(2LONLINE) – Ka nisur të premten aksioni për kapjen e qenve endacak dhe më pas trajtimi i tyre konformë ligjit, në qendrën e azilit në fshatin Zhegoc të Gjilanit. kanë bërë të ditur drejtues të Drejtorisë Komunale për Bujqësi dhe të Policisë së Kosovës.
Ramiz Ramadani, drejtor i Drejtorisë Komunale për Bujqësi e Pylltari ka bërë të ditur se sot ka filluar së zbatuari një kontratë për shërbime të tilla, të trajtimit të qenve endacak me organizatën SKDCS-në (South Kosovo Dogs and Cat Shelter”, për këtë çështje.
Ramadani bëri me dije se aksioni për kapjen dhe trajtimin e qenve pa përkujdesje ka startuar sot dhe do të zgjasë tre muaj, ku SKDCS-ja e ka për obligim brenda kësaj periudhe kohore të kap 300 qen endacak (nga 100 për çdo muaj), të bëjë trajtimin e tyre që përfshinë, kastrimin, sterilizimin, dehelminizimin, vaksinimin, pastaj lirimin e 225 dhe mbajtjen e 75 qenve më agresivë në qendrën e azilit.
Sipas Ramadanit, të gjithë qentë e trajtuar pas lirimit, shenjëzohen me vath në vesh dhe konsiderohen të parrezikshëm.
Ndryshe, drejtori Ramadani ka thënë se kanë identifikuar disa vatra ku ka më shumë qen endacak si përreth shkollave, te deponia regjionale, në lagjen Arbëria, në Zabel, në Dardania, e vende tjera.
Ai i ka ftuar qytetarët që të mos hezitojnë por të njoftojnë drejtorinë mbi praninë e qenve endacak në rrethin ku jetojnë, në mënyrë që ata qenë endacak të kapen dhe të trajtohen ashtu si e parasheh marrëveshja në fjalë.
Përndryshe, vlera e këtij projekti mësohet të jetë 5 mijë e 400 euro., ndërsa Ramadani tha se kanë vënë në dispozicion për këtë aksion edhe një veterinar Alban Spahiu i cili do të jetë non stop i lidhur me ecurinë e këtij projekti.
E një aksion të tillë e ka mirëpritur edhe Komandanti i Stacionit Policor të Gjilanit, kapiteni Remzi Azemi. Ai ka thënë se ka kohë që është bërë shqetësim për qytetarët prania e qenve endacak sidomos në disa lokalitete dhe se këto shqetësime ishin raportuar edhe në Polici. Ai tha se mirëpret këtë aksion dhe kërkon nga qytetarët që edhe në polici të raportojnë për prani të qenve endacak pastaj policia do t’i ofrojë ato informacione te Drejtoria në fjalë që ata qen endacak të largohen nga rruga dhe të trajtohen sipas ligjit. /2lonline/