DYLON

Nis mbikëqyrja e peshës së bukës dhe vlefshmëria e peshoreve në furrat e Kosovës

Nis mbikëqyrja e peshës së bukës dhe vlefshmëria e peshoreve në furrat e Kosovës
Avatar photo Redaksia

Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), gjatë ditës së sotme kanë filluar aksionin e mbikëqyrjes së peshës së bukës dhe verifikimit të afatit të vlefshmërisë së peshoreve të përdorura në furrat që operojnë në Republikën e Kosovës.

“Inspektimet kanë filluar në rajonin e Prishtinës, ndërsa gjatë ditëve në vijim aksioni do të vazhdojë edhe në komunat e tjera të vendit”, njofton Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit

EkoHigjiena

Ky aksion sipas MINTI-t,  vjen pas ankesave të vazhdueshme nga konsumatorët, të cilët kanë ngritur dyshime lidhur me mospërputhjen ndërmjet peshës së bukës së deklaruar nga shitësit dhe peshës reale të produktit të blerë.

“Si institucion përgjegjës për verifikimin e mjeteve matëse, zyrtarët e AMK-së kanë kontrolluar afatin e vlefshmërisë dhe rregullsinë e peshoreve që përdoren nga furrtarët. Përveç kontrollit të peshës së bukës, gjatë aksionit është verifikuar edhe nëse operatorët ekonomikë posedojnë pëlqimin për kushtet minimale teknike”, thuhet tutje në njofitm.

Sipas Ligjit Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, mospërputhja e masës së produktit të promovuar me masën reale të produktit të shitur konsiderohet mashtrim ndaj konsumatorit. Për këtë shkelje, bizneset mund të gjobiten me shumën prej 1,000 deri në 10,000 euro.

Ndërkaq, për përdorimin e peshoreve apo mjeteve të tjera matëse të parregullta, bazuar në legjislacionin në fuqi për metrologjinë, subjekti juridik mund të gjobitet nga 500 deri në 1,500 euro.

AMK dhe IQMT u bëjnë thirrje të gjithë furrtarëve në Republikën e Kosovës që të verifikojnë me kohë afatin e vlefshmërisë së peshoreve, të sigurojnë matjen e saktë të produkteve dhe të respektojnë të gjitha kërkesat ligjore për mbrojtjen e konsumatorëve.

Gjithashtu, bizneset të cilave u mungon pëlqimi për kushtet minimale teknike ftohen të aplikojnë sa më parë pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë Tregtisë dhe Inovacionit, me qëllim të pajisjes me dokumentacionin përkatës.

“AMK dhe IQMT do të vazhdojnë me aktivitetet e mbikëqyrjes dhe kontrollit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës për garantimin e saktësisë së matjeve, respektimit të legjislacionit dhe mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve”, thuhet në fund të njoftimit.   /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.