Nga 1 shtatori fillojnë trajnimet pa pagesë për nxënësit e talentuar
Shoqata e Matematikanëve të Gjilanit dhe Drejtoria Komunale e Arsimit në Kamenicë kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi, përmes të cilit institucionalizohet bashkëpunimi ndërmjet dy palëve dhe krijohet një kornizë e qëndrueshme për zhvillimin e aktiviteteve në fushën e matematikës në Komunën e Kamenicës.
Memorandumi u nënshkrua nga kryetari i Shoqatës së Matematikanëve të Gjilanit, Bregan Isufi, dhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Kamenicë, Selami Klaiqi. Në nënshkrimin e Memorandumit mori pjesë edhe kryetari i Degës së Shoqatës në Kamenicë, Agon Mahmuti.
“Një nga hapat e parë konkretë në kuadër të këtij bashkëpunimi do të jetë fillimi, nga 1 shtatori, i programit të trajnimeve (kurseve) pa pagesë për nxënësit e talentuar dhe ata me potencial të lartë në matematikë në Komunën e Kamenicës”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Matematikanëve të Gjilanit, transmeton Portali 2LONLINE.
“Përmes këtyre trajnimeve synojmë t’u ofrojmë nxënësve mbështetje të vazhdueshme profesionale, të zhvillojmë potencialin dhe aftësitë e tyre matematikore, si dhe të krijojmë një sistem të organizuar të përgatitjes për gara dhe olimpiada të matematikës”:, thuhet tutje në njoftim.
Memorandumi krijon një bazë shumë më të gjerë bashkëpunimi. Ai parasheh mundësinë e organizimit të garave, olimpiadave, kupave, kampeve, klubeve dhe kurseve plotësuese; identifikimin dhe mbështetjen e nxënësve me potencial në matematikë; organizimin e punëtorive dhe aktiviteteve për ngritjen profesionale të mësimdhënësve; hartimin e materialeve mësimore dhe bankave të detyrave; realizimin e hulumtimeve dhe analizave, si dhe organizimin e konferencave, ligjëratave dhe aktiviteteve të tjera akademike.
Në kuadër të bashkëpunimit parashihet gjithashtu mundësia e shfrytëzimit të hapësirave shkollore dhe publike, si dhe planifikimi dhe realizimi i projekteve të përbashkëta me interes për nxënësit, mësimdhënësit dhe komunitetin arsimor të Kamenicës.
Për Shoqatën e Matematikanëve të Gjilanit, ky Memorandum paraqet një hap të rëndësishëm drejt institucionalizimit dhe krijimit të qëndrueshmërisë së aktiviteteve për zhvillimin e matematikës, duke e shndërruar bashkëpunimin me institucionet arsimore nga iniciativa të veçanta në një proces të planifikuar, të koordinuar dhe afatgjatë.
“Falënderojmë Drejtorinë Komunale të Arsimit në Kamenicë dhe drejtorin, z. Selami Klaiqi, për gatishmërinë dhe bashkëpunimin institucional, si dhe Degën e Shoqatës në Kamenicë, e cila do të ketë një rol të rëndësishëm në koordinimin dhe zhvillimin e aktiviteteve në nivel lokal”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Matematikanëve të Gjilanit, transmeton 2LONLINE.
Shoqata do të vazhdojë të punojë që talenti në matematikë të identifikohet, të mbështetet dhe të ketë hapësirën e duhur për t’u zhvilluar.
“Nga 1 shtatori fillojmë me hapa konkretë – trajnime pa pagesë, më shumë mundësi dhe më shumë mbështetje për talentet e matematikës në Kamenicë”, përfundon njoftimi. /2LONLINE/
