Nga sot zgjatet orari i punës
/2L ONLINE/ – Valon Maliqi. Drejtor i Administratës së Përgjithshme ka bërë të ditur se nga sot qytetarë të Komunës së Kamenicës dhe bashkëqytetarë në diasporë, do të kenë tri orë kohë më shumë për të kryer shërbimet e tyre në Komunë.
Maliqi ka bërë të ditur se Komuna ka marrë vendim për të zgjatur orarin e shërbimeve për shkak të fluksit veror të shtuar të qytetarëve, sidomos të atyre nga diaspora, për t’u pajisur me dokumente të ndryshme personale.
Gjatë muajve të verës është eleminuar periudha e pauzës dhe do të punohet non-stop nga ora 08.00 deri në 18.00. Qendra për Shërbime me Qytetarë punon me orar të zgjatur me katër sektorët e saj: Sektori i Kërkesave, Sektori i Ofiqarisë, Sektori i Tatimit në pronë dhe Arka.
“Gjithashtu inkurajojmë të gjithë qytetarët që kanë ndonjë ankesë ndaj shërbimeve që i marrin, ose ndaj shërbyesve civil në komunë, që të paraqesin vërejtjet e tyre qoftë drejtpërdrejt ose me shkrim edhe në kushte anonimiteti përmes kutisë së ankesave që është e vendosur në hyrje të objektit të komunës,me qëllim të rritjes të efikasitetit në kryerjen e shërbimeve dhe marrjen e masave ndaj zyrtarëve që nuk janë në kryerje të detyrës zyrtare”, thotë Valon Maliqi. Drejtor i Administratës së Përgjithshme. /2L ONLINE/
