Një delegacion nga Kroacia vizitoi komunën e Vitisë

Një delegacion nga Kroacia vizitoi komunën e Vitisë

Një delegacion I përbërë nga kryetari i komunës Velika Pisanica të Kroacisë Fredi Pal, dhe përfaqësues të Bashkësisë së shqiptarëve në Prefekturën Bjellovar-Billogora e përfaqësues komunal të këtyre zonave, janë pritur sot në një takim nga kryetari I komunës së Vitisë Sokol Haliti, që për qëllim kishte thellimin e bashkëpunimit mes këtyre dy komunave, si dhe me bashkësitë shqiptare që jetojnë në Kroaci.

Fillimisht kryetari Haliti i njoftoi mysafirët me historikun dhe pasurit që ka komuna e Vitisë , si rajon me potencial të mirë bujqësor, e po ashtu edhe me të arriturat e deritanishme në gjitha sferat.

“Sot jemi shumë të nderuar për vizitën e këtij delegacioni të gjerë nga Kroacia. Një vizitë vëllazërore tepër miqësore, që do të vazhdoj edhe më tej, ku në takimin e sotëm u dakorduam që Vitia dhe Velika Pisanica do të zgjerojnë bashkëpunimin edhe në sferën kulturore, ekonomike, sferën e bujqësisë dhe në të tjera që janë të mundshme. Në qershor do të bëjë një vizitë në Velika Pisanica dhe do të jemi nënshkrues të marrëveshjeve mes dy komunave” , tha kryetari Haliti.

Ndërsa Ermina Lekaj Perljaska, deputete në parlamentin kroat, vlerësoi lart vizitën në Viti, duke potencuar se diaspora shqiptare që jeton në Kroaci, ka dhënë një kontribut të madh edhe gjatë luftës por edhe pas saj.

“Kontributi i tanishëm I diasporës shqiptare që jeton në Kroaci, po luan një rol shumë të rëndësishëm pasi që po bënë një ndërlidhje të bashkëpunimit mes komunave kosovare dhe atyre kroate, në fusha të ndryshme. Falënderoi edhe kryetarin e Velika Pisanica Fred Pali që na u ka bashkëngjite në delegacion të vizitojmë Vitinë dhe gatishmërinë për bashkëpunim mes dy komunave”, ka thënë znj.Perljaskaj.

Kurse kryetari I komunës Velika Pisanica Fredi Pali, ka theksuar se është vizita e parë që realizon në Republikën e Kosovës dhe ndjehet I kënaqur që po nis bashkëpunimi me komunën e Vitisë.

“Në komunën Velika Pisanica, jeton një numër I konsiderueshëm I shqiptarëve. Fillimisht do të njoftohemi mes vete dhe të nisim bashkëpunimin në fushën ekonomike, por edhe në atë kulturore. Ky takim do të na shërbej në të ardhmen që të shkëmbejmë përvoja mes vete”, ka thënë kryetari Pali.

Pjesë e delegacionit nga Kroacia ishte edhe Hrvoje Bokan këshilltar në Kuvendin Komunal, Skender Zogaj, kryetar I bashkësisë së shqiptarëve në Prefekturën Bjellovar-Billogora, Martin Hojani kryetar i Këshillit të pakicës kombëtare shqiptare në Prefekturën e Bjellovarit.

Gjithashtu i pranishëm ishte edhe don Viktor Sopi drejtor i përgjithshëm i Caritas Kosova. Kryetari I komunës i ka nderuar me mirënjohje dhe dhurata modeste delegacionin nga Kroacia, e gjithashtu edhe ata nderuan kryetarin Haliti. Delegacioni nga Kroacia, ka vazhduar vizitën në Letnicë dhe Stubëll, ku është vizituar edhe shkolla e parë shqipe.

KOMENTE