani në këtë objekt, përkatësisht, në hapësirat e ish mejtepit gjenden shumë artefakte etnografike dhe disa ekzemplarë librash, të cilat i kishin sjellë banorët e fshatit dhe më gjerë.
Ne hyrje të objektit të Mejtepit, i cili është pranë xhamisë së fshatit, është vendosur koshi i punuar me mjeshtri me thupra në formë të bistakut. Vegla të punës, enë të ndryshme, vegla bujqësore, vegla për endje etj. gjendeshin në hapësirën e brendshme të mejtepit, jo me një radhitje të rregullt, pasi ende nuk ishte pajisur me inventar të nevojshëm.
Ne mesin e shume eksponateve ishte edhe: mokra, e cila ishte rregulluar në atë mënyre, sa që kishte mundësi të bluajë drithin edhe sot me forcën e dorës. Pastaj parmenda, kutulla, korubja, mulli kafeje, gaforrkë për tjerrjen e konopit, dybek, sharrë për prerjen e trupave, luga e ujemit, zgjedha, kaca, tpi, tpi me çark, kutlica e mullirit, shkop tupani, katullaqe, nallane tekerdia, kmesa, pehar për miell, gërryes e lugut të mullirit, turjelë për kavalle, fërtele, zdruktha, kompas druri, sharrë dore, pjekëse e kafesë, verigë, vegla nallbani, aleme, kërhanë për konop, drugëza e vekut, pirajka etj. etj. Ishin këto eksponate që kishin sjellë banoret e fshatit e me gjerë, për të cilët, ishte i interesuar shumë, siç thamë edhe me lartë aktivisti Selman Shaqir Dermaku.
Këto dhe evidentime tjera, që është duke i bërë QRTK e Gjilanit, janë në kuadër të projektit të MKRS-së: “Evidentimi i koleksionuesve privat në komunën e Dardanës (Kamenicës)“. /Ismet TAFILI- zyrtar i QRTK-së, Gjilan/