Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se zgjedhja e Hashim Thaçit president, varet krejt nga Lista “Srpska”.
Sipas tij, ndoshta mund të ndodhë që Lista Serbe ta votojë Thaçin, por pas kësaj siç është shprehur ai, çmimi do të jetë i madh.
Më poshtë mund ta gjeni postimin e plotë të tij:
Zgjedhja e Thaçit president në dorë të “Srpska Lista”-s
Eshtë pothuajse e sigurt se Isa Mustafa e ka “kontrabanduar” votën e elektoratit të tij, për Hashim Thaçin president, por as kjo nuk do të jetë e mjaftueshme.
Nëse Hashim Thaçi do të zgjedhet president apo jo, kjo varët krejtësisht nga interesi i “Srpska Lista”-s.
Në fakt, varët nga urdhërdhënësit e saj, që sot gjenden në Beograd, sepse “Srpska Lista” nuk vendos me kokë të vet dhe as që ka vendosur ndonjëherë, dhe këtë e di shumë mirë edhe Hashim Thaçi, i cili ka faje të mëdha, pse është instaluar modeli i listës “Srpska” në jetën politike të Kosovës.
Ndoshta edhe mund të arrihet një marrëveshje me këtë Listë, që ata të mos e bllokojnë zgjedhjen e Hashim Thaçit president, por nëse kjo ndodhë, çmimi që do të paguajmë do të jetë tepër i madh, më i madh se paret me fajde.