Një delegacion i WSG University vizitoi UKZ-në
Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan mirëpriti një delegacion nga WSG University në Poloni, të përbërë nga Zëvendësrektorja për Çështje Ndërkombëtare, Prof. Dr. Magdalena Bergman, dhe Prof. Dr. Marzena Noińska-Macińska nga Departamenti i Teknologjisë së Informacionit. Vizita u zhvillua në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zgjerimit të aktiviteteve të përbashkëta akademike.
Në kuadër të vizitës,delegacioni u prit në një takim zyrtar nga Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku. Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy universiteteve, i cili është zhvilluar me sukses përmes aktiviteteve të ndryshme akademike dhe ndërkombëtare, si dhe për mundësitë e zgjerimit të tij në të ardhmen.
Rektori Dermaku vlerësoi partneritetin me WSG University, duke theksuar se ndërkombëtarizimi mbetet një nga prioritetet kryesore të Universitetit Publik “Kadri Zeka”.
“Bashkëpunimi ynë me WSG University po zhvillohet vazhdimisht dhe po krijon mundësi të reja për studentët dhe stafin tonë akademik. Synimi ynë është që këtë partneritet ta zgjerojmë edhe më tej përmes programeve të përbashkëta të studimit, projekteve ndërkombëtare, mobilitetit akademik dhe aktiviteteve kërkimore që ndikojnë drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë”, u shpreh Rektori Dermaku.
Nga ana e saj, Zëvendësrektorja për Çështje Ndërkombëtare në WSG University, Prof. Dr. Magdalena Bergman, shprehu mirënjohjen për mikpritjen dhe vlerësoi bashkëpunimin me Universitetin Publik “Kadri Zeka”.
“Ne e konsiderojmë Universitetin Publik ‘Kadri Zeka’ një partner të rëndësishëm dhe besojmë se bashkëpunimi ynë ka potencial të madh për t’u zgjeruar. Përmes iniciativave të përbashkëta synojmë të krijojmë më shumë mundësi për studentët dhe stafin e të dy universiteteve, duke ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi në nivel ndërkombëtar”, tha Prof. Dr. Bergman.
Delegacioni i WSG University, zhvilloi një takim të veçantë me dekanët e fakulteteve dhe stafin akademik, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në nivel fakultetesh. Fokus i veçantë iu kushtua krijimit të programeve të përbashkëta studimore, veçanërisht në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, si dhe mundësive për bashkëpunim në fushën juridike dhe shkencave sociale. Gjithashtu u shqyrtuan mundësitë për projekte të përbashkëta kërkimore, publikime shkencore dhe pjesëmarrje në programe ndërkombëtare.
Po ashtu, delegacioni zhvilloi një takim me studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, ku prezantoi WSG University, programet e studimit, mundësitë e mobilitetit akademik, projektet e përbashkëta dhe thirrjet e reja që do të ofrohen në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve. Studentët patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të informohen mbi mundësitë për studim, shkëmbim akademik dhe pjesëmarrje në projekte ndërkombëtare.
Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe WSG University do të vazhdojnë të bashkëpunojnë për të zgjeruar partneritetin e tyre strategjik, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e arsimit, kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit në dobi të studentëve dhe stafit akademik të të dy institucioneve. /2LONLINE/
