Një botim i veçantë për dy jubiletë e Ibrahim Kadriut
Nga: Kaltrinë BERISHA
Një botim i veçantë për dy jubiletë e Ibrahim Kadriut
(Për Librin përkushtues, “Ibrahim Kadriu në vitin e tetëdhjetë të jetës”, botuar nga Sh.B. “Beqir Musliu”, nga një grup autorësh, në përmbyllje të manifestimit , “Vjeshta letrare e Gjilanit”, 2025)
Libri “Ibrahim Kadriu në vitin tetëdhjetë të jetës”, është i strukturuar nga një grup autorësh, të cilët gjatë të këtij viti, u takuan po dhe e nderuan shkrimtarin e mirënjohur. Njëkohësisht edhe u morën me vlerësimin e një pjesë të veprave të tij, botuar gjatë këtij viti apo dhe më herët. E, disa media e televizione tona bashkëbiseduan me të, duke i njohur edhe shumë anë tjera të jetës e veprimtarisë së tij krijuese. Të gjitha këto i përmblodhi dhe përgatiti për botim sh. b “Beqir Musliu” , në përkushtim e nderim jo vetëm të 80 vjetorit të lindjes së Tij po edhe të 65 vjetorit të krijimtarisë letrare.
Ky botim me shkrime kritike, bashkëbisedime dhe takime letrare, trajton krijimtarinë e njërit nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, siç është Ibrahim Kadriu.
E veçanta e këtij libri qëndron te dy fakte të cilat gërshetohen në fund e krye, me një profesionalizëm të theksuar, sidomos te vlerësimet si dhe intervistat.
Nisur që nga titulli, theksohet mosha e autorit, konkretisht viti i tetëdhjetë i jetës , kohë kjo e cila te artistët e ndryshëm veçse simbolizon pensionimin dhe shkëputjen apo pasivizimin për t’u marrë me krijime të mëtejme profesionale, Por, te shkrimtari Ibrahim Kadriushihet mirëfilli se kjo moshë simbolizon një rini të dytë brenda ciklit jetësor. Andaj, edhe lirshëm mund të themi së në moshën tetëdhjetë vjeçare krijimtaria e autorit buron nga një verë e dytë e cila simbolizon lulëzimin e dyfisht, ku vera përfaqëson kulmin e jetës, ngaqë është stina e fuqisë dhe veprimit, e që në jetën e njeriut simbolizon rininë me gjithë ëndrrat, ambiciet, dashurinë e pasionin krijues. Është pikërisht mosha 80 vjeçare, një verë e dytë, që në jëtën e autorit vjen me pjekuri artistike e përvojë jetësore. Këtë e tregon edhe më mirë puna e vazhdueshme krijuese që rezulton me një vrull librash të botuar në këtë kohë. Ndërsa rëndësia e faktit të dytë qëndron te dokumentimi i të arriturave të krijimtarisë së Ibrahim Kadriut ku me anë të shpërblimeve e çmimeve të shumta, kombëtare dhe nënkombëtare u festua tetëdhjetë vjetori i lindjes dhe 65 vjetori i krijimtarisë letrare e publicistike të këtij shkrimtari.
Meqenëse libri nis me ceremoninë e tetëdhjetëvjetorit të lindjes së autorit, pra me rrëfimet nga mbamendja e miqëve dhe të pranishmëve në festë e që më vonë shoqërohet edhe nga fotografi të shumta që dalin në forma të fakteve apo dokumenteve që e dëshmojnë vëretësinë e këtyre ngjarjeve dhe përfundon me vlerësime e intervista ku gjithashtu lexuesit i ofrohen prova e fakte të shumta për jetën e autorit si dhe vlerën artistike të krijimtarisë së tij e krijuar brenda 65 viteve , duke e vu në spikamë sidomos vitin 2025, si vit i dy jubileve.
Mund të themi shlirshëm se ky libër mund të quhet një lloj testament bibliografik. Kjo ngase libri është i strukturuar në ndarjen e tri pjesëve dhe secila prej tyre shoqërohet me fakte mbi krejt atë që ndodhi përgjatë këtij viti, pa dashur aspak për t’i anashkaluar dhe vitet e mëhershme.
Në pjesën hyrëse lexuesi veçse njhet me portretin letrat të shkrimtarit, dhe me dëshminë e fotografive nga kartolina dhe realizimet grafike, si dhe bëhet një parapërgatitje për pjesën e parë të librit të quajtur TAKIME, ku paraqiten dy shkrime për Ibrahim Kadriun, çmimet e rëndësishme që e kanë karakterizuar krijimtarinë e këtij shkrimtari , si ai në Londër,, pastaj nderimi me “Celësin e qytetit të Gjilanit”, cmimi “Dr. Gjergj Gjergji – Gashi” në takimet e Dom Mikelit e deri te nderimi me “Vula akademike” në Bari të Italisë. Pra këto rrëfime herë dalin si formë e mbamendjes të rrëfyera nga miqtë e autorit dhe të shoqëruara me fotografi, herë si shkrime të publikuara në gazeta elektronike, ku gjithashtu janë të dokumentuara me fotografi.
Në pjesën e dytë, të titulluar VLERËSIME, lexuesi njihet me shkrimet në formën e kritikës letrare nga 12 studiues që i kanë bërë krijimtarisë së I. Kadriut, duke u nisur nga shkimi i Emin Azemit, Anton Nikë Berishës, Timo Mërkurit, Adil Fetahut, Xhevat Sylës, Elvi Sidherit, Llesh Ndojit, Mexhit Mehmetit, Sarë Gjergjit, Xhahid Bushatit dhe Arsim Halilit. Pra, me anë të këtyre shkrimeve edhe lexuesit që nuk e kanë studiuar gjuhën e letërsinë shqipe mund të njihen edhe më shumë me stilin e të shkruarit dhe gjithë krijimtarinë e autorit në fjalë.
Pjesa e tretë e librit mban titullin INTERVISTA, dhe jo rastësisht ndodhet në fund të librit. Këtu lexuesi ka më shumë mundësi të njihet për së afërmi me autorin, jetën e tij bashkë me sfidat e ndryshmë, bindjet që i janë krijuar gjatë viteve, sfidat profesionale, procedura e shkrimit të librave deri te botimet e tyre, raporti në mes të shkrimtarit dhe lexuesit, përkthimet e veprave të tij si dhe çështje të tjera brenda letërsisë dhe krijuesit.
Librat e kësaj natyre ( mbase dhe i pari i këtij lloji), para së gjithash synojnë një përmbledhje të veprimtarive dhe të dhëna kryesore të jetës e sferës profesionale të krijuesve, e në këtë rast, të shkrimtarit Ibrahim Kadriu. Lexuesit mund t’i shohin të pasqyruara brenda kopertinave të një libri shkrimet kritike letrare ndaj veprave të Ibrahim Kadriut, si dhe shpërblimin e krijimtarisë së tij me çmime të ndryshe, po mund të marrin edhe informacione shtesë për përkthimet e veprave në gjuhë të ndryshme, histori interesante që kanë ndodhur deri te publikimet e fundit dhe mund ta njohin autorin në fjalë nga perspektiva të shumta. Jo rasësisht e emërtova si testamente bibliografik këtë libër. Një botim i tillë, përveçse nderon autorin dhe gjithë lexuesit e tij, është dhe një pikënisje e mirë që në të ardhmën e afërt të mund të botohet edhe më shumë vepra të kësaj natyre, me një tematikë të strukturuar në këtë mënyrë, ngase janë të këndshme për t’u lexuar po dhe autorit ia japin një lloj pavdekësie meqenëse e forcojnë ëdhe më shumë lidhjen në mes të autorit dhe lexuesit.
Ky botim i veçantë për dy jubiletë e shkrimtarit Ibrahim Kadriut, që u pikëtakuan pikërisht në vitin e tetëdhjetë të jetës së tij (vitin 2025), është dhe një shembull i mirë se si duhet të nderohet e vlerësohet një figurë e tillë letrare që kaq shumë i ka dhënë letërsisë sonë dhe lexuesit në përgjithësi.
______________
Lexuar më 13 dhjetor 2025, në bibliotekën e qytetit “Fan S. Noli” gjatë veprimtarisë përmbyllëse të edicionit të gjashtëmbëdhjetë të manifestimit, “Vjeshta letrare e Gjilanit”.
