Një delegacion i veteranëve shqiptarë dhe kroatë nderuan bashkëluftëtarët dëshmorë, Samet Bogujevci dhe Fadil Salihu
Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Krenare Latifi Kqiku ka bërë me dije se një delegacion i veteranëve shqiptarë dhe kroatë vizitoi sot Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Gjilan, për të nderuar bashkëluftëtarët dëshmorë, Samet Bogujevcin dhe Fadil Salihun, të cilët ranë heroikisht në Gospiq të Kroacisë.
Delegacioni, i shoqëruar nga gjenerali Esat Qollaku, president i Organizatës UABHDR, dhe Tomë Kaqinari, kryetar i shoqatave vullnetare të luftëtarëve të Kroacisë, si dhe nga shumë pjesëtarë të tjerë të këtyre organizatave, me këtë rast u theksua se lufta e tyre ishte e drejtë dhe, prandaj, e fituan.
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arianit Sadiku, falënderoi delegacionin nga Kroacia për kujdesin dhe përkushtimin që tregojnë ndaj bashkëluftëtarëve të rënë në beteja, kudo që i kërkoi ideali i lirisë.
Lavdi e përjetshme Samet Bogujevcit dhe Fadil Salihut, si dhe të gjithë dëshmorëve që ranë në frontet e luftës për liri! Respekt për veteranët që nuk i harrojnë bashkëluftëtarët dëshmorë, por e mbajnë gjallë lavdinë dhe kujtimin për ta. /2LONLINE/
