Nga ëndrra amerikane te siguria kombëtare: Kosova po ndërton kapacitete sigurie për të ardhmen
Shkruan: Burim Korqa
Kontributi i Ridvan Aliu, puna dhe vizioni i të cilit po shndërrohen në një aset me rëndësi të veçantë për Kosovën dhe sigurinë e saj afatgjate.
Ashtu si shumë të rinj Kosovarë pas luftës, Ridvan Aliu dhe shokët e tij u arsimuan dhe u formuan profesionalisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës??, duke realizuar ëndrrën e çdo të riu për sukses dhe zhvillim. Por ajo që i bën këto histori të jashtëzakonshme është fakti se Kosova nuk u harrua asnjëherë.
Sot, bashkë me figura të shquara si Faton Bislimi, një Harvardian dhe tashmë mbi 20 vite zë i fuqishëm i Kosovës e Shqiptarëve anembanë në Washington D C, Lou Sylaj & Driton Sylaj, biznesmenë të suksesshëm në New Jersey, Artan Ismaili, inxhinier në Microsoft, dhe shumë profesionistë të tjerë me të cilët u nis për shkollim në SHBA, Ridvan Aliu po e kthen dijen dhe përvojën ndërkombëtare në shërbim të shtetit me Future Minds Academy.
Nga arsimi te siguria kombëtare.
Nën udhëheqjen e Ridvan Aliut, Future Minds Academy (FMA) ka nisur prodhimin e dronëve, përfshirë dronët SKIFTERI, duke e pozicionuar Kosovën në një fazë të re të zhvillimit teknologjik dhe të sigurisë.
FMA pritet të hapë 20 laboratorë për ndërtimin e dronëve në të gjithë Kosovën, ku secili laborator do të punësojë rreth 20 persona. Rekrutimi për fabrikën e dronëve në Gjilan do të bëhet drejtpërdrejt nga këta laboratorë, duke krijuar një zinxhir të qëndrueshëm të inovacionit, punësimit dhe zhvillimit ekonomik.
SKIFTERI –Teknologji vendore për siguri.
Droni SKIFTERI Intel, i pajisur me inteligjencë artificiale të zhvilluar nga ekipi i Future Minds Academy, identifikon objektet e klasifikuara si të rrezikshme, miqësore ose neutrale. Kjo teknologji po trajnohet dhe përmirësohet çdo ditë në Kosovë, duke ndërtuar kapacitete vendore në një fushë strategjike për sigurinë kombëtare.
Investim në arsim, investim në të ardhmen
Një hap tjetër i rëndësishëm është akreditimi i Future Minds High School, shkollë e mesme profesionale në Inxhinieri Softuerike, e cila synon të përgatisë gjeneratat e reja për profesionet e së ardhmes dhe për ndërtimin e zgjidhjeve reale për shoqërinë dhe shtetin.
Kosova po ndërton siguri nga brenda
Nga këndvështrimi im si pjesë e shoqërisë civile me mbi 23 vite, këto zhvillime dëshmojnë se kur diaspora, arsimi dhe inovacioni bashkohen, Kosova fiton. Investimi i familjeve Kosovare e në veçanti atyre gjilanase, pas më shumë se dy dekadash, po kthehet në zhvillim konkret, punësim dhe forcim të sigurisë kombëtare.
Kosova po ndërton kapacitete.
Kosova po investon në dije.
Kosova po forcon sigurinë e saj. /2LONLINE/
