Nisin zgjedhjet e brendshme për Kryetar dhe për Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje
Gjatë vitit të kaluar, Lëvizja Vetëvendosje është rritur dhe është konsoliduar në nivel organizativ, dhe tashmë është bërë edhe numerikisht opozita dhe alternativa kryesore politike në Kosovë. Në mbledhjen e fundit, në përputhje me përfundimin e mandateve statutore dhe me Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje mori vendimin që të nisë procesi i zgjedhjeve të brendshme për Kryetar dhe për Kryesinë e Lëvizjes Vetëvnedosje në nivelin e përgjithshëm, thuhet në një komunikatë të kësaj Lëvizjeje.
Aktivistët e interesuar për të kandiduar për pozicionin e Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje duhet të paraqesin deklaratën e kandidaturës deri ditën e mërkurë, data 21 janar 2015, ora 12:00, pranë Komisionit Zgjedhor të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvnedosje në Sekretariatin e Përgjithshëm të Lëvizjes, ku mund të marrin edhe shpjegime të mëtejshme lidhur me këtë process.
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvnedosje anembanë Republikës së Kosovës si dhe në Diasporë, do të kenë mundësinë që të votojnë për pozicionin e Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje sipas parimit një anëtar – një votë.
Ne i bëjmë thirrje të gjithë aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të bëhen pjesë e këtij procesi të brendshëm zgjedhor në mënyrë që së bashku ta forcojmë edhe më tej organizatën tonë.
