Nis hapja e përroskës që shkaktonte vërshime në Skifteraj
/2L ONLINE/ – Kanë filluar sot punimet në hapjen e përroskës “Gërqarica” në fshatin Skifteraj, e cila për shumë vite ka qenë pengesë dhe ka shkaktuar dëme të mëdha bujqve të këtij fshati, nga vërshimet në këtë pjesë.
Ky projekt, ka qenë i domosdoshëm për hapjen dhe rregullimin e shtratit të kësaj përroske, tha kryetari i komunës Sokol Haliti në ceremoninë e fillimit të këtij projekti , duke falënderuar për këtë ndihmesë “Caritasin e Luksemburgut” që ka ndarë një ndihmë për vërshimet.
“Ne besojmë që me këtë punë që po bëhet, do të evitohen defektet e kësaj përroske dhe të mos ketë më vërshime në të ardhmen. Ne po ashtu do të vazhdojmë në gjetjen e mundësive për rregullimin e shtratit të Lumit “Morava” në mënyrë që kjo sipërfaqe të mbjellët në tërësi e të mos mbetet djerrinë siç ka mbetur viteve të fundit”, tha Haliti.
Përfaqësuesi i fshatit Skifteraj Demush Sadiku ka thënë se pikërisht nga dëmtimi i përroskës “Gërqarica” ka qenë shkaktar që të mos mbillen qindra hektar tojkë.
“Pikërisht në këtë vend janë afër 70 hektar të pa mbjella, ndërsa po ashtu edhe në pjesë më të largëta nuk kanë mundur të mbjellën nga uji që ka vërshuar duke dal nga ky vend ku tani po punohet në hapjen e këtij kanali.
Sipas Sadikut, ky projekt ka qenë i domosdoshëm pasi që për 5 vite, kjo u ka shkaktuar dëme atyre, e duke i detyruar ata ti lënë djerrinë këto toka. Me realizimin e këtij projekti, besohet shumë që do të eliminohet ky problem, tha ai.
Veton Ademi drejtor i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka thënë se përkundër dëmeve të mëdha nga vërshimet që u janë shkaktuar këtyre banorëve, komisioni komunal për katër herë me radhë ka bërë vlerësimin e dëmeve, por asnjëherë nuk u është bërë kompensimi nga Ministria përkatëse.
Projekti i për hapjen dhe rregullimin e përroskës “Gërqarica”, ka një gjatësi prej 3.000 metrash dhe është financuar nga “Caritasi Luksemburgut”, si ndihmë emergjente për vërshimet. /2L ONLINE/
