Ngritet gatishmëria kundër koronavirusit në Kosovë

Ngritet gatishmëria kundër koronavirusit në Kosovë

Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me Koronavirusin Covid-19 mbajti sot takimin e tij të rregullt në të cilin ka shqyrtuar situatën epidemiologjike në vend dhe përgatitjet që janë bërë për t’u ballafaqur me raste eventuale të këtij virusi edhe në Kosovë, marrë parasysh që tashmë, raste me Covid-19 janë konfirmuar edhe në vendet fqinje me Kosovën.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, njëherësh kryesues i Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës bëri të ditur në një konferencë për media se Komiteti vendosi sot për ngritjen në nivel më të lartë të gatishmërisë lidhur me Koronavirusin.

“Kryeministrit të vendit do t’i prezantohet kërkesa e Komitetit që të ngris shkallën e gatishmërisë në nivel të Këshillit të Sigurisë së Kosovës”, tha Ministri Vitia.

Ai theksoi se duke pasuar parasysh faktin që deri më tash nuk ka raste të konfirmuar të Koronavirusit, “ne do ta vazhdojmë me përgatitje për raste eventuale dhe hapat e tjerë do të jenë në raport me zhvillimet që do t’i kemi në terren”.

Ministri Vitia theksoi se MSh ka përgatitur Planin e Veprimit për zbatimin e Planit të Gatishmërisë dhe të Reagimit kundër Covid-19, ku ka bërë edhe përllogaritjen financiare të aktiviteteve që do të zhvillohen nga Ministria, IKSHPK, Klinika Infektive dhe instituciionet e tjera mbështetëse.

“Pra, secili hap i ardhshëm, varet nga zhvillimet ne terren”, tha Ministri Vitia.

Deri sot në Kosovë janë testuar 57 raste për koronavirus, të gjitha kanë rezultuar negative.

Gjatë ditës së sotme ndërkaq, në IKSHPK po testohen 5 raste të dyshimta, me rezultatet e të cilave publiku do të njoftohet me kohë, thuhet në njoftim

KOMENTE