NISMA për Kosovën sot ka mbajtur mbledhje me kryetarët e degëve, ku temë kryesore e takimit ishte protesta që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në të cilën do të protestohet për shtet me sovranitet dhe do të kërkohet dorëheqja e këtij koalicioni aktual qeverisës që refuzon të jep përgjegjësi për shkeljen e Kushtetutës, me nënshkrimin e marrëveshjeve që ka bërë.
Fillimisht takimi ka qenë informues, ku kryetari i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj, i ka informuar kryetarët e degëve rreth zhvillimeve të fundit politike në vend.
Kryetari Limaj ka folur rreth situatës politike në vend, zhvillimeve të fundit ne Kosovë, pastaj edhe për mobilizimin e mëtutjeshëm rreth organizimit të protestes paqesore që do mbahet më 17 shkurt.
Kryetari i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj, ka kërkuar nga kryetarët e degëve të angazhohen sa më shumë në organizimin dhe mobilizimin e qytetarëve për protestën e organizuar nga partitë opozitare, dhe që sa më shumë të shpërndahet mesazhi për protestë paqësore dhe dinjitoze.
Kryetari Limaj tha se për protestën e 17 shkurtit duhet të ftojmë të gjithë, pa dallime partiake, sepse kjo protestë është në të mirë të të gjithëve, ku askush dhe asgjë nuk do mund ta zbeh mesazhin që dhanë qytetarët e Kosovës me pjesëmarrjen e tyre në protestën madhështore e paqësore që u mbajt më 9 janar.
Kryetari Limaj ka kërkuar nga kryetarët e degëve të NISMA-s, që të bashkëpunojnë sa më shumë me organet e rendit, me qellim që mbarëvajtja e protestës të jetë sa më dinjitoze e paqësore e gjithashtu ka kërkuar nga kryetarët e degëve që të dërgohet mesazhi tek protestuesit për tu distancuar nga çdo akt i mundshëm i dhunës, nga persona që dëshirojnë ta prishin imazhin e mirë të protestës.
Në këtë mbledhje të gjithë kryetarët e degëve të NISMA për Kosovën, i dhanë mbështetje protestës, ku thanë se janë duke u mobilizuar shumë, që të jenë të pranishëm në protestën paqësore që mbahet të mërkurën, më 17 shkurt, në ora 14:00, në Prishtinë.
Në këtë takim është folur edhe për çështje tjera organizative të NISMA për Kosovën.