“Nisma” e Limajt shtrihet edhe në Zhegër

(2LONLINE) – “Nisma për Kosovën” formacion politik të cilës po i prin Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, është shtrirë edhe në Zhegër të Gjilanit, lokalitet ky që pritet të bëhet komunë në vete.

Kështu “Nisma”, Dega në Gjilan, e konstituuar ditë më parë, ka filluar punën e saj për tu shtrirë në terren dhe të martën ka themeluar Këshillin e “Nismës” në nëndegën e Zhegrës, me këtë rast ka zgjedhur në krye të saj magjistrin e ekonomisë, Armend Ajvazi.

Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësues të Degës , të prirë nga kryetari i “Nismës për Kosovën”, në Gjilan, Bajram Hasani, pastaj Valdete Dushica – Bajrami, kryetare e Gruas për “Nisma për Kosovën”, por edhe të tjerë nga Dega e Gjilanit si Musa Selimi, Enver Hajrullahu, Abdyl Brestovci, Shaqir Ukshini, Refik Hasani e të tjerë.

Ndryshe, kryetari i sapozgjedhur i Këshillit të “Nismës” në Zhegër, Armend Ajvazi, ka thënë per 2Lonline,  se tani ky këshill do të punojë drejt themelimit edhe të Gruas dhe Rinisë së “Nismës” në këtë lokalitet, për të vazhduar kështu strukturimin e saj nëpër terren.

Ajvazi ka thënë se po tregohet një interesim i madh për t’ju bashkuar këtij formacioni politik, i cili për bazë të aktivitetit të saj do ta ketë interesin e qytetarëve pa dallim, por edhe të një lokaliteti siç është Zhegra e cila pothuajse është anashkaluar nga secili pushtet që ka qeverisë me vendin.

Ai tha se “Nisma” do të jetë ndryshe dhe përkrahja që po tregohet për të në këtë stad të organizimit të saj është tregues i qartë që edhe në zgjedhjet nacionale që pritet të mbahen, “Nisma” e Gjilanit do të tregohet e suksesshme dhe do të këtë përfaqësues të saj në institucionet qendrore, pasi e ka përkrahjen e qytetarit gjilanas. /2lonline/

KOMENTE