Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Gjilanit, kundër të pandehurit L.H., për shkak se ka kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar .
Sipas aktakuzës L.H., duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që për vete ose për persona tjerë të përfitoi çfarëdo dobie, duke ua shkelur të drejtat e pjesëmarrësve tjerë në ankand publik.
I pandehuri më 13 qershor të vitit 2014, ka marrë vendim për shpalljen publike për dhënien me qera të parkingjeve brenda qytetit të Gjilanit. Ndërkaq, më 1 gusht të vitit 2014, lidhur me këtë Ankand publik, ka nënshkruar kontratën në mes të Komunës së Gjilanit, të cilën e ka përfaqësuar, dhe përfaqësuesit – pronarit të NTP “S.O. BEZI ” F.H.
Pas një muaji jo të plotë përfaqësuesi i kompanisë NTP “ SO. BEZI”, ka bërë kërkesë për ndryshimin e kontratës, ku ka kërkuar që të reduktohet kontrata duke i hequr disa parkingje që nuk kanë sjell fitime të mira.
Me datën 09 tetor 2014, duke mos i respektuar dispozitat e neneve 4 dhe 5 të Ligjit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës (Ligji nr. 04/L – 144), i pandehuri ka nënshkruar Aneks Kontratën me numër 630 në mes të Komunës së Gjilanit dhe përfaqësuesit – pronarit të NTP “ SO. BEZI” F.H.
Me këtë aneks kontratë Komuna e Gjilanit është dëmtuar në vlerë prej 168.000,oo euro, (për çdo vit nga 33.600,oo euro), pasi që kontrata është e nënshkruar për 5 vjet.
Kjo rrjedh pasi që me kontratën e parë biznesi “S.O Bezi” ka qenë i obliguar që në emër të qeras të paguaj vlerën vjetore prej 54.120,oo euro, ndërsa, me aneks kontratën është zvogëluar obligimi për biznesin e lartcekur kështu që tani është i obliguar që të paguaj çmimin prej 20.520,oo euro.
Sipas aktakuzës, i pandehuri L.H, me këto veprime ka kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 nënparagrafin 2.2 dhe 2.4 të KPK-së.
Prokurori e rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga Gjykata që i akuzuari të shpallet fajtorë për kryerjen e veprës penale dhe të dënohen sipas ligjit, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.