(2LONLINE) – Manifestimi Tradicional gjithëkombëtar kulturor e sportivë Flakadani i Karadakut 2014, është hapur sot në një akademi solemne, me që rast edhe kanë nisur aktivitetet e ndryshme që do të zhvillohen në ditët në vazhdim. Manifestimi i sivjetmë Flakadani i Karadakut, mbahet për të 13-tën vjet me radhë dhe organizohet nën patronatin e kryetarit të komunës Sokol Haliti.
Fjalën e rastit e mbajti kryetari i komunës Sokol Haliti i cili ndër të tjerash tha se ndjehet i priveligjuar dhe shumë i nderuar, që sot të jetë nikoqir i një evenimenti shumë të rëndësishëm dhe me një peshë të madhe për komunën e Vitisë, për Karadakun dhe për gjithë Kosovën.
“Manifestimi tradicional gjithëkombëtar Kulturor e sportivë “Flakadani i Karadakut”, që personifikon figurën e dëshmorit të kombit Njazi Azemi –komandant Mjekrra, është një nga ngjarjet më kulmore në komunën e Vitisë. Flakadani si simbol i rezistencës dhe lavdisë, edhe sivjet në vitin e 13 të veprimtarisë, do të grumbullojë në Viti artistë e piktor, shkrimtar e poet, solistë e valltarë, shoqëri e Ansamble, sportistë e sportiste nga të gjitha trojet shqiptare, që me aktivitetet e tyre, të nderojmë figurën e komandant Mjekrrës dhe gjithë dëshmorëve të lirisë, të cilët dhanë më të shtrenjtën jetën, për lirinë që ne sot po e gëzojmë”, tha Haliti.
Ndërsa në emër të shoqatave të dalura nga lufta, foli Xhavit Jashari kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, i cili theksoi se është e pamundur të përmendet me fjale e gjithë veprimtaria e dëshmorit Njazi Azemi, por ajo çka vlen te thuhet është sepse gjitha luftërat çlirimtare e kanë hapur procesin e madh, procesin e bashkimit kombëtar dhe këtë veprimtari e gjejmë më së miri te komandant Mjekra.
“Ai i qëndroi besnik betimit të ushtarit të UÇK-së. Komandant Mjekrra e kishe kuptuar më së miri thënjen e Hasan Prishtinës i cili para njerëzve kishte thënë se Lirinë nuk na e fal askush por duhet fituar me luftë dhe gjakun tonë. Dhe liria kur fitohet me gjak është e qëndrueshme. Andaj për të arrit këtë është dashtë që në vend të frikës të kemi guximin dhe këtë guxim e gjejmë te Njazi Azemi që njihej si komandant Mjekra”, tha Jashari duke kërkuar nga të gjithë që të jemi të bashkuar e jo të përçarë në mënyrë që ti nderojmë ata që dhanë jetën për këtë tokë.
Ndezjen e flakadanit që edhe simbolizon hapjen solemne të Manifestimit Flakadani i Karadakut, e bënë kryetari i komunës Sokol Haliti, Xhavit Jashari, Nazmi Hajredini dhe vajza e dëshmorin Njazi Azemi, Liridona Azemi. Më pas u dha edhe një program artistik për të pranishmit në këtë ngjarje. Gjatë pesë ditëve të ardhshme, do të zhvillohen një varg aktivitetesh në kuadër të këtij Manifestimi si garat regjionale të recituesve, ora e madhe letrare, ekspozitë e artit pamor, festivali i shoqërive dhe ansambleve nga gjitha trojet shqiptare, si dhe gara sportive në futsall, volejboll,shah etj.
Manifestimi Flakadani i Karadakut, personifikon figurën e dëshmorit të kombit Njazi Azemi- i njohur si komandant Mjekrra i cili ra heroikisht në Stanec të Preshevës si zv.komandant i ZO të Preshevës./2lonline/