Ilir Ikonomi: “ESAT PASHË TOPTANI. Njeriu, lufta pushteti” – Botoi Universiteti Europian i Tiranës – Shtëpia Botuese Universitare “UET Press”, Tiranë, 2016.
Shkruan: Sinan SADIKU
Këto ditë e lexova librin “Esat Pashë Toptani. Njeriu, lufta pushteti” të autorit Ilir Ikonomi, një libër voluminoz me 574 faqe të formatit 16.5 me 23.5 centimetra. Autori që në fillim të librit ka theksuar se atë e ka shkruar me qëllim që lexuesit t`i ofrojë sa më shumë fakte, dokumente, shkrime nga arkivat e Austrisë, Italisë, Francës, Serbisë … në mënyrë që të krijohet një portret sa më real mbi Esat Pashë Toptanin dhe veprimtarinë e tij e të mos shikohet vetëm përmes ngjyrave zi e bardh, si “mercenari që e shiste atdheun për një grusht para” , apo si “pragmatisti që refuzonte të bëhej shërbëtorë i të huajit”. Libri është i shkruar me një gjuhë të rrjedhshme, ndërsa ngjarjet zhvillohen si në një roman me shumë personazhe, që të gjithë figura historike. Duke e lexuar librin lexuesi jo vetëm që mëson për ngjarjet historike të cilat lidhen me Luftën e Parë Ballkanike dhe pasojat e sajë për shqiptarët, me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, me Luftën e Parë Botërore etj, por e krijon një pasqyrë të gjallë për gjithçka që ka ndodhur në Shqipëri dhe rreth sajë gjatë asaj kohe. Realisht libri është një histori mjaft e kompletuar e Shqipërisë prej vitit 1912 deri në vitin 1920. Personazh kryesor i librit, pra është Esat Pashë Toptani, por personazhe episodike, kalimtare janë edhe disa nga figurat më të shquara kombëtare që e kanë qeverisë Shqipërinë, (duke qenë kryeministra, ministra, deputetë…) prej vitit 1912 deri në kohën kur pushtetin e kanë marrë komunistët. Dihet Shqipëria gjatë kohës sa ka vepruar Esat Pashë Toptani ka kaluar nëpër momente dramatike, shpeshherë duke qenë në rrezik të fshihet nga faqja e dheut. Si janë gjetur disa nga figurat më të shquara kombëtare gjatë atyre momenteve, muajve, viteve lexuesi e gjen në këtë libër. E kam fjalën për figura të tilla si: Ismail Qemali, Syrja Bej Vlora, Myfid Bej Libohova, Aqif Pashë Elbasani, Faik Konica, Mehmet Konica, Turhan Pashë Përmeti, Prenk Bibë Doda, Mehdi Frashëri, Imzot Luigj Bumçi, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Mid`hat bej Frashëri, Sulejman Delvina, Ahmet Zogu, Aziz Vrioni, Isa Boletini, Bajram Curri, Prenk Doçi, Abdi Bej Toptani, Hamdi Bej Toptani, Nikollë Kaçorri, Eqrem Bej Vlora, Mustafa Merlika Kruja… Një pjesë e mirë e këtyre personaliteteve një kohë më të gjatë apo më të shkurtër kanë bashkëpunuar me Esat Toptanin, ca nga të cilët madje janë vënë në anën e tij si kundërshtar i Ismail Qemalit.
Nuk ka asnjë dilemë se gjatë pushtetit komunist shumica e personaliteteve historike janë portretizuar vetëm përmes dy ngjyrave: bardh e zi. Kur është shkruar mirë për dikë janë paraqitur vetëm anët e ndritshme të tij shpesh duke u zbukuruar e idealizuar, sikur të mos ishte qenie njerëzore po të ishte hyjni dhe e kundërta. Në realitet disa nga njerëzit janë më të mirë, më të ndershëm, më të aftë, më atdhetarë se të tjerët. Pra ka dallime porse, të gjithë njerëzit kanë edhe dobësi e kufizime të lloj-llojshme sikurse që kanë veti të mira ata të cilët gabojnë në momente të caktuara. Thënë shkurt e shqip të gjithë njerëzit kanë veti të mira e të këqija, por te disa janë më të shumta vetitë e mira e te disa vetitë e këqija.
Të shohim ku e rendit Esat Pashën Ilir Ikonomi? Te Esati ai sheh veti të mira, të këqija dhe të balancuara, po në përgjithësi e sheh si njeri të ekuilibruar te i cili madje dominojnë vetitë e mira. Pra nuk e rendit në mesin e tradhtarëve, nganjëherë duke i minimizuar veprat e tij në dëm të atdheut, duke i zmadhuar veprat e tij atdhetare dhe duke ia falur gabimet të cilat i sheh të kushtëzuara nga rrethanat e vështira historike në të cilat ka vepruar.
MBROJTJA- DORËZIMI I SHKODRËS
Dihet që Esat Pasha ua ka dorëzuar Shkodrën malazezëve, pas një lufte e cila ka zgjatë 183 ditë. Ushtria e Perandorisë Osmane kishte pësuar disfatë pas disfate në të gjitha frontet nga ushtritë e Aleancës Ballkanike, ndërsa Shkodra e rrethuar nga ushtritë malazeze dhe serbe, rezistonte, nuk dorëzohej. Shkodrën e mbronte Korpusi ushtarak otoman i Shkodrës i komanduar nga Hasan Rizai dhe vullnetarët e rezervistët shqiptarë, një pjesë e mirë e të cilëve ishin mobilizuar nga Esat Pasha. Realisht komandant i shtabit që e mbronte Shkodrën ishte Hasan Riza Pasha, ndërsa nënkomandant Esat Pashë Toptani. Tashmë dihet që me porosinë e Esat Pashës, më 30 janar 2013, është shtënë me armë në Hasan Riza Pashën i cili ka ndërruar jetë ditën e nesërme. Autori i librit këtë ngjarje e lë disi të mjegulluar, me dilemën në e ka organizuar dhe porositur vrasjen e tij Esat Pasha, apo jo? Pra ai i cili i beson librit në tërësi nuk mundet ta përjashtojë mundësinë që vrasjen e Hasan Rizait ta ketë organizuar dikush tjetër dhe jo Esati. Të shohim çka shkruan Wikipedia në gjuhën angleze : “Më 30 janar 1913, Riza Pasha u pritë dhe u vra nga Osman Bali dhe Mehmet Kavaja, dy shërbëtorë shqiptarë të Esad Pashës, kur ai u largua nga shtëpia e Esadit pasi kishte ngrënë me të. Riza Pasha donte ta vazhdonte mbrojtjen e qytetit të rrethuar, por Esad Pasha donte të vazhdonte negociatat e tij të fshehta me Malin e Zi, të cilat u kryen nëpërmjet këshillës së Rusisë në Shkodër. Plani i Esad Pashës ishte t’ia dorëzonte Shkodrën serbëve dhe malazezëve si çmim për mbështetjen e tyre në përpjekjen e tij për të shpallur veten Mbreti i Shqipërisë”.
Autori i librit i cili e lë të hapur dilemën në e ka organizuar vrasjen e Hasan Rizait Esat Pasha, duke besuar edhe vet se megjithatë Esati qëndron pas asaj vrasjeje, një hapësirë të gjerë në libër ua kushton motiveve që e kanë nxitur Esatin ta bëjë atë. Tashmë ishte nënshkruar armëpushimi midis palëve ndërluftuese: Perandorisë Osmane dhe Aleancës Ballkanike dhe midis tyre kishin filluar bisedimet për kushtet e paqes të cilat mbaheshin në Londër. Në Londër zhvilloheshin edhe bisedimet midis fuqive të mëdha të cilat ishin pajtuar për njohjen e Shqipërisë, por jo edhe rreth kufijve të saj. Hasan Rizai, sikurse edhe Esat Pasha ishin të informuar mbi rrjedhën e ngjarjeve. Komandanti turk kishte biseduar me të gjithë faktorët relevantë të Shkodrës me rrethinë dhe ishte vendosur që me 1 shkurt 1913 të ngritej flamuri shqiptar në Kalanë e Rozafës dhe në disa pika të tjera të qytetit. Ngritja e flamurit shqiptar do të bënte që luftës kundër malazezëve t`i bashkëngjiteshin në masë edhe shqiptarët katolikë të viseve përreth, duke i përfshirë edhe malësorët të cilët do të luftonin për mbrojtjen e Shqipërisë.
Autori i librit i analizon disa prej arsyeve të cilat i kanë motivuar porositësit dhe organizatorët e vrasjes ta kryejnë atë. Njëra prej tyre të cilën e sforcon është se Hasan Rizai me marrëveshjen për ngritjen e flamurit shqiptar ka dashur që t`i motivojë për luftë masive kundër malazezëve shqiptarët katolikë dhe pas një ofensive kundër malazezëve ta çajë rrethimin , të ikë me ushtarët turq dhe mbrojtjen e Shkodrës t`ua lerë vetëm shqiptarëve. Pas daljes nga rrethimi ushtarët do të rezistonin gjithnjë derisa të arrinin në territorin që e kontrollonte Perandoria Austro-hungareze . Kushdo që i ka studiuar rrethanat e asaj kohe e di se çarja e rrethimit, edhe po të bëhej, do të kushtonte me humbjen e së paku dy të tretave të ushtrisë, vetëm për qarje të rrethimit, ndërsa edhe pjesa e mbetur e sajë do të shpartallohej me lehtësi. Hasan Rizai ka qenë një udhëheqës ushtarak shumë i aftë i cili gjërat i ka gjykuar me gjakftohtësi dhe e ka ditë se një ndërmarrje e tillë do t`i kushtonte me humbjen e gjithë ushtrisë. Ai një aventurë të tillë nuk do ta ndërmerrte kurrë.
Po të mos ishte vrarë Hasan Riza Pasha flamuri shqiptar do të valëvitej në Shkodër krahas atij turk më 1 shkurt 1913, por çka ndodhi a e vendosi flamurin shqiptar ai i cili e zëvendësoi Hasan Rizanë edhe si komandant e edhe si vali i Shkodrës? A e vendosi flamurin shqiptar Esad Pasha? Përgjigja është jo, nuk e vendosi! Pra po të ishte gjallë komandanti turk do ta vendoste flamurin, ndërsa komandanti shqiptar nuk e bëri atë! Si mund të shpjegohet kjo?! Po të ishte i interesuar Esat Pasha për mbrojtjen e Shkodrës, aq sa ka qenë i interesuar komandanti turk, do ta vendoste flamurin shqiptar gjithsesi, sepse kjo përveç tjerash do t`i sillte favore të shumta ushtarake, do t`i stimulonte që t`i bashangjiteshin mbrojtjes së Shkodrës shumë shqiptarë katolikë përreth, të cilët me të drejtë nuk luftonin për mbrojtjen e flamurit turk, dhe njëkohësisht do të ndikonte që disa malësorë shqiptarë të cilët luftonin në anën e malazezëve të mos e bënin atë, e madje disa sish t`i bashkëngjiteshin mbrojtjes së Shkodrës.
Kalojmë te dorëzimi i Shkodrës. Esat Pasha, Shkodrën ia ka dorëzuar princit Danillo, më 25 prill 1913, ndërsa pas 9 apo 10 ditëve, më 4 maj 1913 Kral Nikolla është detyruar t`ua dorëzojë Shkodrën Fuqive të Mëdha. Kjo i bie se po të mos dorëzohej Shkodra edhe një javë ditë malazezët do të tërhiqeshin nga rrethimi i saj. Ka kohë që Fuqitë e Mëdha ishin marrë vesh që Shkodra t`i takonte Shqipërisë. Ka dëshmi se Esat Pasha e dinte këtë, porse atij nuk i interesonte Shkodra, por i interesonte përfitimi i mbështetjes serbe dhe malazeze për tu bërë mbret i Shqipërisë, edhe nëse ajo mbetej vetëm me 10 mijë Km në katror apo edhe më pak! Malazezët kanë pas informata rreth bisedimeve dhe vendimeve të Fuqive të Mëdha, porse kanë shpresuar se me ta pushtuar, Shkodrën ajo do të mund të bëhej e tyre. Si për t`i inkurajuar ata, Esati bisedimet sekrete me malazezët i kishte filluar menjëherë pas vrasjes së Hasan Rizait, në mos edhe më herët. Sa do të ishin në gjendje për të sakrifikuar edhe më për ta pushtuar Shkodrën malazezët në kushtet kur ushtria serbe ishte tërheq nga luftimet, kur Serbia dhe Rusia i tregonin se pushtimi i Shkodrës është i kotë? Jam i bindur se po të mos kishin shenja nga Esat Pasha se do t`ua dorëzonte Shkodrën ata do të zmbrapseshin, siç edhe u detyruan të veprojnë pas 10 ditëve.
MARRËVESHJET ME PASHIQIN, VENIZELLOSIN…
Të shohim çka ka ndodhë si ka vepruar Esat Pasha pas dorëzimit të Shkodrës. Ai disa herë ka bërë marrëveshje me serbët dhe secilën herë marrëveshje të dëmshme për Shqipërinë. Është pajtuar t`ia jap Serbisë Shqipërinë Veriore deri te Drini, ndërsa pjesa tjetër do të ishte një Shqipëri autonome në kuadër të Serbisë! Ishin marrëveshje me një shtet i cili i kishte bërë masakrat më të tmerrshme ndaj shqiptarëve në Kosovë, në viset e banuar me shqiptarë në Maqedoni dhe madje shumë krahina të Shqipërisë Londineze ishin larë me gjak shqiptari, pa i kursyer fëmijët, gratë, pleqtë të sëmurët. Esat Pasha kishte bërë marrëveshje edhe me Greqinë, me Venizellosin për t`i dhënë Greqisë jugun e Shqipërisë. Ky njeri dhe ushtarët e tij, Esadistët ishin paguar nga Serbia, kishte marrë para edhe nga Greqia, po edhe nga Italia të cilës ia kishte ofruar një pjesë të Shqipërisë. Kishte marrë shumë mirënjohje, lëvdata dhe dekorata të larta nga Serbia, Greqia, Italia. Nëse e përjashtojmë luftën për mbrojtjen e Shkodrës për të cilën shkrova më lartë, ky njeri i cili kishte pas nën komandë herë herë me mijëra njerëz asnjëherë ata nuk i kishte urdhëruar e as këshilluar të luftojnë për mbrojtjen e Shqipërisë, as të asaj londineze.
Esat Pasha nuk ka qenë njeri me ideale kombëtare as fetare. Ai ka qenë një njeri i dhënë pas pushtetit dhe pasurisë, që nuk ka zgjedhur mjete për realizimin e tyre. Nëse mund të kemi pak mirëkuptim për manovrat e tij diplomatike me serbë në kohën kur ushtria serbe, gjatë Luftës Ballkanike, kishte pushtuar një pjesë të madhe edhe të Shqipërisë Londineze dhe e vriste secilin shqiptar, e veçmas atë që e kundërshtonte, nuk kemi asnjë arsye të kemi mirëkuptim për manovrat e tij të mëvonshme. Pas masakrave, plaçkitjeve, djegieve… që i kishte bërë ushtria serbe në viset shqiptare, duke e përfshirë edhe Tiranën me rrethinë, ku Esat Pasha i kishte disa nga pronat e tij, po edhe kushërinjtë, ai gjatë bisedave me diplomatët e fuqive të mëdha, ishte ankuar vetëm për dëmet materiale që i ishin shkaktuar atij në objektet dhe pronat e veta, duke kërkuar kompensim. Asnjë fjalë, asnjë kërkesë për të këqijat që Serbia ua kishte bërë qindra mijëra shqiptarëve të tjerë, duke i përfshirë edhe kushërinjtë e tij.
Kur ushtria serbe e mundur nga austrohungarezët dhe bullgarët, gjatë Luftës së Parë Botërore, kishte kaluar nëpër Shqipëri dhe kishte arritur në Durrës për t`u bartur nga aleatët e vet në Korfuz , Esati i kishte pritë dhe u kishte ndihmuar ashtu si iu ndihmohet miqve më të ngushtë. Mik për kryekreje e ka pas Pashiqin, me të cilin ka biseduar sikur ta kishte vëlla duke ia treguar brengat, planet, ëndrrat. Shumë nga figurat udhëheqëse të Shqipërisë të cilat historia jonë na i ka paraqit si engjëj dhe dragonj kanë pas mangësi të shumta, një pjesë e të cilave shpërfaqen edhe në këtë libër. Kanë pas periudha kohore kur kanë qenë në nivel të përgjegjësisë, kur nuk kanë qenë në nivel, madje disa kur kanë qenë shumë nën nivel të përgjegjësisë, porse vepra aq të shumta kundër kombit të vet e në shërbim të armikut sa Esati nuk ka bërë asnjëri prej tyre. Pra në këtë aspekt Esati ka qenë i pakonkurencë, duke i lënë shumë prapa gjithë të tjerët.
VRASJA E ESATIT NJË PROBLEM MË PAK PËR SHQIPËRINË
Siç dihet Esat Pashë Toptanin e ka vra Avni Rrustemi më 13 qershor 1920. Gati para 6 muajve ishte mbajtur Kongresi i Lushnjës që e kishte zgjedhur qeverinë në krye me Sulejman Delvinën dhe ministër të brendshëm Ahmet Zogun. Një pjesë e madhe e Shqipërisë ishte e pushtuar nga Italia, në veri hynin e dilnin forcat serbe, ndërsa në jug vazhdonin provokimet greke. Traktati i fshehtë i Londrës mbi copëtimin e Shqipërisë ishte kërcënim serioz, sepse Fuqitë e Mëdha ende nuk kishin marrë vendim mbi njohjen e saj, ndërsa në tavolinë diskutoheshin disa skenarë aspak të mirë. Nga ana tjetër edhe sa i përket gjendjes së brendshme Shqipëria ishte e përçarë, në anarki të plotë. Në ato rrethana vrasja e Esat Pashës ishte një problem më pak për Shqipërinë, edhe atë një problem i madh më pak. Nëse i analizojmë faktet e prezantuara në libër shohim se Esat Pasha ka qenë një personalitet që ka vepruar nga rasti në rast pa një koncept, pa një qëndrim të qartë, shumë i luhatshëm. Synim të qartë e ka pas vetëm ardhjen në pushtet dhe pasurimin pafund. Si i dhënë pas pushtetit ai do të dëshironte të bëhej sundimtar i një territori sa më të madh, siç dëshiron çdo sundimtar, porse midis një Shqipërie etnike, po e zëmë me 55000 km në katror, të qeverisur nga ndonjë shqiptar tjetër dhe një Shqipërie me 10000 km në katror të qeverisur nga ai vet, Esati do ta zgjidhte të dytën. Për aq sa kam mundur ta njoh historinë e Shqipërisë, mund të them se ajo ka kaluar shumë më mirë pa Esatin seç do të kalonte me të. Esati nuk e ka pas mençurinë, vendosmërinë, fleksibilitetin, guximin, e as ekuilibrin emocional që e ka pas Ahmet Zogu, i cili dorën në zemër ka pas shumë mangësi, po që nuk kanë qenë të atyre përmasave sa të Esatit.
Po, të kthehemi te libri. Autori prezanton shumë dokumente, fakte, raporte, shkrime të gazetave, të librave, kujtime… të cilat kanë të bëjnë me njeriun të cilit i është kushtuar libri, qofshin ato fakte në dobi apo në dëm të tij, të cilat për t`i gjetur, sistemuar, përkthyer, interpretuar… është dashur shumë punë, shumë përkushtim. Më duket që ai pak më tepër u jep hapësirë dhe rëndësi atyre fakteve të cilat janë në dobi të Esatit. Këto që i shkrova vlejnë për pjesët tjera të librit, përjashtuar pasthënien. Në pasthënie autori e shpreh haptas qëndrimin e tij dashamirës ndaj figurës së Toptanit, duke e bërë një interpretim aspak profesional të atyre fakteve të cilat i ka prezantuar në libër, e të mos flasim edhe për faktet e tjera, që nuk janë në të, të cilat nuk shkojnë në dobi të tij. Pra pasthënia e demanton deklarimin e autorit se qëllimi i librit nuk është rehabilitimi i Esat Pashës.