(2LONLINE) – Të njëjtës shtrirje gjeografike dhe etnike i është vendosur kufiri mu nëpërmes të cilit neve na duhet ta kalojmë në udhëtimin tonë nga Gjilani për Preshevë. Hipur në njërin taksi privat me targa “VR” që bartë udhëtarë andej e këndej kufirit për 3 euro për person ne arrijmë kufirin e quajtur të integruar.
Një polic nga ana kosovare që qëndronte në kabinën e tij i cili zgjati dorën për te marrë letërnjoftimet tona nga shoferi I veturës nuk i mungoi mirësjellja kur më tha se nuk ishte e lejuar të fotografoja aty për së afërmi objektet kufitare.
Të cilën gjë kuptohet që unë respektova por vetëm sa i përket anës kosovare sepse në anën tjetër bëra ca foto edhe pse e ndaluar. Andej procedure pak më ndryshe përveç letërnjoftimeve duhej mbushur edhe nga një formular që të jepej me vete që të dorëzohej prapë në dalje. Edhe andej shqip fliste ai qe kontrolloi letërnjoftimet e edhe ai që do kontrollojë veturën.
Për një moment del një kufitar tjetër nga një kabinë dhe i urdhëron në serbishte këtij që të bëhej një kontroll me i detajuar i veturës ku ishim ne. Na nxorën të gjithëve jashtë. Kontrolluan, pyeten mos kishim gjë për të lajmëruar dhe pasi s’gjetën gjë, ne vazhduam për Preshevë. Rrugës pamë një vile-restaurant të ndërtuar në anën e djathtë pak përtej shkollës së vjetër së Depcës, tutje qeshma e Idriz Seferit dhe shkolla shumë e njohur për rrethin,”Migjeni” e cila tanimë nuk kishte as për së afërmi rolin çfarë kishte pasur në të shtatëdhjetat e tetëdhjetat.
Të shpeshtë ishin edhe traktorët me dru të ngarkuara që kishin marrë drejtimin për në qytezë. Po e quaj kështu sepse edhe tani pas njëzetë e pesë vitesh që po e vizitoja për herë të parë qytezë kishte mbetur.
Në fakt më e madhe, më e shtrirë dhe pak më e rregulluar, por pa ndërtime të mëdha. Shteti nuk e kishte bërë ndërsa iniciativa private ishte e dobët.
Të bien në sy zyrat e avokatëve në qendër që ishin të shumtë. Njeri nga ta më tha se kishin shumë kërkesa nga persona nga Kosova për rregullimin dhe marrjen e pasaportave serbe! Zeqa, një burrë shtatvogël mu nga ata që quhen xhuxh, qëndron ulur në kioskën e tij të vogël përballë kafesë ku ne pimë machiaton e mëngjesit e për çudi na kushtoi nga 60 cent e ku për çudi akoma gjendej një mbishkrim “Preševo Maršal Tita bb” Kush nuk e njeh Zeqën ai është një lloj maskote e Preshevës.
Ai thotë se ka kioskë që nga viti 1972 me emrin Rilindja. ka pas kohëra thotë ai kur ka qenë i detyruar t’i shiste fshehtas botimet e rilindjes aty e edhe ne Maqedoni. Pamë shitore ku shiteshin gjëra me pamje kombëtare hapur dhe paralajmëruesja e madhe e varur mbi kokat tona për 100 vjet të shtetit shqiptar që ishte akoma aty.
Gjërat ushqimore na thanë se ishin me të shtrenjta se këtu tek ne. Në rrugë për në fshatin Leran ku shkonim për vizitë kaluam nëpër vendbanimin e quajtur nga vendësit Tasjan e që në fakt atypari ka një hekurudhë ku kalon treni e cila ishte në gjendje të njëjtë mu sikur ka qenë para 25 vitesh e më parë.
Thuhet se luftëtarët shqiptarë të rezistencës anti çetniko-partizane e kanë çliruar Preshevën deri te kjo hekurudhë ku nga aty e deri në Bujanoc në njërën shinë ka shkua vija shqiptare ndërsa në tjetrën ajo bullgare.
Por, me sa pashë unë tani elementi ynë etnik ishte në marshim edhe pse në dukje të par i vogël! Me këtë përshtypje e lamë Luginën! /Xhelil ARIFI / 2Lonline/