Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur një rast hetimi lidhur me grupet që organizojnë shkuarjen e kosovarëve për të luftuar në Siri. Kreu i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sevdije Morina i ka konfirmuar Radio Kosovës se tashmë ka nisur hetime ndaj një personi. Por, ajo nuk ka treguar detaje se për çfarë veprash saktësisht po hetohet personi dhe lidhjet.
Një dosje me emrin “Siria” tashmë është hapur në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Materia e saj mësohet se përmban hetime dhe informacione për persona të përfshirë në grupet që organizojnë shkuarjen e kosovarëve për të luftuar në Siri.
Burime brenda prokurorisë kanë konfirmuar se ato që janë gjetur tregojnë se asnjë dokument që identifikon ata si shtetas të Kosovës nuk u mbetet kosovarëve që kalojnë shtigjet e panjohura aziatike për të mbërritur në Siri.
Gjithashtu sapo të mbërrijnë destinacionet atyre u merren dokumentet dhe numrat e kontaktit të familjarëve në Kosovë, që zakonisht kontaktohen vetëm në rast plagosjesh të rënda apo vrasjesh të tyre.
Në këtë mënyrë, sipas këtyre hetimeve, grupet që menaxhojnë ata përpiqen të mbajnë fshehtë identitetin dhe informacionet për rrjetin e tyre, financimin dhe qëllimin e tyre.
Kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, i ka thënë Radio Kosovës se deri më tani nuk ka ekzistuar materie e mjaftueshme për të hapur raste ose ngritur aktakuza dhe raste të tilla nuk ka pasur në prokuroritë e rregullta.
Por, nga Prokuroria Speciale e Kosovës një shtetas kosovar tashmë po hetohet të jetë i përfshirë në aktivitete të paligjshme që lidhet direkt me shkuarjen për të luftuar në Siri.
Shefja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sevdije Morina ka shpalosur vetëm atë që përbën stadin fillestar të hetimit.
“Tani për tani unë mund të iu konfirmoj se në Prokurorinë Speciale të Kosovës është i hapur një rast kundër një personi dhe ky rast ndodhet në fazën e veprimeve fillestare. Asgjë më tepër nuk mund të iu konfirmoj për shkak të ruajtjes së fshehtësisë së hetimeve”, i ka thënë Morina Radio Kosovës.
Morina nuk ka dhënë detaje të tjera për kategorinë e veprave për të cilat dyshohet ky shtetas kosovar.
Policia, sipas zëdhënësit Baki Kelani, gjithashtu ka intensifikuar hetimin e këtyre rasteve. Kelani ka njoftuar për dëshmi të mbledhura dhe intervistime të disa personave.
Sidoqoftë përkundër informatave të Agjencisë së Inteligjencës dhe rasteve të regjistruara nga policia, Prokuroria e Shtetit konsideron se është e vështirë të ndiqen shumica e të përfshirëve në konfliktin në Siri.
Veprimet e tilla në shumicën e rasteve, sipas legjislacionit kosovar nuk është gjetur se bien ndesh në mënyrë të plotë me ligjet e vendit, konventat dhe normat ndërkombëtare.
Aktualisht në ekzekutivin dhe legjislativin e vendit po diskutohet çështja e ligjit që u heq shtetësinë e kosovarëve që luftojnë në Siri, e që sipas të dhënave të besueshme brenda hetuesisë aktualisht janë rreth 40 persona. /rtk/