Nis rregullimi i rrjetit të kanalizimit në fshatin Përlepnicë
/2L ONLINE/ – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu i shoqëruar edhe nga Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku – Rexhepi, kanë marrë pjesë në nisjen e punimeve në rregullimin e rrjetit të kanalizimit në fshatin Përlepnicë.
Ky projekt kap një vlerë financiare prej 90 mijë euro dhe parashihet të përfundohet për 95 ditë pune.
Me këtë rast Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Bunjaku – Rexhepi, ka thënë se programi qeverisës po dëshmohet përmes projekteve të ndryshme në infrastrukturën publike.
“Është krenari kur shohim duhe u realizuar projekte në kuadër të programit dhe përcaktimit të kryetarit, Lutfi Haziri, për rregullim të infrastrukturës publike. Në fshatin Përlepnicë, sot jemi duke parë këtë projekt, më parë kemi investuar në asfaltim dhe kështu do të vazhdohet edhe më tutje, sikur që trajtim të njejtë do të kenë edhe fshatrat tjera dhe komuna e Gjilanit në përgjithësi”, ka thënë, ndër të tjerash, Bunjaku – Rexhepi.
Ndërsa, nënkryestari Rexhep Kadriu, ka potencuar angazhimet që janë duke u bërë në rregullim të infrastrukturës publike dhe kthim të Gjilanit kah funksionaliteti.
“Sot nisi projekti për investimin e rrjetit të kanalizimit fekal në fshatin Përlepnicë. Vlera e projektit është rreth 90 mijë euro. Dinamika e përfundimit të punimeve është 95 ditë. Kjo dëshmon se Komuna e Gjilanit dhe kryetari Haziri, është i përkushtuar që infrastrukturën publike të rregullimit të ujërave të zeza ta përfundoj gjatë vitit 2016, në gjithë hapësirën e Gjilanit. Ky nuk është i vetmi projekt, do të punohet në të gjitha fshatrat e Gjilanit, ngase ne jemi futur tashmë në një program me qeverinë e Austrisë, me investime që në vlerë financiare do të jenë rreth 13 milion euro, pikërisht në kanalizime dhe rregullim të shtratit të lumenjëve”, ka thënë, nënkryetari Kadriu.
Kurse në emër të fshatit, Imami, Abdylaqim Shaqiri, ka thënë se të gjitha projektet që bëhen janë të mirëseardhura për këtë fshat dhe për banorët në përgjithësi.
“Projektet që po bëhen janë shumë të rëndësishëme për fshatin tonë dhe për qytetarët këtu. Rrjeti i kanalizimit, rruga, ura, investimi në rrugët e arave të fshatit dhe projekte të tjera, janë me shumë rëndësi dhe domethënie për neve, në krijim të kushteve më të mira për qytetarët e këtij fshati, por edhe për fshatrat tjera”, ka thënë ndër të tjerash, Shaqiri. /2L ONLINE/
