Nisin formalisht procedurat e iniciativës për formimin e Tribunalit për krimet serbe në Kosovë

Nisin formalisht procedurat e iniciativës për formimin e Tribunalit për krimet serbe në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka nisur sot edhe formalisht procedurat për iniciativën për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë.

Duke folur para përfaqësuesve të shoqatave të pagjeturve, organizatave të dala nga lufta, institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve tjera të pavarura, ka thënë se kriminelët serbë ende nuk janë gjykuar për mijëra krime dhe viktima në Kosovë.

“Po flasim për një Gjykatë Ndërkombëtare për krimet e shtetit serb, të paanshme, të domosdoshme. Një Gjykate Ndërkombëtare, e cila do të gjykojë dhe dënojë krimet e kryera nga shteti i Serbisë gjatë luftës në Kosovë. Këto krime qe arrijnë përmasat e gjenocidit. Janë qindra masakra të kryera nga ushtria serbe. Janë dhjetëra-mijëra civilë të vrarë, në mesin e tyre fëmijë e gra. Janë mijëra femra të dhunuara dhe 1 milion shqiptarë të dëbuar nga Kosova, në një përndjekje të ngjashme me Holokaustin e hebrenjve. Ende, 20 vjet pas luftës, për këto masakra dhe krime nuk ka drejtësi. Sepse, Tribunali i Hagës e ka lënë të papërfunduar drejtësinë për masakrat e Serbisë në Kosovë. Po ashtu, drejtësia ndërkombëtare në Kosovë ka dështuar krejtësisht. Për fat të keq, edhe ne vetë, si Kosovë, nuk kemi bërë sa duhet – për sa i përket dokumentimit të të dhënave dhe dëshmitarëve”, ka thënë Kryeparlamentari Veseli.

Ai po ashtu ka nxjerr në pah një statistikë zyrtare, tronditëse:

“Deri më tash, për krimet e luftës në Kosovë janë dhënë 189 vjet dënime për shqiptarët, ndërsa vetëm 29 vjet dënime për serbët. Kush ishte agresori këtu?

Sikurse vë në dukje Profesor Paul Ëilliams, në dëshminë e tij të para disa ditësh në Kongresin Amerikan, Serbia nuk ka pasur vullnet politik, nuk ka dhënë burimet e duhura dhe mekanizmat e duhur për mbrojtjen e dëshmitarëve për krimet e luftës të kryera nga Serbia.

Sipas tij, deri në vitin 2018, Serbia për të gjitha krimet e kryera në Bosnje, Kroaci e Kosovë ka marrë vetëm 44 vendime, e ka dënuar vetëm 74 kriminelë. Ndërkohë që vetëm disa prej këtyre vendimeve kanë të bëjnë me Kosovën”, tha tutje Veseli.

Ai po ashtu theksoi se Gjykata Ndërkombëtare për krimet e Serbisë në Kosovë do të ngrihet, jo mbi urrejtje, pretendime, por mbi ngjarje (krime, masakra), njerëz dhe dëshmi reale.

“Mesazhi ynë është i qartë: Kosova po kërkon drejtësi për njerëzit e saj të vrarë, të masakruar e të dhunuar. Nuk pranon heshtje, as mohim. Dhe kjo drejtësi do të ndodhë. Serbia do të përgjigjet për këto viktima. Mesazhi ynë për kriminelët, mohuesit e krimeve, qyqarët, që sot enden të lirë nëpër Serbi, po ashtu është i drejtpërdrejtë: Do t’ju zëmë të gjithëve dhe do t’ju vëmë në pranga. Keni kryer krime, sepse jeni qyqarë. Keni pasur frikë të përballeni me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e keni sulmuar popullatën civile. Do të na keni prapa … edhe në gjumë”, ka thënë Veseli.

KOMENTE