DYLON

Nexhmedin Ymeri, artisti shumëdimensional që i dha jehonë zhvillimit kulturor në Gjilan

Nexhmedin Ymeri, artisti shumëdimensional që i dha jehonë zhvillimit kulturor në Gjilan
Avatar photo Redaksia

Krijimtaria e pasionantit për artin skenik që dhuroi emocione dhe kënaqësi të vazhdueshme.

Nga: Isak N. Bilalli

EkoHigjiena

Nexhmedin Ymeri e ka të vështirë të bëjë dallimin në perspektivën e afrimitetit kur duhet të zgjedh mes dy dashurive të tij, gazetarisë dhe teatrit, njërën e kishte profesion e tjetrën pasion, të cilat ai i quan të përjetshme dhe të shenjta.

Për të elaboruar mbi dritëhijet dhe rolin e tij për artin skenik do të ishte jo korrekte që të flasim vetëm për krijimtarinë artistike dhe te mos trajtojmë edhe kontributin në radio zhurnalistikë dhe influencën indirekte publike qe ka pas ky artist në ngritjen e zhvillimit kulturore përmes profesionit të tij.

Rrugëtimi i tij profesional, trajtohet si një nga rastet e rralla ku ka funksionuar binomi gazetari-teatër në shërbim të ngritjes kulturore, në të cilën karrierë artistike, ai shquhet si aktori me zë të veçantë dhe me potencial krijues të bollshëm që nuk kurseu asgjë nga vetja për të shtyrë përpara zhvillimin kulturore të shoqërisë kosovare.

Është parësore të përmendet që Nexhmedin Ymeri përmes radio-gazetarisë ka hyrë në çdo familje gjlanase dhe më gjerë përmes kronikave dhe transmetimeve të ndryshme, të cilat i ka realizuar ndër dekada, si një nga profesionistët më të aftë dhe një nga zërat par-excellence që sot e asaj dite identifikohet si pjesë e historisë së qytetit.

Nexhmedin Ymeri, është vet Radio Gjilani sepse, ai edhe pse, që nga viti 1977, ushtronte detyrën e kryeredaktorit të këtij institucioni vital kulturor, pothuajse asnjëherë nuk iu nda mikrofonit vetëm e vetëm të ishte në kontakt me dëgjuesit.

Nuk është rastësore zgjedhja e tij për zhurnalistikën si profesion primar dhe ndërthurja që ai beri me teatrin në rrugëtimin e tij jetësor, sepse këto dy disiplina ndikojnë cilësisht në formësimin sa më të ngritur kulturor të një shoqërie.

Për Nexhin, më shumë se profesioni është pasioni i tij i zgjedhur- teatri, që sipas tij ndikon më së shumti në emancipimin dhe zhvillimin kulturor të shoqërisë për të cilin kontribut, sot ai ndjehet i plotësuar dhe krenar mbi të arriturat dhe sukseset e teatrit dhe të shoqërisë kosovare në raport me zhvillimin kulturor të synuar.

Nexhmedin Ymeri, rikujton me shumë nostalgji fillimet e karrierës se tij, fillim vitet e ’70-ta, si vite të vështira ku nevoja ishte shumë e madhe për ta furnizuar me ushqim kulturor shoqërinë e kohës dhe kjo barrë i takonte të gjithë atyre artdashësve që punonin ditë e natë, për t’i plotësuar nevojat e shoqërisë kosovare. Ishin vite ku gjithçka punohej me pasionin e madh për të ngritur në piedestalin më të lartë këtë institucion përmes projekteve serioze që sot trajtohen kryevepra që vënë gurthemelet e folesë së kulturës që quhet teatër.

Nexhi, i moshës rinore, ishte një dashamirës i artit skenik që synonte të merrte role në teatër me qëllimin për të avancuar dhe për t’i dhënë gjallëri jetës kulturore në Gjilan, por vendin e punës e kishte në radio, prej nga mbulonte me shumë pasion sportin dhe kulturën dhe jo vetëm.

Arti dramatik ishte dashuria e tij më e madhe, ndaj edhe nuk iu nda skenës pothuajse asnjë moment edhe pse në periudha të ndryshme jetësore iu desh që kontributin ta ushtronte jo gjithmonë në mënyrë direkte duke u angazhuar me role të ndryshme në skenë.

Pyetjes, se çka është teatri për të, Nexhmedin Ymeri iu përgjigj fare thjeshtë: “Teatri është emocion, madje shumë i fortë”.

Duket se për të, teatri është thesari më i madh në të cilin njerëzit e shtresave dhe niveleve të ndryshme vijnë për të përvetësuar vlera, në teatër njerëzit vijnë me dëshirën për te gjetur vullnetin për ndryshim dhe për të përqafuar këtë gjendje të re, e cila i bënë njerëzit të jenë më gjenerozë, më bujarë, më miqësorë dhe me dashamirës me njëri-tjetrin dhe të jenë në shërbim për njeri-tjetrin.

“Teatri si nocion është kultura jonë, është niveli njerëzor e intelektual dhe nëse vrojtojmë me kujdes, atë se çfarë shohim në skenë është pika fillestare apo pikënisja prej nga zë fill ndryshimi i jetës njerëzore, kuptohet për së miri. Duhet ta kuptojmë që qenia njerëzore është e prirë për të përvetësuar gjërat e mira, gjërat e bukura, apo për të rikthyer në praktikën jetësore ato elemente që kemi harruar të i zbatojmë ashtu siç duhet. Në këtë konteks, teatri përmes trajtimit të temave të ndryshme socio-kulturore dhe historike e bënë njeriun t’i rikthehet dhe t’i ripërvetësojë këto vlera”, shprehet Nexhmedin Ymeri.

Cili ishte realisht rrugëtimi artistik që ndoqi Nexhmedin Ymeri për t’i realizuar objektivat e tij profesionale?!

Realisht, për të kuptuar kontributin e Nexhit në teatër duhet të kthehemi në kohë, në vitet e rinisë së tij, kur ai pas përfundimit të shkollës së mesme, filloi studimet në fakultetin Filologjik për Gjuhë e Letërsi dhe vendoset në Prishtinë. Aq sa ishte rastësore, ishte edhe e shkruar në prizmin e mbarësisë që, Nexhmedin Ymeri të vendoset në të njëjtën dhomë qëndrimi në barakat e studentëve bashkë me Nuhi Matoshin e Sabedin Shahiqin, dy bashkëvendës që ndiqnin studimet në degën e Artit Dramatik.

Në njëfarë forme këtu edhe fillojnë shkëndijat e para të nisjes së rrugëtimit artistik dhe bashkëpunimeve që nuk u ndërprenë asnjëherë me miqtë e tij që ndante dhomën dhe me vonë edhe skenën. Në barakat e studentëve, Nexhi vendosi t’ia dedikojë jetën gazetarisë dhe teatrit duke qenë koshient se ai e kishte dhuratë nga zoti, zërin e tij dhe pasionin për skenën që dëshironte me çdo kusht ta shihte në nivelet më të larta të zhvillimit, ashtu edhe bëri.

Pa humbur kohë, si student i bashkohet aradhes së aktorëve në shfaqjen “Familja e peshkatarit”, që po e vënte në skenën e Teatrit të Gjilanit, shoku i dhomës se tij, Nuhi Matoshi.

Nexhmedin Ymeri fascinohet nga interesimi i madh i të rinjve gjilanas sepse aty gjen një numër të madh aktorësh të rinj (Halil Gashi, Ruzhdi Mehmeti, Muharrem Sylejmani, Sabedin Shahiqi, Jashar Shahiqi, Hasan Matoshi, Sebahate Ibrahimi, Miradije Fejzullahu, Mejreme Berisha, etj) me të cilët ndante të njëjtën ëndërr dhe me shumë endje fillon rrugëtimin e tij artistik.

Me shumë nostalgji ai rikujton rolin tejet konstruktiv dhe vizion-pamës të drejtorit të shtëpisë së teatrit të asaj kohe (fillimet e viteve ’70-ta), Ibrahim Shabani, i cili këtë mobilizim të fuqishëm rinor dhe potencial artistik, synonte hapur ta artikulonte si nevojë që Teatri i Gjilanit të trajtohej si teatër profesionist, jo pse drejtori Shabani e kishte dëshirë të veten, por koha dëshmoi që ky teatër e meritonte.

Shfaqjet që pasuan sidomos në fundvitet e 70-ta dëshmuan se ky teatër jo vetëm që meritonte këtë titull profesional, por ishte minimumi që duhej bërë për të vlerësuar punën e aktorëve dhe regjisorëve me të cilët, ky institucion u dekorua si me i miri jo vetëm në nivel krahinor e republikan, por edhe federativ, në mënyrë të përsëritur.

Për të prekur sadopak dimensionin e sukseseve të shfaqjeve që prodhonte Teatri i Gjilanit, ai përmend pikërisht shfaqjen e tij të parë: “Familja e Peshkatarit”, respektivisht interesimin e madh që kishte publiku për të ndjekur një shfaqje, sa dyert e teatrit u thyen nga publiku, vetëm e vetëm, që të mos mbesin jashtë, pa e parë këtë performancë të shkëlqyer. Fenomeni i thyerjes së dyerve në Gjilan ka qenë fenomen i përsëritur sa që kishte ngritur reagim interesant në mesin e artisteve të kohës. Nexhi, rikujton komentet e aktorit Enver Petrovci, i cili ndjehej shumë i ngazëllyer për hapjen e dyerve “me forcë”, nga publiku gjilanas, duke e cilësuar atë dhe teatrin si më ambiciozët dhe më të vyerit e kohës, komente të cilat i kishte përcjellë përmes valëve të radios dhe të gazetave të kohës.

Nexhmedin Ymeri ishte promotori kryesor për punën e teatrit dhe mbante publikun të përditësuar përmes valëve të Radio Gjilanit deri në detajet më të vogla, si në paralajmërimin e mbajtjes së aktiviteteve teatrale, por edhe me vlerësimet e kritikat që paraqisnin njerëzit e penës.

Nexhmedin Ymeri është bartës i shumë roleve në teatër, por nga më të veçuarit janë rolet e tij në shfaqjet që kanë bërë diferencën në prizmin e arritjeve dhe sukseseve që ka arritur, jo roli i tij, por shfaqja si projekt teatral.

Rolet, qofshin të vogla apo kryesore, janë detyrë që të besohen nga regjisori në të cilën përzgjedhje asnjëherë nuk duhet të ketë hatërmbetje, por duhet me potencialin që ke, ta shtrydhesh aq sa kërkohet prej teje. Në këtë kontekst Nexhi gjithmonë ka qenë i njëtrajtshëm dhe respektues i vendimeve sepse ai ka funksionuar gjithmonë si ekip dhe me ekipin.

Projektet madhore me të cilat Teatri i Gjilanit ka shkruar historinë si “Aradha qiellore”, “Princi i hijeve” “Monserati” , “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”…,  janë shfaqjet për të cilat, Nexhmedin Ymeri flet me një pasion të veçantë e mburrje, shfaqje në të cilat ai ka bërë punën e tij si aktor.

Ai është modest dhe nuk preferon shumë të flas për veten e tij dhe për lëvdatat që i ka pranuar nga publiku, për rolet që ka realizuar gjatë karrierës së tij artistike.

Interesante për publikun është të shpalosen detaje që në këtë rast kanë të bëjnë me prapaskenën respektivisht me vlerësimin e publikut lidhur me realizueshmërinë e rolit te aktorit, për të cilat Nexhi, me kënaqësi tani dëshiron të ndajë me lexuesin.

Ai, në një nga rolet negative në skenë, në festivalin e teatrove në Preshevë, keqkuptohet nga dikush në publik ngaqë ai realizoi rolin me shumë natyrshmëri dhe siguri, sa që, pas përfundimit të shfaqjes, personi në fjalë i afrohet dhe përplaset verbalisht me të, ngaqë atij i ishte krijuar përshtypja se vërtete ky aktor ishte smirëzi, mizor e manipulues! Normalisht, ka pasuar ndërhyrja e personave nga salla për të shpjeguar që në jetën reale aktori është një njeri me vlera dhe norma të rregullta dhe në skenë vetëm se ka trajtuar një rol që ka përkuar të jetë negativ për nga natyra. Kjo situatë dëshmon që ky aktor, gjatë karrierës së tij ka trajtuar role të niveleve dhe natyrave të ndryshme psikologjike të cilat role është dashur të përpunohen dhe të shtjellohen në mënyrë profesionale, të cilën detyrë e ka realizuar me përkushtim dhe saktësi skenike.

Nexhi, nuk preferon të ndalet shumë në rolet dhe në emocionet që jep skena sepse këto janë ndjenja të fuqishme dhe përjetime të papërsëritshme, sepse fundja kanë të bëjnë më shumë në aspektin a arritjes dhe përjetimit personal, por më shumë preferon të flas për teatrin në tërësi. Kur flasim për teatrin, sipas Nexhit, “Gjenerali…” i Kadaresë është kthesa e madhe në rrugëtimin profesional të teatrit përmes se cilës shfaqje, Gjilani nis trajektoren e zhvillimit te hovshëm dhe të pandalshëm profesional. Kjo shfaqje “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, me regji të Fetah Mehmetit, ishte kryeshfaqja e Teatrit të Gjilanit, që sipas Nexhmedin Ymerit, Teatri i Gjilanit veçse ka arritur edhe të tejkalojë standardet e kohës për të marrë statusin e Teatrit Profesionist, që sipas tij, ky institucion ka funksionuar si i tillë, anise, sistemi i kohës ka nxjerrë artifice të ndryshme terminologjike duke e quajtur, herë si gjysëm profesional, e herë thjesht vetëm si teatër.

Nexhi, ndjehet krenar qe ka luajtur në këtë shfaqje dhe pothuajse në shumicën e shfaqjeve të kohës, të cilat atij i kanë dhënë me shumë se publikut ndjenjën e kënaqësisë dhe të privilegjit për të paraqitur vlerat në skenë.

Një nga shfaqjet më të dalluara të Teatrit të qytetit, “Monserati” me regji të Muharrem Shahiqit, ishte një shfaqje ku ai luajti rolin kryesor, rol me të cilin, arriti të paraqes nuanca të dallueshme të filozofisë aristokraciste me kulturën dhe mendësinë shqiptare, në të cilin rol është dashur që aktori të ketë horizont të gjerë krijimi, për ta realizuar në dimensionin që është kërkuar. “Monserati” dhe role të tjera të realizuara në skenë kanë bërë që Nexhi, të jetë ky artist që ne njohim, dhe për këtë kontribut ai ndjehet i privilegjuar dhe mirënjohës që kishte mundësinë të vihej në shërbim. 

Puna e Nexhit ka qene e përqendruar, jo vetëm në skenë!

Nga cilësia e kryeredaktorit në Radio Gjilan, Nexhi ishte ura lidhëse mes Radio Gjilanit dhe Teatrit, jo vetëm në raportimin apo edhe të transmetimit të vlerësimeve dhe kritikave letrare, për aktivitetet kulturore të kohës, por ishte pika ndërlidhëse e krijimit të hapësirave shtesë ku pothuajse e gjithë plejada e aktorëve shfrytëzonin valët e Radio Gjilanit, për të qenë në kontakt me artdashësit.

Nexhi, gjente tema me dhe pa shkas, ftonte aktorët të jepnin radiodrama, recitime, deklamime poetike, lexime të teksteve dramaturgjike etj, me qëllimin e vetëm që dëgjuesit dhe artdashësit të ishin sa më afër me letërsinë, gjuhën e kulturën.

Kjo lloj gjetje respektivisht ky bashkëpunim interdiciplinar që kishte vulën dhe logon personale të Nexhmedin Ymerit, u zbatua me dekada respektivisht deri në kohen kur shqiptarëve iu ndalua ushtrimi i detyrave funksionale në çdo fushëveprimtari. Pas periudhës së dëbimit të shqiptarëve nga vendet e punës, Nexhi u gjet bashkë me kolegët e radios dhe teatrit në “udhëkryq”, por krijimtaria e tij nuk ndaloi aspak, ashtu siç nuk ndaloi gjallërimin teatri si institucioni më vital i kulturës. Edhe pse në rrethana të paimagjinueshme të funksionimit, kurba zhvillimore e aktiviteteve kulturore shënoi rritje në prizmin e mbajtjes gjallë të artit e kulturës, gjatë kësaj etape të rëndësishme historike.

Nexhi, ishte nga ata shërbëtorë që i përvoli mëngët në dhënien e kontributit për mbajtjen gjallë me çdo kusht të jetës kulturore në Gjilan e Anamoravë, duke u angazhuar në strukturat organizative kulturore të qytetit. Ai, gjithashtu ishte një nga themeluesit e Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve për Anamoravë, anëtar i Komisionit (me vonë Këshillit) për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe për gati një dekadë, ishte kryetar i Shoqatës Bamirëse “Nëna Tereze”, për lagjet Dardani I dhe II. si dhe pati plotë angazhime tjera.

Puna dhe angazhimi i tij ekzistencial ishte në organizimin dhe mbajtjen e aktivitetit kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, aktivitet që ishte halë në sy për policinë dhe UDB-në serbe, gjatë kësaj periudhe.

Nexhi, bashkë me një mori emrash të tjerë, ishin kreatorët dhe katalizatorët e këtij karvani kulturor i cili filloi rrugëtimin në atë periudhë kur gjithçka ishte e ndaluar dhe kërkohej guxim patriotik në mbrojtje të fjalës shqipe.  

Edhe pas përfundimit të luftës, Nexhi ishte i palodhshëm në ofrimin e kontributit të tij, në pasurimin e agjendës zhvillimore të artit e kulturës në Gjilan, ndaj dhe mori përgjegjësi të reja si menaxher i Teatrit Profesionist të Qytetit, fal njohjes të aftësive të tij organizative dhe profesionale. Gjatë kësaj periudhe, ai po ashtu ndihmoi në rimëkëmbjen e Radio Gjilanit dhe kontribuoi për vazhdimësinë në mbajtjen e Manifestimit Kulturor, tani më tradicional, “Flaka e Janarit”,  për të cilin kontribut ndjehet i respektuar dhe i privilegjuar që ishte pjesë e ekipit nismëtar.   

Teatri, dashuri qe nuk harrohet kurrë!…

Marrëdhënia e tij me zhvillimet kulturore në përgjithësi mbeten brenda kufijve të shenjtërisë, mbase edhe më të fortë e ka ndjesinë kur përmendet teatri, sepse ai u mor tërë jetën me të, i shtyrë vetëm nga dashuria dhe vullneti i tij i madh për të ndjerë dhe dhuruar emocione që të jep skena. Me të drejtë ai ka nxjerrë përfundimin që teatri është emocion, është ndjenjë e fuqishme, sidomos për ata që kanë shkelur në dërrasat e tij dhe kjo ndjenjë është shumëfishë më e fortë, sepse përmasat janë më të mëdha për ata që kanë performuar në përcjelljen e kësaj ndjenje te publiku.

Nexhmedin Ymeri, sot, edhe pse në moshë të shtyrë, vazhdon të jetë një ndjekës i rregullt dhe pasionant i agjendës kulturore, i cili përmes punës që ka dhuruar cilësohet si një nga themeltarët e Teatrit të Qytetit, që kanë kontribuar në formimin dhe forcimin e Teatrit Profesionist. /2LONLINE/