Në emër të kryetarit të Kuvendit të Kroacisë, delegacionin e priti kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Davorin Mlakar. Deputetët e Kuvendit të Kosovës takuan edhe me kryetarin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe të Drejtat e Pakicave Kombëtare, Furio Radin
Një delegacion i Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim i Kuvendit të Kosovës, në përbërje: Jasmina Zhivkoviq, kryetare, Agim Çeku e Mufera Shinik, zëvendëskryetarë, si dhe Agim Kika, Veton Berisha, Qerim Bajrami dhe Sasha Milosavljeviq, anëtarë, po qëndron për vizitë zyrtare në Parlamentin e Kroacisë.
Në ditën e parë të vizitës, në emër të kryetarit të Kuvendit të Kroacisë, Zhelko Reiner, delegacionin nga Kuvendi i Kosovës e priti kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Davorin Mlakar.
Pasi prezantoi shkurtimisht punën e komisionit që udhëheq, kryetarja Zhivkoviq tha se qëllimi i kësaj vizite është njohja me praktikat e punës së Parlamentit kroat, tani pas pranimit të Kroacisë në BE, si dhe me gjendjen e minoriteteve në këtë shtet.
Z. Mlakar, nga ana e tij, tha se sipas Kushtetutës së shtetit kroat, 22 komunitete kanë statusin e pakicave, por vetëm serbët, italianët dhe hungarezët, kanë vende të rezervuara në Parlament. Të tjerët, ndërkaq, mund të garojnë në zgjedhje, kryesisht si koalicione. Kreu i Komisionit të Punëve të Jashtme, Mlakar, shtoi po ashtu se në Kroaci ekziston Ligji kushtetues për komunitete nacionale, i cili mbron interesat dhe të drejtat e komuniteteve që jetojnë dhe punojnë në Kroaci.
Në orët e pasdites, anëtarët e Komisionit nga Kuvendi i Kosovës u pritën në një takim nga kryetari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe të Drejtat e Pakicave Kombëtare, Furio Radin. Kryetarja Zhivkoviq e njoftoi z. Radin me punën dhe përgjegjësitë e komisionit që ajo drejton.
Furio Radin, nga ana e tij, bëri të ditur se komisioni që të cilin ai e udhëheq, përbëhet nga 15 anëtarë të rregullt, ndërsa më pas prezantoi angazhimet e tij në mbrojtjen e të drejtave të njeriut e të pakicave në Kroaci. Në takim u theksua gjithashtu, se Ligji kushtetues për pakicat është i hartuar mirë, por po has në vështiri gjatë implementimit në praktikë.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe tre anëtarë të tjerë të këtij komisioni: Ermina Lekaj – Përljaskaj, shqiptare, Velko Kajtazi, rom dhe Ivan Radiq, kroat.
U zhvilluan gjithashtu, edhe takime bilaterale midis anëtarëve të komisioneve homologe.
Delegacioni, i cili shoqërohet edhe nga përfaqësues të OSBE-së dhe zyrtarë nga administrata e Kuvendit, vazhdon vizitën me takime të tjera në Kuvendin e Kroacisë, e cila po realizohet me mbështetjen e misionit të OSBE-së në Kosovë.