Nis edhe një shtëpi për familjet në nevojë në Komunën e Gjilanit
/2L ONLINE/ – Në kuadër të fondit humanitar të organizuar nga Komuna e Gjilanit “Pak nga ne shumë për ata”, shoqata humanitare “Sali Çeku” në bashkëpunim me ish klubin kulturor “Muharrem Bekteshi” në Ollten të Zvicrës, iu kanë bashkangjitur kësaj nisme të kryetarit Haziri dhe kështu kanë ndarë një fond të përbashkët në vlerë prej 15 mijë euro, për ndërtimin e shtëpisë për veteranin e luftës, Xhevdet Qahili, i cili jeton në fshatin Zhegër.
Kryetari i shoqatës humanitare “Sali Çeku”, Saim Tahiraj dhe bashkëpunëtori i tij Bekë Osmani, gjatë ditës së djeshme së bashku me përfaqësuesit e Komunës së Gjilanit dhe Këshillit të fshatit Zhegër, kanë vizituar familjen Qahili dhe i kanë konfirmuar lajmin për ndërtimin e shtëpisë.
Ndërsa nga ana e tij kryetari Haziri ka falënderuar këto dy shoqata, për përcaktimin e tyre që të ndihmojnë familjet skamnore, duke bërë thirrje që shembullin e tyre ta ndjekin edhe donatorë të tjerë.
“Falënderoj këto dy shoqata, që janë përcaktuar ti bashkëngjiten vargut të gjatë të donatorëve që kanë dhënë e po japin kontributin e tyre duke dalë në mbështetje familjeve në nevojë. Kjo shtëpi dhe shumë të tjera të ndërtuara gjatë këtij viti dëshmojnë për zemërgjerësinë e madhe bashkatdhetarëve tanë kudo që ata ndodhen, dëshmojnë për solidaritetin që ne kemi kudo që ndodhemi dhe me mundësit që kemi. Ne do të jemi mbështetës të përhershëm të këtij organizimi deri në zgjidhjen e këtij problemi social, për t’ua bërë më të lehtë jetën këtyre familjeve pa kulm mbi kokë”, ka thënë kryetari Haziri në fjalën e tij.
Ndryshe, të gjithë ata që dëshirojnë të ndihmojnë në forma të ndryshme, mund të marrin informacione të sakta për deponim të mjeteve financiare në ballinën e ueb faqes zyrtare e cila është kk.rks-gov.net/gjilan, ndërsa të paraqiten te komisioni komunal për ndërtim të shtëpive në çdo kohë dhe do të marrin të gjitha informacionet lidhur me këtë fushë. /2L ONLINE/
