DYLON

“Ngërçi” politik dhe beteja e medieve

Avatar photo Redaksia

Shkruan: Zejnullah Jakupi

Qe sa kohë nuk kemi qeveri të re, ose kemi “ngërç politik”, mediet janë në betejë. Por se kush do të fitoj, akoma nuk dihet? Në këtë kohë krize, mediet secila, dikush më shumë e dikush më pak, po i kontribuon kësaj gjendje apatie. Nuk janë të rastësishme as dezinformatat, kampanjat politike ne këtë drejtim, kanalizimi i informatave apo shpikja e tyre, gjithmonë duke u bazuar në “linja redaksish” ato mbajnë monopol mbi fjalën e thënë e të pa thënë, bëjnë heshtjen e lajmeve të caktuara, ose japin udhë atyre minore, në mënyrë të qëllimshme.

EkoHigjiena

Mediet janë të obligueshme ta informojnë publikun në mënyrë objektive për ngjarjet politike në vend dhe nga bota, mbase në kohë krizash politike kjo betejë bëhet, si të thuash, një përgjegjësi kolektive. Si gjithnjë raportimi gazetaresk duhet të jet profesional, e kjo do të thotë çdo ngjarje duhet të raportohet ashtu pa e “ngjyrosur” duke përjashtuar ndërhyrjet subjektive të reporterit.

Ndarja e lajmit nga komenti, ka për qëllim që të informoj qytetarët të cilët, përmes informimit të plotë dhe neutral, mund të formojnë mendimin e lirë mbi çështje të caktuara siç është ky “ngërçi” e me këtë pason pyetja: Çfarë është ky blloku politik e pse ka krizë institucionale? Kush është fajtor për “ngërçin” e shkaktuar? Pse nuk hiqet dorë lehtë nga pushteti et etj? Për të evituar këtë përzierje të raportimit me komentet, po jap disa të dhëna shkencore, rreth zhvillimit në etapat historike e deri në ditët e sotme dhe mënyrës se si të evitohen ose si të kuptohet më mirë, “loja me fjalë”?

Kur lindi ideja e ndarjes së lajmit nga komenti?

Autori i parë i cili kishte gazetën për objekt hulumtimi shkencor ishte padyshim Kasper v. Stieler i cili qysh në vitin 1695 në lidhje me cilësitë e gazetës që duhet ti ketë gazeta theksoi ndër të tjerash që artikullshkruesi, ti mënjanoj të gjitha resontimentet dhe reflektionet e mundshme politike. Gazeta sipas tij duhet të raportoi për tregtinë e re në bote, pa thënë se çfarë mendimi ka ai mbi këtë, d. m. th. pa paragjykime se a do të ishte kjo e drejt apo jo?

Në këtë kohë, në gazetë, nuk kishte vend për koment, vlerësim, kritik e as që llogariteshin si të domosdoshme për gazetën. Deri në shekullin 18 vlerësimi i ngjarjeve të ditës ishte vetëm çështje e broshurave, fletushkave, traktateve, manifesteve etj. Çdo shprehje e mendimit të lirë në gazetë, jo vetëm që ishte një punë që nuk bëhej, por ishte rreptësisht e ndaluar nga censura shtetërore. Norma që përfillej në atë kohë nga gazet-shkruesi, ishte relata refero- “unë po raportoj, se çka ka ndodhur“ dhe asgjë më shumë.

Që nga viti 1750 pas konfliktit mes Prusisë dhe Austrisë, shumë gazeta preferonin artikuj ku vinte në shprehje polemika, ku sulmoheshin armiqtë. Fillet e para të shprehjes së mendimit në Gjermani ishin të rralla dhe shumë shpejt më pas u ndaluan, sepse sipas Erich Everth-it lexuesi nuk ndiente nevojën e kësaj gjinie gazetareske. Gjendja e tillë u ndryshua me lindjen e iluminizmit, që kishte për qëllim arritjen e një „niveli të arsyeshëm në veprime“ . Kjo do të thotë se nuk ishte e rëndësishme vetëm përmbajtja, por edhe mënyra e të argumentuarit dhe baraspeshimi i argumenteve.

Mënyra e të argumentuarit sipas një artikulimi të arsyeshëm më pas u realizua edhe në tema politike,sidomos pas revolucionit francez. Mirëpo kritika në gazeta drejtohej megjithatë vetëm kundër mangësive apo çrregullimet në administrata apo punëve të mundshme pa vend të autoriteteve, mirëpo prap se prap, shtypi nuk merrej me punët që bënin princërit apo qeveritë nga frika dhe ndërhyrjet nga censura. Jürgen Habermas e sheh mundësinë për ushtrimin e kritikës vetëm nga një qytetari e emancipuar, që ka synim të legjitimoj pushtetin ekzekutiv në opinionin publik.
Rreth vitit 1800 u realizua kryeartikulli- një artikull vlerësues(Reihniser Merkur), refleksiv në krye të gazetës, i cili e definonte në tërësi pikëpamjen e gazetës, pra ajo u dashtë të përshëndetet nga roli i saj si regjistrues i ngjarjeve.

Një lulëzim i Resontimentit (argumentimit të arsyeshëm) në shtyp sollën luftërat çlirimtare kundër Napoleonit. Shtypi vlerësohej si një shok i pandashëm kundër armiqve të shtetit dhe të drejtat e saja ishin pakufizuara. Por, sa përfundoj lufta me sukses kundër Napoleonit, u bë ristaurimi i shprehjes së mendimit sipas strukturave të vjetra shtetërore.

Me 1850 argumentimi i arsyeshëm nuk përbënte më tej vetëm një material formal për formimin e mendimit të lirë të lexuesit, por edhe shërbente si instrument lufte dhe ishte njëherë pasuri e përbashkët e shtypit gjerman. Sipas Kurt Koszyk sistemi i vjetër i shtypit të censuruar përfundoi bashkë me sistemin feudal dhe në vend saj lindi një shtyp politik qytetar. Argumentimi i arsyeshëm luante rolin e një instrumenti që lufton për liritë qytetare. Wilhelm Ackermann raportonte në një artikull ironik në vitin 1928 se titujt e përmbajtjeve në gazetë po politizohen me qëllim që t´i sugjeroj lexuesit një drejtim të caktuar para se ai të hyj leximit të përmbajtjeve, me qëllim për t´i dhënë atij kështu një vështrim kritik.

Sipas Harold Hurwitz në Republikën e Vajmerit ishte bërë shprehi përzierja e lajmeve dhe komentit kështu që më vonë në Gjermaninë naziste i gjithë shtypi dhe mediat u instrumentalizuan nga diktatura nacional-socialiste.

Pas luftës së dytë botërore- tradita anglo-amerikane

Pas Luftës së Dytë botërore aleatët që fituan luftën ishin të ndërgjegjshëm që ta ndihmojnë shtypin në sektorët që administronin ata bashkë me aleatët e tyre. Amerikanët kishin mendimin se ngritjen e Hitlerit në Gjermani e ndihmoi edhe shtypi, prandaj SHBA filloi menjëherë, pas kapitullimit të Gjermanisë, të njoftoi popullin gjerman përmes gazetave, të ndërtoj një shtyp i cili bazohej në idealet e traditës anglo-amerikane.

H. Hurwitz e definon një nga momentet vendimtare të këtij ideali me këto fjalë: “Nga një gazetë e madhe amerikane kërkohet ndarja strikte mes lajmeve dhe komenteve. Nga kjo mund të kuptohet se funksioni kryesor i një gazete të qëndronte aty, që të informoj gjitha lexuesit dhe të kërkoj mirëbesimin tek ata e nga kjo ata të mund të krijojnë mendimin e lirë.”.

Edhe Emil Löbel i zbuloi kundërthëniet mes idealit të shtypit në kontinentin evropian. Nga një krahasim i gazetave anglo-saksofon me ato franceze, doli se detyra kryesore e të parës ishte informimi i lexuesit. Ajo nuk përpiqej që të ju jap ngjyra lajmeve apo ti strukturoj ato sipas pikëpamjeve redaksionale.

Në kontinentin evropian, kishte përpjekje përmes gazetës të legjitimohet një udhëheqje shpirtërore dhe konsiderohej si një ent me kuptim publik dhe autoritativ.
Kundërthënien lidhur me funksionin e shtypit e shpjegon më së miri Wolfgang Koczian me sa vijon: „ Nëse sipas teorisë së iluministe thuhej se bota është e mirë, kjo të shtije të mendosh se e mira gjithmonë fiton, nëse i ndihmon të vërtetës. Një gazetar i cili mbështet në konceptin e tillë, nuk duhet ti bindet të mirës, por të së vërtetës”. Për këtë arsye gazeta sipas Koczian-it duhet të informojë mbi të vërtetën dhe të distancohet nga çdo lloj shprehje e mendimit.

Në vendet saksofone, shprehja e mendimit definohej si një liri për ta përforcuar zërin e vërtet të përgjithshëm të popullit. Në Francë p.sh: preferohej që gazetari të shërbej si edukues për të arritur të mirën, lirinë e të shprehurit, e cila gazetarit i ndihmon te përvetësoje këtë pushtet dhe krijoje opinionin publik apo e të kundërtën, ta mënjanon atë. Ndërsa për shoqëritë e anglo-sakson-it dhe të Amerikës Veriore sipas Hans A. Münster, shtypi duhet tu flas të gjithë qytetarëve, në mënyrë që ata të marrin pjesë në jetën publike.

Koncepti i shtypit amerikan ka për qëllim të transmetoj lajmet tek recipientët pa as një lloj vlerësimi.-„Amerikani nuk dëshiron nga gazeta asgjë më tepër se fakte. Ndërsa sa i përket mendimeve lidhur me faktet që botohen në shtyp, nuk ia vlen as që të harxhohet mundi për ti lexuar ato“, do të shkruante M. Weber. Heqja dorë nga komentet për amerikanët, sipas E. Dovifatit ka të bëjë me mentalitetin ekonomik amerikan. Sipas tij, amerikanët i veçojnë lajmet nga komentet për arsye se amerikanët nuk duan që lexuesi t´i bie murit me kokë. Qëllimi i këtij principi ka të bëj edhe me arritjen e tirazhit.

Ndërsa në Gjermani sektori i lajmeve është i varur nga politika redaksionale, në Amerikë kjo ndarje është strikte. E tërë puna redaksionale e komentimit që shkruhet në faqet e gazetës, përmblidhet vetëm në një faqe. Pas luftës edhe për Gjermaninë ndarja e lajmeve dhe komenteve u bë e domosdoshme dhe këtë ndarja e tillë bëhej kusht për marrjen e licencës. Aleatët kërkonin që shtypi të jetë i pavarur. Kryeartikujt nuk duhej t ´i shërbenin linjave partiake.

Gazetat e para, sidomos në sektorin britanik, në fillim nuk u lejohej madje as botimi i kryeartikulli në ballinën e gazetës. Mentaliteti gjerman ishte i tillë që gazetat gjermane tentonin vazhdimisht të impenjonin komentet në lajme. Ndarja mes lajmit dhe komentit në Gjermani arriti megjithatë të bëhej një normë e padiskutueshme. Në vitin 1967 dojeni i publicistikës gjermane E. Dovifat e quante këtë koncept, një ligj themelor në punën e lajmeve.

Për fund

Të gjitha ngjarjet doemos duhet të pasqyrohen pa vlerësuar dhe pa u paragjykuar. Norma e ndarjes të lajmit nga komenti sipas K. Schönbach duhet t´ua bëjë të njohur gazetarëve që të mos i ndryshojnë informacionet qëllimisht apo të t´i sjellin ata para aktit të kryer. Kjo nuk do të thotë se mund të ndodh vetëm duke komentuar apo duke vlerësuar lajmin.

Sipas Schönbach-ut ka edhe një metodë suptile, për ti përzier lajmet me komente e kjo bëhet kur disa ngjarje apo argumente fakte nuk përfillen, ndërsa disa të tjera merren si më të rëndësishme, ose thënë ndryshe; deri sa ne njërën anë bëhet grumbullimi i thënieve të veçanta, në anën tjetër pason heshtja e argumenteve të tjera, pra vjen në pyetje seleksionim i qëllimshëm i raportimit./2L ONLINE/