Niset drejt Sirisë, ndalet në Aeroport
Terrorizmi, grupet ekstremiste dhe përfaqësuesit e tyre e kanë kthyer këto ditë Kosovën në një nga vendet kryefjalë në mbarë mediet botërore. Arrestimi i mbi 40 personave të dyshuar për terrorizëm është bërë shkak që Kosova të lakohet si nga vendet që prodhon grupet ekstremiste.
Në këtë mënyrë, Prokuroria e shtetit dhe sektori i antiterrorizmit në policinë e shtetit po hetojnë çdo rast që paraqet dyshime. Sipas një burimi nga Prokuroria e shtetit, grupet ekstremiste ecin me plane të detajuara, që fillojnë me rekrutimin e të rinjve që nuk janë në kushte të mira ekonomike, shkruan Kosova Sot.
Në fillim të muajit gusht të këtij viti, policia ka mundur të ndalojë një 16-vjeçar nga Vitia, i cili ishte nisur për të shkuar në Siri. Ndaj të miturit aktualisht po vijojnë hetimet dhe pritet të zbardhen dhe lidhjet e tij me personat në Kosovë dhe jashtë saj, nëpërmjet kompjuterit dhe telefonit që adoleshentit i janë sekuestruar nga policia.
Më 5 gusht 2014, 16-vjeçari nga Vitia është zënë në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë nga forcat e policisë, të cilat gjatë kontrollit kanë dyshuar rreth të riut.
Sipas të njëjtit burim, i riu, i cili vinte nga Vitia, sapo i ka mbushur 16 vjet dhe për momentin nuk është zbuluar se a ka ndonjë lidhje me personat që tashmë janë të arrestuar për terrorizëm.
“Edhe fëmijët janë munduar t’i përfshijnë në grupet ekstremiste. Por, ky rast është një tjetër procedurë dhe ai nuk është në grupin e këtyre të arrestuarve. Ai po dyshohet për pjesëmarrje në aktivitete kriminale për terrorizëm”, ka thënë burimi në fjalë.
Mosha e tij mitur është bërë shkas që policia të dyshojë dhe ta ndalojë. Kur e kanë ndaluar ai ka treguar se ishte nisur për në Stamboll dhe atje do të lidhej me disa persona që do ta çonin në Siri
http://grid.al/read/news/158837150/8238585/16-vjecari-drejt-sirise-u-ndal-ne-aeroport
