Libri është i mirë vetëm atëherë kur autori e paraqet vetëm atë që duhet dhe ashtu siç duhet. (Aristoteli)
/Vështrim lidhur me librin e Mr. Enver Sadikut “Gjilani me rrethinë gjatë luftrave ballkanike 1912-1913” /
Shkruan: Dr. phil. Selim Sylejmani
/2L ONLINE/ – Libri solid për nga përmbajtja, tejet i “lexueshëm” i Enver Sadikut “Gjilani me rrethin gjatë luftërave ballkanike 1912 -1913”, kushtuar ngjarjeve, të cilat ndonëse të trajtuara nga autorë të ndryshëm, janë akoma një pjesë tejet e “errët” e historisë së kësaj treve gjatë luftërave ballkanike, është kontribut i çmuar dhe origjinal në fushën e historiografisë kosovare.
Libri ofron një pasqyrë mbi tërësinë e ngjarjeve tejet të rëndësishme për këtë pjesë të trojeve shqiptare në një periudhë relativisht të shkurtër, por shumë të rëndësishme kohore.
Duke prezantuar dëshmi të shumta historike, nga burime të shumta relevante, autori i ofron përfundime logjike lidhur me ngjarjet dhe personalitetet e shquar të kësaj kohe.
Në këtë libër unik dhe interesant, autori rrëfimin e vet për luftërat ballkanike e ka ndarë në pesë pjesë të mëdha. Në pjesën e parë, me titull “Gjilani me rrethinë në Kryengritjen e përgjithshme antiosmane të vitit 1912”, trajtohet ngjarjet që i paraprinë kryengritjes së përgjithshme, përgatitjet për kryengritje, masat e ndërmarra dhe sensibilizimi i popullatës për rëndësinë e kryengritjes, që ndikuan për krijimin e konditave dhe ambientit për ngjarjet pasuese.
Në kapitullin kushtuar “Marrëdhënieve ndërkombëtare para Luftës së parë ballkanike”, autori na kthen në gjendjen e vështirë të perandorisë osmane, aktivitetet e njohura luftarake dhe betejat, si ajo e Kumanovës, Bitolit, të cilat në fund, pas epsh shekujsh, shkaktuan dëbimin përfundimtar të osmanëve nga trojet e Ballkanit. Në këtë tërësi zgjon kureshtje analiza e qëndrimit të fuqive të mëdha ndaj krizës ballkanike
dhe ndaj aleancave “të fshehta” midis vendeve sllavo-ballkanike. Në epiqendër të pjesës së tretë të titulluar “Gjilani me rrethinë gjatë luftës së parë ballkanike”, janë synimet serbe për përfitimin e popullatës shqiptare të kësaj ane në favor të qëllimeve vetjake; përgatitja e popullatës së Gjilanit për luftën mbrojtëse; mobilizimi i forcave serbe dhe qëndresa e shqiptarëve, sidomos në kufi, nën komandën e Idriz Seferit. Kapitulli i katërt titullohet “Pushtimi i Gjilanit nga ushtria serbe”, e Kumanovës, si dhe Gjilanit nga ushtria serbe”, me ç’rast vlen të theksohet pjesëmarrja e gjilanasve në betejën e Kumanovës, si dhe dhuna e terrori i serbëve ndaj popullatës civile shqiptare dhe vendosja e administrimit ushtarak si ndëshkim për rezistencën anti-serbe.
Në pjesën e pestë dhe të fundit të librit me titull “Gjilani me rrethinë në luftën e dytë ballkanike”, duke pasqyruar rrethanat politiko-shoqërore para luftës, veprimet e dyanshme gjatë betejës, si dhe ato pas saj; shpërngulja e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike dhe kolonizimi i vendbanimeve të lëna shkret me kolonë serb.
Vlen të theksohet se të gjitha këto të dhëna janë mbështetur me burime relevante historike, madje nga ato serbe, që nuk lë vend për dyshim.
Kjo periudhë e shkurtër kohore “është përplot me ngjarje të rëndësishme” (siç do të shprehej autori), është bërë përpjekje për të hedhur dritë në rezistencën mbarëpopullore shqiptare në Gjilan dhe rrethinë. Ishte kjo koha e rëndësishme historike e shpalljes së “mëvetësisë” së Shqipërisë, por edhe periudhë e vështirë e formave të ndryshme të dhunës, si vrasjeve, terrorit dhe dëbimit të shqiptarëve nga trojet etnike.
Aspiratat e shqiptarëve nuk gëzonin mbështetjen e fuqive të mëdha, kështu që fqinjët sllavë, nën maskën e dëbimit të osmanëve nga viset e Ballkanit, synonin copëtimin e trojeve shqiptare dhe kolonizimin e tyre me serbë. Duke qenë të ndërgjegjshëm që atdheu mbrohet në kufi, shqiptarët vullnetarë (6000 burra), luftuan trimërisht dhe arritën ta ndalin marshimin e armatës së tretë serbe, synim i cilës ishte Shkupi.
Duke qenë se ishin shumë më të përgatitur ushtarakisht, serbët megjithatë arritën ta pushtojnë Gjilanin dhe filluan të ushtrojnë terror të paparë ndaj popullatës shqiptare, me ç’rast u dogjën fshatar të tërë dhe i vranë shumë shqiptarë.
Duke mos gjetur rrugëdalje tjetër nga persekutimi dhe dhuna serbe, shumë nga shqiptarët e Gjilanit dhe rrethinës, zgjodhën rrugën e dhembshme të shpërnguljes për në Turqi, duke lënë trojet stërgjyshore, por të cilat i banuan nga kolonë serbë e malazez.
Autori, me të drejtë besoj unë, nuk ndërhyn për të ‘zbukuruar’ ngjarjet historike, por i paraqet ato sipas burimeve relevante, shpesh duke i krahasuar me burime të tjera të autorëve të tjerët dhe duke na lënë neve (lexuesit) të nxjerrë përfundime adekuate. Origjinaliteti i autorit të librit shpërfaqet në shfrytëzimin e burimeve sllave të kohës, duke bërë që ngjarjet të trajtohen në mënyrë të drejtë, pa romantizëm kombëtar dhe folklorizëm të ekzagjeruar, siç ishte zakon deri më tani.
Do të kisha dashur që autori të kishte shtuar një nënkapitull të titulluar “Kur historia gënjen”, ku në mënyrë të përgjithësuar do të krahasoheshin ngjarjet e prezantuara me ato të mësuara në tekstet e historisë dhe nga disa “historianë” mozo-ma-keq!
Atëherë çfarë çështje ka trajtuar autori?
Në libër në mënyrë analitike janë trajtuar temat: Kryengritja e përgjithshme antiosmane dhe çlirimi i Gjilanit; Qëndrimi i fuqive të mëdha lidhur me krizën ballkanike; Synimet e serbe për përfitimin e shqiptarëve të Gjilanit me rrethinë; Shqiptarët e Gjilanit në mbrojtje të kufirit; Pushtimi i Gjilanit nga ushtria serbe dhe dhuna e terrori serb ndaj popullatës civile; shpërnguljet e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, të orkestruara nga Serbie dhe nën mbylljes sy të fuqive të mëdha.
Me gëzoi prezantimi i paanshëm i historisë, sepse deri më tani popullata e Anamoravës në çdo shkrim ka zbuluar “fakte të reja” të historisë së kësaj ane.
Nëse vështrohet nga pikëpamja e një lexuesi të zakonshëm, libri është mjaft i mirë. në radhë të parë ngase me një gjuhë të qartë, në një tërësi të vogël, rrëfehet për historinë e kësaj treve gjatë luftërave ballkanike. Në prezantimin e tij autori i përmbahet kronologjisë gjë që mundëson pasqyrimin e plotë dhe të detajuar të ngjarjeve të rëndësishme të kohës.
Lidhur me përmbajtjen.
Autori temën e trajton nga pikëpamja e historisë, prandaj nuk ka mundur të anashkalojë implikimet politike, ekonomike e ideologjike të cilat janë prezantuar në mënyrë mjaft të saktë.
Sa i përket gabimeve, të cilët në shkrime të tilla i hulumtojnë (dhe zbulojnë) “shkencëtarët e fortë”, më duhet t’i zhgënjej. Ato janë aq të paktë dhe aq të parëndësishëm, sa s’ka kuptim të përmenden, sidomos në këtë lloj të shkrimit prezantues, të shkruar nën ndikim të përshtypjeve të para, akoma të ngrohta, nga leximi i librit të z. Sadiku.
Libri i është dedikuar një rrethi të gjerë të lexuesve, të cilët i intereson historia e Anamoravës në përgjithësi dhe periudhës së luftërave ballkanike në veçanti. Ai mund të jetë joshës për dashamirësit e historisë, por edhe burim relevant për historinë e Gjilanit dhe regjionit në tërësi …
Përshtypja e përgjithshme lidhur me librin është tejet pozitive. Libri është i dobishëm për të gjithë ata që dëshirojnë të mësojnë të vërtetën “lakuriqe” për zhvillimet historike të kësaj treve gjatë periudhës së luftërave ballkanike.
Kërkoj ndjesë nga lexuesi eventual nëse këtë shkrim e kupton si “panegjirik” për një person, por thjeshtë ka kohë që nuk kam hasur një material kaq përmbajtjesor dhe interesant historik, si në këtë libër. /2L ONLINE/