DYLON

Nga malli për vendlindjen te pritjet në kufi: Çfarë po i ofrojmë mërgatës?!

Nga malli për vendlindjen te pritjet në kufi: Çfarë po i ofrojmë mërgatës?!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Arlind Vokshi

Sa herë afrohet vera, Kosova fillon të flasë për mërgatën. Organizohen aktivitete, mbahen fjalime, dhe përsëriten fjalët për kontributin e bashkatdhetarëve tanë.

EkoHigjiena

Por një pyetje duhet ta bëjmë të gjithë:

A po e festojmë vërtet mërgatën, apo po përpiqemi vetëm të krijojmë përshtypjen se po bëjmë diçka për të?

Mijëra bashkatdhetarë marrin rrugën çdo vit. Ata udhëtojnë me qindra e mijëra kilometra për të ardhur në vendlindjen e tyre. Kalojnë kufij, presin me orë të tëra në kolona, përballen me trafik dhe lodhje, vetëm për të ardhur te familja, te miqtë dhe te njerëzit e tyre.

Dhe pyetja është: Çfarë po bëjmë ne për ta?

Ku janë lehtësimet konkrete?

Ku është organizimi më i mirë në kufi?

Ku është infrastruktura dhe shërbimi që do t’u tregonte atyre se shteti i konsideron vërtet pjesë të rëndësishme të shoqërisë?

Mërgata jonë nuk është një fenomen sezonal që duhet të kujtohet vetëm gjatë muajve të verës. Ata janë pjesë e këtij vendi gjatë gjithë vitit. Kontributi i tyre ekonomik, social dhe familjar është i jashtëzakonshëm.

Por, përkundër kësaj, shpesh duket sikur i trajtojmë si “ata” dhe “ne”.

Kur vijnë në Kosovë, shumë prej tyre përballen me një realitet tjetër: trafik, pritje të gjata, shërbime jo gjithmonë në nivelin e duhur dhe, jo rrallë, një perceptim se me ardhjen e tyre mund të rriten edhe çmimet.

A është ky respekti që meritojnë njerëzit tanë?

Mërgimtari mund të zgjedhë të pushojë në çdo vend tjetër të botës. Mund të shkojë  në shumë vende të tjera ku mund të kalojë pushimet pa kaluar orë të tëra në kolona dhe pa u përballur me vështirësi të panevojshme.

Por ai zgjedh Kosovën.

Zgjedh vendlindjen.

Zgjedh familjen.

Zgjedh rrënjët e tij.

Dhe kjo duhet të vlerësohet.

Prandaj, në vend që ta shohim mërgatën vetëm si burim të ardhurash apo si numër votash në kohë zgjedhjesh, duhet ta shohim si pjesë të pandashme të shoqërisë sonë.

Mërgata nuk duhet të jetë mysafire në vendin e vet. Ajo është pjesë e këtij vendi dhe duhet të trajtohet si e tillë.

Le të mos e përdorim Ditën e Mërgatës për të treguar sa shumë flasim për ta. Le ta përdorim për të treguar sa shumë bëjmë për ta. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.