Nis ndërtimi i rrugës së re në fshatin Përlepnicë
/2L ONLINE/ – Në fshatin Përlepnicë, sot ka nisur ndërtimi i rrugës së re që lidh këtë fshat, respektivisht Komunën e Gjilanit me Komunën e Ranillugut, duke krijuar infrastrukturë të qarkullimit më të shpejt edhe në drejtim të Kamenicës dhe pikës kufitare për në “Dheun e Bardhë”, por edhe mbështetje për biznesin privat dhe zhvillimin e tyre.
Me këtë rast në këtë ngjarje të rëndësishme i pranishëm ishte edhe nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, i shoqëruar nga drejtori i departamentit të prokurimit, Salih Kqiku, ka thënë se kjo është një rrugë e cila qytetarëve u mundëson qarkullim më të shpejtë në drejtim të Kamenicës përmes fshatit Ropotovë, por edhe mbështetje dhe krijim të kushteve infrastrukturore për biznesin privat dhe përkrahjen e tyre në vazhdimësi.
“Sipas prioriteteve të përcaktuara më herët nga kryetari Haziri, sot ka nisur ndërtimi i rrugës së re nga hyrja e fshatit Përlepnicë, që është në një formë edhe rrugë regjionale, ngase i lidhë dy Komunat, Gjilanin dhe Ranillugun, duke kaluar pranë kompleksit turistik “Vali Ranch”. Kjo rrugë, është një arterie që mund të shfrytëzohet nga qytetarët për të marrë sa më shpejt pikën kufitare në Dheun e Bardhë, apo qarkullimin në drejtim të Komunës së Kamenicës, ngase do të jetë më pak e ngarkuar me vetura dhe për kohë më të shkurtë arrihet në drejtim të këtyre destinacioneve”, ka thënë nënkryetari Kadriu, duke potencuar se nga sot e tutje edhe vlera e pronave të banorëve të këtij fshati do të rritet jashtëzakonisht shumë, kur kemi parasysh ndërtimin e kësaj rruge moderne dhe me standarde të larta.
Kadriu poashtu ka bërë të ditur se në planifikimin dhe prioritetet e kryetarit Haziri, janë mbështetja edhe e sektorit të biznesit privat dhe zhvillimit të tyre në përgjithësi.
“Sot po nisim rrugën e cila kalon afër restorantit “Vali Ranch”, për të vazhduar më pas me infrastrukturë në zonën industriale pranë fshatit Cërrnicë, në fshatin Livoç Epërm, përkatësisht pranë bizneseve të mëdha siç është “Konsoni”, “Ask – Food” dhe biznese të tjera, të cilat janë në funksion të punësimeve të reja, që ne si Komunë përmes kryetarit Haziri, do t’i mbështesim në vazhdimësi”, tha Kadriu.
Ndërsa, drejtori i Departamentit të Prokurimit, Salih Kqiku, ka thënë se kjo rrugë është më një gjatësi mbi dy kilometra, me një vlerë financiare prej 350 mijë euro dhe afati për përfundimin e punimeve është 60 ditë.
Ai ka thënë po ashtu se janë shpallur punë për ndërtim të rrugëve dhe infrastrukturës në përgjithësi dhe kështu do të vazhdohet./2L ONLINE/
