DYLON

Nipi, Valjeti e publikon letrën që  Rexhep Qosja e la amanet

Nipi, Valjeti e publikon letrën që  Rexhep Qosja e la amanet
Avatar photo Redaksia

Nipi e publikon letrën që akademik Rexhep Qosja e la amanet

Nipi i shkrimtarit tashmë të ndjerë, akademikut Rexhep Qosja, ka bërë publike një letër/amanetin e fundit të tij.

EkoHigjiena

“Një letër për fundin. Po e ndaj me ju si dëshmi e fjalës së tij, duke respektuar amanetin që më është besuar. Valjeti”, thuhet në postimin e Valjet Rexhepit.

NIPIT TIM VALJETIT

I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT

KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME

Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.

Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.

Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.

Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.

Vdes i qetë.

Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.

Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.

Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.

Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.

Gjyshi yt, Valjet
Rexhep Qosja
(nënshkrimi)
Prishtinë, 30.4.2016

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.