Nisin punimet në rrjetin elektrik që do të mundësojë furnizimin e ujësjellësit në Smirë, Vërban dhe Kabash
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtorin regjional të KEDS-it, z. Emin Emini, kanë vizituar sot punimet që kanë nisur në rrjetin elektrik, të cilat do të mundësojnë furnizim më të mirë me energji për sistemin e ujësjellësit që u shërben fshatrave Smirë, Vërban dhe Kabash.
Gjatë vizitës, është bërë e ditur se aktualisht po punohet në instalimin e një transformatori me fuqi 250 kVA, vendosjen e 41 shtyllave të formatit 9/1000, si dhe shtrirjen e kabllos ABC 4×70 mm².
Ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike për sistemin e ujësjellësit dhe, rrjedhimisht, në sigurimin e një furnizimi më të qëndrueshëm me ujë për banorët e këtyre lokaliteteve.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka falënderuar kompaninë KEDS dhe drejtorin regjional, z. Emin Emini, për angazhimin dhe punën që po bëhet në realizimin e këtij projekti.
“Në emër të qytetarëve të Vitisë, falënderoj KEDS-in dhe drejtorin regjional, z. Emin Emini, për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në realizimin e këtyre punimeve. Përmirësimi i infrastrukturës energjetike është i rëndësishëm për funksionimin e qëndrueshëm të ujësjellësit dhe për ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët tanë”, ka thënë kryetari Haliti. /2LONLINE/
