“Nga errësira në dritë” synon vetëdijesimin e të rinjve kundër dukurive negative
Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Gjilan, Jeton Rexhepi, ka pritur në një takim pune drejtorin e Drejtorisë së Policisë në Bashkësi dhe Parandalim (DPP) në Prishtinë, Ramadan Ahmeti, si dhe koordinatorin për komunitet dhe parandalim në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjilan, Fatos Latifi, transmeton 2LONLINE.
Gjatë takimit, major Ahmeti prezantoi projektin “Nga errësira në dritë”, një iniciativë që do të realizohet në bashkëpunim ndërmjet DPP-së dhe DKA-së në Gjilan. Projekti synon ngritjen e vetëdijesimit tek të rinjtë për dukuritë negative në shoqëri, me theks të veçantë në parandalimin e përdorimit të drogave.
Drejtori Rexhepi e vlerësoi këtë bashkëpunim si të domosdoshëm për edukimin dhe orientimin e gjeneratave të reja. “Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të të rinjve për të bërë zgjedhje të shëndetshme dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt për ta,” theksoi ai, duke shtuar se përfshirja e institucioneve arsimore dhe policore është kyçe në luftimin e dukurive negative, transmeton 2LONLINE.
Përveç aspektit edukativ, projekti promovon mendimin kritik dhe nxit angazhimin aktiv të nxënësve përmes artit dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me policinë. Në kuadër të tij, nxënësit do të angazhohen në krijimin e punimeve artistike si piktura, dizajne në tekstil dhe forma të tjera kreative, duke përdorur materiale të ndryshme që aplikohen në shkollë.
Zbatimi i projektit është planifikuar të zhvillohet gjatë muajve prill dhe maj 2026, në Shkolla e Mesme e Arteve Pamore “Adem Kastrati”, ku pritet të përfshihen nxënës të shumtë dhe të prodhohen punime që reflektojnë mesazhe kundër dukurive negative në shoqëri. /2LONLINE/
