(e plotësuar)
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se palët e involvuar kanë qenë së bashku në një tavolinë prej pesë personave ku pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi kanë dalë jashtë ambienteve të restorantit ku pas fjalosjes së ashpër kishte ardhur deri te përleshja fizike, ku i dyshuari me banime në fshatin Pollatë, Komuna Podujevë, nga automjeti i tij Mercedes, me tabela të Suedisë, kishte shtënë me revole, me ç’rast viktima kishte marrë tri plagë si dhe ishin dëmtuar dy vetura nga të shtënat me armë zjarri.
Hashani ka thënë se në vendin e ngjarjes janë gjetur 7 gëzhoja të kalibrit 9 mm dhe një fishek i pa shkrepur brenda restorantit i kalibrit 7.65 mm. Në vendin e ngjarjes është konfiskuar një armë e llojit Berna, M-60 7.65 mm, janë konfiskuar dy vetura me tabela vendore që besohet të jenë të involvuara në rast.
“Viktimës fillimisht i është dhanë ndihmë në shtëpinë e shëndetit në Viti e mëpastaj dërgohet në Spitalin rajonal në Gjilan ku gjendja e tij raportohet të jetë stabile. Personat e dyshuar të njohur për policinë për momentin janë në arrati dhe po kërkohen nga policia e Kosovës. Lidhur me raste është njoftuar prokurori, rasti procedohet për hetime të mëtejme”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
***
Autoritetet policore kanë bërë me dije se në fshatin Gërmovë të Vitisë pas një përleshje mes disa personave, ku është përdorur edhe arma e zjarrit, ka mbetur i plagosur viktima mashkull K/Shqiptar, i cili është dërguar për trajtim mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetë.
Sipas raportit policor, si pasojë e të shtënave janë dëmtuar dy vetura dhe si prova materiale në vend të ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me tre copë fishekë, nëntë gëzhoja dhe një plumb i pashkrepur. Të dyshuarit gjenden në arrati, ndërsa njësitë përkatëse policore janë duke hetuar rastin.