DYLON

Nga aktiviteti Rotarian sigurohen mbi 30 mijë euro për bursa për nxënësit dhe studentët

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Edhe në këtë fundvit, Klubi rotarian Gjilan, organizoi “Darkën tradicionale të fundvitit’, që përveç karakterit të shoqërimit dhe kënaqësisë që e ndjejnë rotarianët kudo nëpër takime të tilla të përbashkëta, ka edhe karakter bamirës, sepse mjetet e grumbulluara nga ky aktivitet do të përdorën për një projekt konkret në shërbim të komunitetit, në këtë rast, kemi të bëjmë me mbështetje për nxënës dhe studentë. Ky aktivitet rotarian tani më është tradicional dhe që organizohet në çdo fundvit, dhe e veçanta e këtij viti është se kësaj here bëhet në bashkëpunim me Zyrën e kryetarit të Komunës, përkatësisht kryetarin Lutfi Haziri.

Programi ka ngërthye në vete edhe ankandin e shitjes së pikturave nga ku janë grumbulluar mjetet për fond, por edhe janë deklaruar donacione nga vullnetmirët për fondin në fjalë, që bashkë edhe me tiketat hyrëse, vlerësohet të kapin vlerën e mbi 30 mijë eurove. Natyrisht tani RC Gjilani pasi do të bëjë inkasimin edhe të atyre që janë deklaruar si donacione por kanë ngelur ta realizojnë atë duke i derdhur mjetet në fond, RC Gjilan do të dal me shumë të saktë.

EkoHigjiena

Përndryshe, kreu i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri tha se ndihet krenar dhe i kënaqur për shumën që u grumbullua dhe u premtua në këtë mbrëmje humanitare, me të cilat do të ndihmohen nxënësit dhe studentët dhe ka vlerësuar lartë angazhimet rotariane veçmas të Klubit rotarian Gjilani.

“E falënderoj klubin rotarian Gjilani si dhe Prishtina International për këtë iniciativë të mrekullueshme dhe shpreh zotimin se Komuna e Gjilanit do të mbështesë gjithmonë iniciativat e tilla e që në këtë rast i dalin ndihmë nxënësve e studentëve gjilanas. Shuma e cila është mbledhur ka tejkaluar parashikimet tona dhe kjo më bërë krenar. Komuna ka bashkëpunuar me rotarianët e Gjilanit dhe të Prishtinës në disa projekte në të mirë të nxënësve të Gjilanit dhe për këtë shprehi falënderim të madh. Këtë bashkëpunim do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen”, ka thënë kryetari Haziri.

Kryetari i Klubit Rotarian Gjilani, Sami Spahiu tha se Klubi rotarian Gjilani, tani e sa vite, organizon darkën tradicionale të fundvitit. “Pikësëpari me qëllim te shoqërimit dhe krijimit të miqësive të reja, gjithmonë në frymën tonë rotariane duke përfituar nga kjo frymë dhe ky rast miqësie ne do të mendojmë edhe për të tjerët: në këtë rast për të rinjtë, për shkollarët, nxënës dhe studentë. Për ata që kanë nevojë për ne, dhe në veçanti të mendojmë për të ardhmen tonë në përgjithësi”.

“Prezenca e juaj në këtë mbrëmje ka një domethënie të madhe sepse ju me ketë pjesëmarrje në këtë darkë, keni kontribuar direkt në projektin që ne si Klub Rotarian GJILANI, e kemi përzgjedhur kësaj here, e që ka të bëjë me grumbullimin e mjeteve që do të shërbejnë për një numër të caktuar të nxënësve apo studentëve , që do të jenë përfitues, për aq sa do të mundësojë fondi që do të grumbullohet”, ka thënë Spahiu.

Anëtari i Bordit tre-shtetëror Mazllum Belegu ka sjellë përshëndetjet në emër të këtij Bordi por edhe në emër të kryetarit të Këshillit të Klubeve Rotariane të Kosovës duke vlerësuar lartë këtë organizim të madh në Gjilan dhe qëllimin e mirë që e kanë për të kontribuar për nxënës e studentë. ndërkohë që edhe Ilmi Hajdini, kryetar i Rotarakt Klubit Anamorava, ka folur për të rinjtë rotarian që njihen si rotaraktorë dhe për angazhimin e tyre në shërbim të komunitetit.

Përndryshe në këtë mbrëmje është bërë edhe zyrtarizimi i rotarianëve të ri që do të jenë pjesë e RC Gjilan , duke bërë që ky klub të rritet. Pjesa e saj janë bërë edhe: Lutfi Haziri, Fehmi Fetahu, Fatmir Arifi e Gëzim Kllokoqi. Po ashtu janë zyrtarizuar edhe rotaraktorët e rinj Blerinë Halimi. Vesa Beshtica, e Fatlum Agushi që tani e tutje janë bërë pjesë e RCT Anamorava.

Me mirënjohje nga RC Gjilan janë nderuar RC Prishtina Internacional dhe rotariani Sylë Alaj, e edhe nga Zyra e Kryetarit është nderuar me mirënjohje RC Prishtina Internacional si dhe RC Gjilani, për mbështetje në projekte.
Programi tutje ka vazhduar me ankandin e shitjes së pikturave nga ku janë grumbulluar mjetet për fond, por edhe janë deklaruar donacione për fondin në fjalë që bashkë edhe me tiketat hyrëse, kapin vlerën e mbi 30 mijë eurove.

Këto mjete RC Gjilan pastaj, pasi të kalojë nëpër procedura, do t’u ndahen nxënësve dhe studentëve, për të cilët edhe janë dedikuar. Vlen të theksohet se të pranishmit janë argëtuar me muzikën e djemve nga Grupi “The Collektive”, ndërsa RC Gjilan do të deklarojë në ditët në vijim raportin final të Fondit nga aktiviteti “Darka e Fundvitit”. /2L ONLINE/