/2L ONLINE/ – Përmes një reagimi, dega e AKR-së në Kamenicë, partnere në qeverisje është shprehur kundër blerjes së veturës në këtë kohë, kur ende nuk janë shpallur tenderët për asfaltimin e rrugëve dhe ndërtimin e rrjeteve të kanalizimeve.
“Buxheti është votuar me ndryshimet e paraqitura. Prandaj për Degën e AKR-së në Kamenicë është e paqartë se me cilat mjete po blehet tani veturë e re”, është pyetja e këtij subjekti.
“Para aprovimit të buxhetit të vitit 2015, në shtatorin e vitit të kaluar, delegatët e AKR-së dhe Kryetari i Degës, kemi mbajtur konsultime paraprake dhe kemi propozuar shkurtimet buxhetore në disa kategori, duke përfshirë edhe largimin e blerjes së një veture nga buxheti komunal. Këto propozime ja kemi bërë të ditura edhe partnerit tonë qeverisës PDK-së. Para seancës kur do të votohej buxheti kemi zhvilluar një takim edhe me Kryetarin e Komunës ku i kemi bërë të ditura qëndrimet tona për buxhetin.
Në takim jemi pajtuar që ndryshimet të bëhen dhe shuma prej mbi 100.000 eurosh nga këto ndryshime të përdoret për projekte të infrsatrukturës. Në seancën e Kuvendit Komunal të muajit shtator 2014, në emër të AKR-së këto ndryshime i ka paraqitur shefi i grupit të këshilltarëve të AKR-së. Buxheti është votuar me ndryshimet e paraqitura”, ka theksuar AKR-ja përmes një adresimi publik.
Ditë më parë, Kamenicapress(fb) raportoi se Komuna e Kamenicës ka nisur procedurat e prokurimit për blerjen e një veture të re.