(2LONLINE) – Raporti financiar 2013 ka shkaktuar tensione në mes të pozitës (LDK) dhe opozitës (PDK) në Kuvendin Komunal të Gjilanit të cilat nuk janë pajtuar mes vete rreth nivelit të borxhit. Derisa për pozitën borxhi i trashëguar arrin në 9.6 milion euro, duke llogaritur edhe detyrimet kontingjente, opozita, përkatësisht këshilltarët e PDK, thonë se borxhi është 4 milion e 200 mijë euro.
Përderisa , këshilltarët e LDK-së shprehen të tmerruar me këtë borxh, ata të PDK-së thonë se ndihen krenar me punën që kanë bërë përgjatë qeverisjes së tyre në gjashtë vitet e kaluara. Ndërkaq përfaqësuesi i Vetëvendosjes Fehmi Sylejmani ka kërkuar që të formohet një komision i cili do të konstatojë borxhin real.
Kreu i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri duke iu referuar borxhit të trashëguar dhe në bazë të raportit të prezantuar nga Salih Kqiku, drejtor i financave, ka thënë se qeverisja e kaluar duhet të turpërohet karshi qytetarëve për borxhet e mëdha që ka lënë dhe ka premetuar se kjo nuk do të përsëritët kurrë në qeverisjen e LDK-së.
Madje Haziri ka thënë se një pjesë e këtij raporti financiar do të jetë lëndë shqyrtimi për Gjykatë. Ai ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët si dhe këshilltarët komunal për disiplinën financiare e cila është e obligueshme për shkak të këtyre borxheve, që duhet të shlyhen patjetër.
Përndryshe, si rrjedhojë e gjendjes së keqe të krijuar pikërisht nga borxhet e grumbulluara, Haziri ka thënë se mund të thuhet se Komuna e Gjilanit i ka plotësuar të gjitha kushtet për falimentim.
Duke iu referuar një shembulli të harxhimit të pajustifikuehshëm, kreu i komunës Lutfi Haziri ka thënë se vetëm Zyra e kryetarit në qeverisjen e kaluar ka harxhuar katër herë më tepër sesa për aktivitete kulturore. Ai madje mori shembull edhe harxhimet enorme në ushqim e reprezentacion. Në këtë drejtim Haziri ka thënë se kjo kurrsesi nuk do të ndodh tani kur ai drejton komunën dhe për më tepër, ai ka shtuar se do të jepte dorëheqje po që se do të lejonte t’i ndodh kjo që zyra e tij të bënte harxhime të tilla.
E opozita ka qenë e zëshme në këtë drejtim, madje Bujar Nevzati(PDK) ka thënë se kryetari i komunës po vazhdon me avazin e tij duke mos thënë asgjë konkrete, dhe e ka lutur atë të jetë konkret e me argumente e jo të thotë vetëm fjalë në “hava” siç e ka zakon.
Edhe Sahit Abazi shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së ka thënë se borxhi i komunës nuk është ajo shumë çfarë thotë kreu i komunës dhe pozita, por se duke llogaritur edhe mjetet e mbetura, bile është më pak se 4 milion euro. Ai ka kërkuar që të mos shpiken shifra ndërsa nëse pozita ka argumente për gjykatë t’i drejtohet gjykatës e mos të luaj lojë fjalësh këtu, por nëse beson se ka pas shkelje, t’i ndjek procedurat ligjore .
Edhe Riad Rashiti (PDK), ka mohuar të jetë borxhi i tillë sa thotë pozita duke i quajtur ato borxhe të shpikura. Për më tepër, ai ka kërkuar që të përmenden të gjitha punët e mira që janë bërë duke përfshirë këtu edhe projekte milionësh që janë realizuar në qeverisjen e kaluar, ndërsa ka kërkuar nga qeverisja e tanishme ti servisojë borxhet, siç ka bërë edhe qeverisja e kaluar kur e kishte marr pushtetin nga LDK-ja e atëhershme.
Zijadin Maliqi (LDK) ka paraqitur një analizë më të thellë të raportit financiar duke thënë se borxhi prej 4.2 milion euro është i faturuar ndërsa sa i përket detyrimeve kontingjente edhe ato duhet të evidentohen në raport sepse ashtu e kërkon ligji.
Arben Mehmeti (LDK) ka thënë se keqmenaxhimi financiar i qeverisjes së kaluar e që pasqyrohet edhe në raport, ka qenë e tejdukshme.
Përndryshe, Kuvendi po vazhdon tutje me pika të tjera të rendit të ditës. /2lonline/