DYLON

Nishani e Jahjaga, “Qytetarë Nderi” të Komunës së Vitisë

Nishani e Jahjaga, “Qytetarë Nderi” të Komunës së Vitisë
Avatar photo Redaksia

Komuna e Vitisë me rastin e 20 vjetorit të ditës së Çlirimi, sot në sheshin e këtij qyteti ka shpallur Qytetarë Nderi, ish- presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishanin dhe ish- presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti në ceremoninë e shpalljës së dy ish-presidentëve qytetarë nderi në veçanti ka folur për rëndësinë që ka 14 Qershori- Dita e Çlirimit të Komunës së Vitisë.

“14 Qershori i vitit 1999, ishte dita kur qytetarët e Komunës së Vitisë, përfundimisht frymuan lirshëm nga dhuna dhe agresioni pushtues serb. Kjo ishte dita kur qytetaret e Komunës sonë pas përpjekjeve gati shekullore e realizuan aspiratën e vet nacionale për liri e demokraci. Në këtë ditë të lavdishme, duke kujtuar të kaluarën dhe historinë, ne ia kujtojmë vetës obligimet që kemi ndaj të gjithë atyre që ranë, u sakrifikuan dhe kontribuuan për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, në këtë ditë të rëndësishme, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se obligohemi para brezave të ardhshëm që të punojmë dhe ta ndërtojmë një vend prosperues, i cili do të jetë atdheu i sigurt i qytetarëve tanë”, u shpreh Haliti.

EkoHigjiena

Ndërkaq Bujar Nishani, ish-president i Republikës së Shqipërisë i cili që nga mëngjesi morri pjesë në aktivitet për nder të Ditës së Çlirimit u shpreh se ai është i nderuar që sot u shpall qytetar nderi të kësaj komune në veçanti pasi siç theksoi ai këtë titull e ka pranuar bashkë me ish-presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga.

Ish-presidenti i shtetit shqiptar, Bujar Nishani pos që ju ka uruar qytetarëve vitias 20-vjetorin e çlirimit, u shpreh se në këtë vit Kosova po shënon 20 vjetorin e rezistencës popullore mbi barbarinë serbe dhe 20 -vjetorin e nisjes së një partneritetit të rëndësishëm me vendet perëndimore.

Ndërkaq biografitë e dy ish-presidenteve i ka lexuar Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Naim Pira.

Sot në sheshin e qytetit të Vitisë, është mbajtur edhe një defile me mekanizmat institucionale, grupeve kulturore-artistike e sportive të kësaj komune.

Përndryshe në orët e pasdites është mbajtur edhe një aktivitet ku atdhetari vitias, Xhelil Musa është nderuar me mirënjohje për vepër jetësore nga Kryetari Haliti.

Në këtë takim pos që ka marrë pjesë ish-presidenti Nishani i cili ju drejtua edhe të pranishmeve për punën e z. Musa aty kanë marrë pjesë edhe shumë personalitete të tjera të cilët e kanë çmuar lartë kontributin e tij për shqiptarët.

Ndërkaq në qendër të qytetit të gjithë vullnetarët kanë pasur mundësinë të bëjnë dhurimin vullnetar të gjaku.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.