Nishani: Gjilani është nderi i Kosovës, nderi i kombit shqiptar dhe nderi i historisë sonë kombëtare

Nishani: Gjilani është nderi i Kosovës, nderi i kombit shqiptar dhe nderi i historisë sonë kombëtare

Pas seancës së Kuvendit Komunal, në të cilën u shpall “Qytetar Nderi” i Gjilanit, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në një ceremoni të veçantë të mbajtur në teatrin e qytetit, ka dekoruar tetë personalitete të Gjilanit, të cilët janë sakrifikuar për lirinë e shqiptarëve, me titullin “Nderi i Kombit” për Idriz Seferin dhe titullin “Dekorata e Artë e Shqiponjës” për Hasan Masuricën, Zeqir Hysen Zeqirin, Vehbi Ibrahimin, Ramadan Agushin, Haki Efendi Sermaxhaj, Rrustem Mustafë Hazirit e Sali Kupinës, pas vdekjes.

Në këtë ceremoni, të organizuar nga kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, morën pjesë personalitetet më të larta shtetërore të Kosovës e Shqipërisë, sikurse edhe familje të dëshmorëve e heronjve të kësaj komune.

Presidenti Nishani, pas shpërndarjes së dekoratave, foli i emocionuar para qindra të pranishmëve.

“Gjilani është nderi i Kosovës, nderi i kombit shqiptar dhe nderi i historisë sonë kombëtare. Qyteti juaj, poshtu edhe i imi, në historinë tonë kombëtare, është shquar për burra të pushkës dhe të mendjes. Gjilani, Karadaku, por edhe Anamorava e Kosova Lindore, historikisht i kanë vënë gjoksin dhe jetën në dispozicion të mbrojtjes së trojeve shqiptare”, tha Nishani.

“Sundimet e pushtimet sollën shumë dhunë dhe gjak në këto anë. Pushtimet, luftërat ballkanike, por edhe Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, nuk lanë asnjë familje në këto anë pa e goditur, nuk lanë asnjë familje pa e dhunuar, pa e djegur si shtëpi. Në asnjë familje nuk pati së paku një anëtar të sakrifikuar për mbrojtjen, për rezistencë, për ekzistencë dhe për përcjellje të indentitetit tonë kombëtar”, u shpreh presidenti Nishani.

Ndërkaq, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi e falënderoi presindetin Nishani, tha se ky I fundit është i pari president që nderon heronjtë e Gjilanit.

“Në përvjetorin e madh të Idriz Seferit, këtij kreshniku të Karadakut, çliruesit të Shkupit e Kosovës, njeriut që i bashkoi pushkët drejt bashkimit të shqiptarëve, dekorimi nga ana e presidentit Nishani me titullin më të lartë shtetëror, është nderi më i madh që i bëhet këtij kolosi dhe personaliteteve të tjera, qytetit të Gjilanit dhe mbarë Kosovës. Ju falënderoj edhe njëherë, që në vitin e Idriz Seferit, ju e rikthyet edhe prezencën tuaj këtu, zotëri president. Ju jeni i pari president që i nderoni heronjtë e Gjilanit”, ka thënë Haziri.

Haziri theksoi se qytetarët e Gjilanit historikisht janë kryengritës në rrethana të luftës, por paqësor në rrethana të paqes

“Ky vend, është kryengritës në rrethana të luftës, por është paqësor në rrethana të paqes. Janë njerëz punëtorë dhe kudo që jetojnë ata, me djersën dhe punën e tyre, kontribuojnë për familjet. Solidariteti i tyre është jashtëzakonisht i madh. Këta bashkëqytetarë që janë këtu e në mërgatë, zotëri president, vetëm për dy vite, kanë ndërtuar 40 shtëpi për familjet në nevojë. Ndërsa, falë policisë, prokurorisë, gjyqësorit, e mbi të gjitha, qytetarëve, asnjë vrasje me motive kriminale nuk ka pasur në Gjilan për më shumë se 3 vite e gjysmë”, ka thënë Haziri.

Përndryshe, në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2015”, presidenti Nishani ka dekoruar Mulla Idriz Gjilanin, Halim Oranën, Esat Berishën, Hetem Hazirin, Rifat Baftjajrin dhe Ymer Myqybabën.

KOMENTE